“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Të pasurit dhe të pasuruarit tanë 

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Të pasurit dhe të pasuruarit tanë 
Satirë

Antena Jashtë Familjes vjen sot me një lajm të mirë. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka shpallur se një bankë e madhe është marrë me pastrim parash. Tani drejtuesit e kësaj banke do të përballen me akuza kriminale. Lajmi është tepër i besueshëm, pasi është botuar para pak ditësh në të njohurën "The Economist".

Themi lajm i mirë pavarësisht se Banka vepron në Danimarkë, por do vijë dita që autoritetet tona të kryejnë ndërhyrje të tilla edhe në vendin tonë, pa u trembur se mund t'i quajnë veprime marksiste që cënojnë tregun e lirë që gëzojmë ne sot.

E meqë ra llafi te marksizmi, po sjellim komentin tonë, që merr shtysë pas një shkrimi të kolegut tonë Frrok Çupi, botuar javën e kaluar po në gazetën tonë. Aty flitej ndër të tjera për banorë që kanë zënë tokën e tjetrit, cilësisht rastin e banorëve te Astiri. ( Do thonë disa lexues se si është e mundur që gazeta të botojë diçka ndryshe nga ajo që ka botuar dikush më parë?! Pergjigjen mund ta marrë nëse shikon se edhe brenda familjes së tij, jo të gjithë kanë mendime të njëjta, por kjo nuk e bën familjen-gazetën të pavlerë).

Së pari unë në vetë nuk besoj dhe jam i bindur për këtë, se ata banorë te Astiri kanë zënë tokat e dikujt. As nuk besoj se shoku Sadri prej Dibre që ka legalizuar vilën e tij, e ka zënë tokën. Nëse ata banorë do e kishin bërë këtë gjë, makineria propagandistike e shokëve Edi Rama dhe Erion Veliaj do hidhej në veprim duke nxjerrë përpara televizioneve ndonjë ish pronar që i është zënë toka në atë zonë, e nuk do nxirrte policinë e shokut Sandër Lleshi.

Në shkrim thuhej gjithashtu. "Malli më i pavlerë për studentin është dija". Dhe të drejtë ka këtu kolegu ynë. Nëse dija do kishte vlerë, në krye të kompanive më të mëdha koncesionare të vendit, siç e kemi thënë, nuk do kishim njerëz që dinë ta manovrojnë me të gjitha qeveritë, si ish-manovratorë, shoferë, fadromistë, montatorë, me shkollë tetëvjeçare, apo e shumta dhe ca vite shkollë nate. Po të kishte dija vlerë, në krye të kompanive me pasuri më të shumta të gjeneruara, nuk do ishin ato që marrin tenderë publikë, por kompani që veprojnë, apo siç themi ne gazetari, operojnë në fushave të tjera.

E meqë nuk ra llafi te Karl Marksi. Ai, pra Karli mendonte dhe e ka shkruar te "Kritika e Programit të Gotës" se të pasurit duhet të paguajnë për studimet në universitete, tarifa më të larta sesa të varfrit. Ndryshe nga sa i ka dalë nami, Marksi vetë ka qenë kundër idesë që shteti në kapitalizëm, duhet që të financojë studimet për të varfrit.

Për ta thënë ndryshe. Karli ishte i mendimit, që universitetet t'i krijonin te ardhurat nga studentët e pasur. Marksi tek ajo vepër jep edhe shpjegimet e tij për këtë, që unë nuk dua t'i shkruaj këtu. Kush do që ta lexojë, mund ta bëjë këtë gjë, pasi Partia jonë e kaluar e ka botuar atë vepër që në vitin e largët 1954, pra që përpara se të kishim universitetin tonë.

E meqë ra llafi te të pasurit e vendit. Siç thoshte kolegu ynë, opozita ka nisur një luftë ndaj tyre, që nuk është e drejtë, pasi është marksiste.

Si firmëtar i PD-së, (për LSI-në si pjesë e opozitës le të përgjigjet ndonjë tjetër), e kam për detyrë që ta mbroj atë parti.

Sipas mendimit të kolegut tonë, lufta ndaj të pasurve është e gabuar, pasi kjo do të thoshte "njëlloj si Amerika të shuante Rokfelerët, Morganët, Bill Gates, Mark Zukenberg".

Billi dhe Marku janë akoma gjallë, e po të duan mund ta tregojnë vetë se ç'kanë hequr nga hetimet e nisura ndaj tyre për prishjen e konkurrencës në tregun ku veprojnë kompanitë e tyre.

Dua të flas për Rokfelerin, meqë e kam edhe bashkëqytetarin tim, nga qyteti ku nisi punën si llogaritar dhe pak më vonë, biznesin e tij të suksesshëm.

Xhoni i Rokfelerëve, pasi u pasurua shumë, u detyrua nga Gjykata Supreme që kompaninë e tij ta ndante në disa pjesë dhe të mbante në secilën prej tyre nëse dëshironte, vetëm disa aksione jovendimmarrëse. Kjo ndodhi, sepse Xhoni dhe biznesi i tij kishin monopolizuar biznesin e rafinimit të naftës, e si pasojë kishte thyer Ligjin Sherman, që ishte miratuar pa sherre dhe që kishte të bënte me konkurrencën në fushën e biznesit të njëjtë në treg.

Në këtë rast Amerika nuk ndoqi modelin e vlerësuar të Smithit, "me dorën e padukshme" të shtetit, por ndërhyri, siç edhe ndërhyri 10 vjet më parë në sistemin bankar.

Sigurojmë nga ata që janë të shqetësuar për të ardhmen e vendit nga qasja marksiste, se "lufta" e PD-së ndaj të pasur(uar)ve tanë me koncesione dhe jo me ndonjë shpikje si Billi dhe Marku, nuk ka për të ndodhur ndonjëherë. Arsyet janë:

E para; Sepse në Shqipëri nuk ka gjykatë supreme. Edhe Gjykatë Kushtetuese që ndonjëherë kemi, tani ka marrë pushimet.

E dyta; Nuk ka akoma burrë nëne, apo grua babai te "Autoriteti i Konkurrencës" që të dalë kundër oligarkëve tanë, siç dolën mbi një shekull më parë në Amerikë. Edhe nëse del dhe vepron kundër të pasuruarve, do i turren të gjitha partitë parlamentare se është marksiste, e aq e pat vendi i punës.

E treta dhe më kryesorja: PD-ja bën shaka kur thotë se pasi të marrë pushtetin do të "Fillojë Lufta Kundër Të Pasurve", sepse kur ishte në pushtet, po vetë i ka pasuruar.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: