BE: Protesta e studentëve, koha për të ndërtuar dialog!

BE: Protesta e studentëve, koha për të ndërtuar dialog!
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, reagon rreth protestës së studentëve, e cila vijon prej dy javësh

“Është koha për të ndërtuar një dialog, që siguron se këto kërkesa të përkthehen në zgjidhje konkrete dhe praktike”.

Me një qëndrim të tillë, ka reaguar dje delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, rreth protestës së studentëve, e cila vijon prej dy javësh në Shqipëri. Duke mbrojtur më tej, idenë se zhvillimi i protestave është shprehje e demokracisë së shëndetshme. “Protestat paqësore të studentëve në Shqipëri janë një shprehje e shëndetshme e demokracisë. Ekziston një konsensus i gjerë publik në shoqërinë shqiptare lidhur me kërkesat e tyre. Studentët bëjnë thirrje për standarde më të mira arsimore. E drejta për arsim është qendrore në çdo shoqëri. Ashtu siç është lufta kundër korrupsionit. Tani është koha për të ndërtuar një dialog që siguron që këto kërkesa të përkthehen në zgjidhje konkrete dhe praktike”, ka komentuar konkretisht zyra e Bashkimit Evropian, lidhur me një situatë të tillë të krijuar në Shqipëri. Kjo, në një kohë kur kryemin-istri Edi Rama ka nisur të realizojë tryezat e dialogut me studente dhe pedadogë për zgjidhjen e të ashtuquajturave “8 kërkesa”, që studentët kanë vënë në qendër të protestës së tyre ndaj qeverisë. Nga ana tjetër, deklarata e Delegacionit të BE-së në Tiranë ka bërë me dije gjithashtu se kauza e studentëve tashmë ka marrë edhe  një konsensus të gjerë në shoqërinë shqiptare. “Ekziston një konsensus i gjerë publik në shoqërinë shqiptare lidhur me kërkesat e tyre. Studentët bëjnë thirrje për standarde më të mira arsimore. E drejta për arsim është qendrore në çdo shoqëri. Ashtu siç është lufta kundër korrupsionit”, përfundon ajo.

 

KËRKESA

Avokati i Popullit: Rishikim i tarifave të studentëve nga shtresat sociale në nevojë

Përgjysmim, ose heqje e tarifave të studimit për kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë, ata me aftësi të kufizuara, por edhe invalidët. Ky është propozimi i institucioni i Avokatit të Popullit, rreth protestës së studentëve. Qysh prej nisjes së zbatimit të ligjit të ri të arsimit, institucioni i Avokatit të Popullit deklaron se ka marrë ankesa të shumta nga studentë e familjarë, të cilët kërkojnë lehtësimin e barrës së pagesave që kategori vulnerabël studentësh duhet të përballojnë për arsimimin e tyre. “Vlen të theksohet se ligji i ri nuk ka marrë në konsideratë zbatimin e atyre politikave në fuqi, të cilat shërbejnë për lehtësimin e këtyre kategorive nga pagesat e tarifave. Për këtë arsye, rekomandime të njëpasnjëshme u janë dërguar institucioneve përgjegjëse arsimore nga ana e Avokatit të Popullit përgjatë gjithë viteve 2017 dhe 2018”, thuhet në qëndrimin e këtij institucioni. Më tej, nënvizohet se ministria e Arsimit, Universiteti i Tiranës në pothuajse të gjithë fakultetet e tij, e po ashtu edhe Universiteti i Elbasanit kanë marrë në mënyrë të vazhdueshme rekomandime nga ana e Avokatit të Popullit, me anë të të cilave është kërkuar zbatimi i politikave sociale që të bëjnë të mundur përjashtimin ose përgjysmimin e tarifave për këto kategori studentësh. Por pothuajse të gjitha kërkesat dhe rekomandimet që Avokati i Popullit ka dërguar pranë këtyre institucioneve gjatë dy viteve, kanë marrë përgjigje sipërfaqësore, të përgjithshme dhe pa asnjë angazhim konkret. “Të marrë fund praktika e neglizhimit të rekomandimeve që ky institucion bën, pasi thotë se përvoja e viteve të fundit dëshmon se në çdo rast që ka pasur neglizhime të tilla nga ana e autoriteteve tona përgjegjëse, pakënaqësia e qytetarëve në një kohë të dytë u ka dhënë të drejtë pretendimeve tona”, përfundon deklarata e AP-së.

 

 

PROTESTA

Biznesi i vogël dhe i mesëm: Sot, për tetë orë do mbyllim qepenat!

Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm njoftoi dje se duke filluar nga sot, përfaqësuesit e këtij aktiviteti privat në vend do të nisin protestat. “Kemi bërë thirrje për grevë, nga ora 8 e mëngjesit deri në 16.00 të pasdites, forma e së cilës do të jetë me ulje qepenësh. Kryefjala e protestës sonë është përfshirja në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar të biznesit të vogël, e cila pati efekte gjatë këtij viti. Nga janari deri në fund të nëntorit falimentuan plot 13 mijë biznese të vogla”, bëri me dije Bujar Muça, nënkryetar i kësaj shoqate. Duke listuar më tej edhe kërkesat që i drejtohen qeverisë: 1. Rritja e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël nga 2 miliardë lekë, në 12 milionë lekë; 2. Ulja e çmimit të energjisë elektrike me nivelin prej 30%; 3. Ulja e çmimit të karburantit me 40 lekë për litër dhe

4. Ndalja e projektit të qeverisë për zëvendësimin e kasave fiskale dhe gjithashtu ndryshim sistemi. Sipas kësaj shoqate, biznesi i vogël po përballet gjithnjë e më tepër me kosto të shtuara. “Edhe për projektin e zëvendësimit të kasave fiskale, ka kosto të larta për ne. Bëhet fjalë për rreth 700 mijë biznese që i përfshin ky projekt. Një kasë së bashku me ndryshimin e sistemit arrin në 500-600 euro, gjë e cila është kosto shumë e lartë për ne. Jemi dakord me projektin në parim, por qeveria të mbulojë kostot”, tha lidhur me një fakt të tillë, nënkryetari i saj.

 

KRITIKAT

LSI: Kryeministri, të lërë mënjanë retorikën dhe të marrë përgjegjësitë!

“Kryeministri, si personi kryesor përgjegjës për situatën e krijuar të lërë mënjanë retorikën dhe të marrë përgjegjësitë duke plotësuar tetë kërkesat jetike të studentëve”. Kështu u shpreh dje, deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, lidhur me zhvillimet e reja mbi protestën e studentëve. Sipas saj, “dy javë pas nisjes së protestës së studentëve ata kanë fituar mbështetjen e qytetarëve shqiptarë dhe së fundmi edhe të partnerëve ndërkombëtar, ç’ka konfirmon se e drejta është me ta”. “Një gjë është fakt, se realiteti akuzues dhe situata e vështirë jo vetëm e Universiteteve, por e të gjithë sistemit arsimor në Shqipëri nuk ka nevojë për deklarata, por për zgjidhje. Dhe zgjidhja fillon në veprime të qeverisë, jo me diskutime që nuk kanë fund. Vetëm kështu hapet rruga e dialogut për reformimin serioz të arsimit në Shqipëri”, tha gjithashtu ajo.

 

VENDIMI

Fakulteti Ekonomisë: Nuk do paguajmë tarifat, deri në plotësimin e 8 kërkesave!

Fakulteti i Ekonomisë ka vendosur dje se nuk do të paguhen tarifat e shkollimit nga studentët, deri në plotësimin e 8 kërkesave të tyre. Vendimi është marrë nga Dekanati bashkë me studentët e Fakultetit, ndërsa një masë tjetër është edhe shtyrja e sezonit të provimeve për shkak të situatës së krijuar.

Por edhe zerimi i tarifave të brendshme. Gjithashtu, në dokument thuhet se do të bëhet transparencë për çdo veprim financuar të Fakultetit.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: