Kërkesat e studentëve, Rama jep afatet e plotësimit

Kërkesat e studentëve, Rama jep afatet e plotësimit
Kryeministri ka angazhuar disa grupe pune, të cilat po punojnë për dokumentin e një Pakti për Universitetin. Përtej përgjigjes konkrete për 8 pikat e dala nga protesta studentore, Pakti për Universitetin, do të jetë një dokument angazhimesh për të adresuar probleme të përgjithshme për Universitetin, si edhe probleme specifike për çdo universitet - bazuar në informacionet, opinionet, idetë e sugjerimet e mbledhura gjatë atij që z.Rama e quan procesi i saponisur i dialogut

Kryeministri Edi Rama njoftoi dje se ka angazhuar disa grupe pune, të cilat po punojnë për dokumentin e një Pakti për Universitetin. Sipas tij ky pakt, do të jetë një dokument angazhimesh për të adresuar probleme të përgjithshme për Universitetin, si dhe probleme specifike për çdo universitet – bazuar në informacionet, opinionet, idetë e sugjerimet e mbledhura gjatë procesit të saponisur të Dialogut.

Drafti u botua në shqiperiaqeduam.al enkas për t’i shërbyer këtij procesi dhe është në dispozicion të kujtdo që dëshiron të kontribuojë me idetë e veta.

Drafti i referohet pjesës më të madhe të kërkesave të studentëve. Megjithatëë aty është përjashtuar një nga pikat kyçe, ajo e buxhetit për arsimin publik në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Po ashtu është lënë jashtë dhe kërkesa për ta çuar nga 10 në 50% peshën totale të votës së studentëve për zgjedhjen e dekanëve dhe rektorëve.

PIKA 1 - Tarifat të paguhen nga qeveria nga 100% deri në 50% me shkallëzim

Afati i zbatimit, Janar 2019

Sipas pikës 1, “Tarifat të paguhen nga qeveria nga 100% deri në 50% me shkallëzim”. Më shumë, 100 për qind, përfitojnë studentët me mesatare 9 deri në 10, për studentët nga familje në ndihmë ekonomike, si edhe për të verbrit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë. Këto dy kategori mund të kenë edhe një bursë prej 100 USD.

Kurse 75 për qind do t’u zbritet studentëve me mesatare 8 deri në 9 dhe 50 për qind studentët me mesatare 6 deri në 8. Me 50 për qind do të trajtohen studentët me mesatare më të ulët se sa 6, por deri në fundvitin akademik 2019-2020.

Skema e shkallëzimit meritokratik është ende në diskutim dhe të gjithë janë të ftuar të kontribuojnë me mendimin e tyre.

PIKA 2 - Të krijohet një faqe online, ku të publikohen të gjitha buxhetet dhe shpenzimet e Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë dhe çdo IAL-i publik. Faqja të shërbejë edhe si një platformë, për ekspozimin e akteve të korrupsionit apo të shkeljeve të çdo lloji në universitet.

Afati i zbatimit: Janar 2019

PIKA 3 - Çdokush që ka njohuri për një praktikë ndërkombëtare, ku pesha e votës së studentëve në zgjedhjet në universitet është siç kërkohet në këtë pikë, është i lutur ta bëjë publike. Momentalisht po punohet për ta adresuar këtë pikë, duke parë me detaje çështjen e përfaqësimit të studentëve në vendimmarrje, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.

PIKA 4 - Transparenca e titujve shkencorë është aktualisht një detyrim ligjor i Universitetit. Sidoqoftë po punohet për një propozim konkret si më poshtë, që meriton të diskutohet.

- Biblioteka Kombëtare të ngrejë një portal të unifikuar, ku të hidhen të gjitha doktoraturat.

-Të digjitalizohen doktoraturat që janë në letër (hardcopy). Kontrolli antiplagjiaturë i tyre të kryhet nëpërmjet një software-i të posaçëm dhe të gjitha rastet e dyshuara t'i kthehen Komisioneve të Posaçme Universitare për rivlerësim.

- Ministria e Arsimit, Sportit e Rinisë nga ana e saj, të nisë Verifikimin e Kritereve të Ligjshmërisë për titujt akademikë.

Afati i fillimit të zbatimit: Mars 2019

PIKA 5 - Qeveria të shkarkojë të gjithë anëtarët e bordeve të emëruar nga MASR. Anëtarët e rinj të emërohen nëpërmjet një procesi të hapur, ku figura publike dhe ekspertë me profil të lartë, të zgjidhen rojtarë të interesit publik në administrimin e Universiteteve. Po hulumtohen praktikat më të mira ndërkombëtare për të parë mundësinë që njëri prej anëtarëve të vijë nga trupa studentore.

Afati i zbatimit: Shkurt 2019

PIKA 6 - Marrëveshja e nënshkruar në nëntor me Qendrën e Shërbimeve Arsimore Franceze, për ta bërë kartën tonë pjesë të European Student Card (ESC) është një bazë shumë e mirë për finalizimin e këtij procesi

-Të miratohet VKM me shërbimet që do të ofrohen me çmim të reduktuar për studentët. -Të fillojë procesi i pajisjes me Kartën e Studentit dhe të pajisen të gjithë studentët.

Afati i zbatimit: Shtator 2019

PIKA 7 - Të përfundojë procesi i blerjes dhe vënies në dispozicion të studentëve të Bibliotekës Universitare Digjitale. Të gjitha Universitetet në vend do të kenë akses në bibliotekën elektronike universitare, si dhe në databazën kombëtare të doktoraturave.

Afati i zbatimit: Mars 2019

PIKA 8 - Të nisë vlerësimi i performancës për çdo IAL në vend, ku elementët kyç do të jenë:

- Sondazhi Kombëtar i Studentëve për çdo pedagog, program mësimor; departament e fakultet;

- Vlerësimi i Produktit Kërkimor për çdo departament, fakultet dhe IAL;

- Vlerësimi i jashtëm i cilësisë, në përputhje me ”Kodin e Cilësisë së Arsimit të Lartë”.

Afati i fillimit të zbatimit: Mars 2019

***

Kryeministria thotë se të gjitha këto pika janë në fazën e diskutimeve në grupet e punës, të cilat mirëpresin çdo sugjerim. Ndërkohë, çdo individ i interesuar, ftohet të kontribuojë me opinione, ide, sugjerime a kërkesa për universitetin në tërësi dhe universitetin apo fakultetin e tij në veçanti.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: