“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Vladimir Putin telefonon Edi Ramën: Si të vjedh si ty?

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Vladimir Putin telefonon Edi Ramën: Si të vjedh si ty?
Satirë

Fondi i Investimeve Direkte të Rusisë, kompania e ndërtimit të rrugëve AVTOBAN (që është kushëri me Drejtorinë ë Rrugëve këtu në Shqipëri) dhe firma turke “Majkol”, e cila është kushëri me ndonjë firmë turke që ka investuar në Serbi, por pritet që ndonjë vit të hyjë edhe në vendin tonë, kanë formuar një konsorcium, apo siç i themi neve në gazetari, bashkim.

Qëllimi i këtij bashkimi është vëzhgimi dhe zbatimi, apo siç i themi neve në gazetari, monitorimi dhe implementimi i marrëveshjes së koncensionit në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e pjesës së fundit të Unazës Qendrore të Moskës. (UQM). Më konkretisht dhe qartësisht:

Ndërtimi i pjesës së katërt dhe të fundit të UQM-së, që do ketë një gjatësi 96.5 kilometra dhe parashikohet të kushtojë 85.4 miliardë rubla, ose e thënë pak ndryshe, 1.51 miliardë $. ( 15. 5 milionë $ për kilometër).

Sipas marrëveshjes, shteti rus do të vendosë 49.7 miliardë rubla, (880 milionë $). Firmat private do të vendosin 35.7 miliardë rubla, apo e thënë pak ndryshe 630 milionë dollarë.

Kamarierit ku pi makiato redaksia jonë, i bëri përshtypje që privati në Rusi do të vendosë 40% të shumës së investimeve. Në Shqipëri, në rastin e investimeve PPP, firmat private nuk vendosin kokërr leku, pasi ato nuk i lejon ligji dhe dihet se ne i zbatojmë  ligjet...

Ajo pjesë e unazës në Moskë, do të ketë 17 ura, 40 mbikalime dhe 9 flajover. (Këto nuk e dimë se ç'janë. Ftojmë median e kazanit të kontaktojë Ambasadën e Federatës Ruse dhe ta pyesë). Pjesa e unazës do ketë 4 korsi. (Kjo e jona do ketë 6. Por numri i madh i urave mbikalimeve etj, e bëjnë UQM-në më të lirë se këto 2 kilometra të Unazës së Madhe).

Duam të shtojmë diçka jo shumë të rëndësishme, që po e ndajmë me ju.

Sapo ka marrë vesh Lad Putin, që në Tiranë një kilometër e Unazës do të kushtojë 23 milionë $, i iku mendja fare. Thuhet se 30% e tenderimeve në Rusi vidhen. Ladi ka telefonuar Kryeministrin tonë dhe e ka pyetur...

Pyetjen e tij e kemi te titulli, se nuk na e mban ta shkruajmë përsëri, pasi kemi frikë se mos Lad Putin hakmerret ndaj vendit tonë.

Post Scriptum: Për këtë material ne shfrytëzuam shumë burime. Dy prej tyre po i spiunojmë që t'i shikoni edhe ju lexues: https://www.roadtraffic-technology.com/news/new-consortium-formed-build-final-section-moscow-ring-road/, si edhe https://rdif.ru/Eng_fullNews/2942/

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: