Qeveria tërhiqet nga VKM, studentët edhe sot në protestë para Kryeministrisë

Qeveria tërhiqet nga VKM, studentët edhe sot në protestë para Kryeministrisë
Ministria e Arsimit dhe Qeveria është tërhequr para presionit të studentëve duke anuluar tarifën e provimeve të përsëritura. Por kjo nuk e ka qetësuar protestën, studentët kërkojnë plotësimin e të gjitha kërkesave të adresuara qeverisë. Gjatë ditës së sotme pritet të ketë sërisht protesta nga studentët, të cilët kanë paralajmëruar për nisje të grumbullimeve nga universitet përkatëse për tu bashkuar para Kryeministrisë

Në një kohë kur ministrja e Arsimit Lindita Nikolla iu plotësoi atyre një prej pikave, shfuqizim të VKM për tarifat për provimet e mbartura, studentët protestues nuk e kanë pritur mirë këtë vendim. Ata pohuan se nuk do të ndalen në asnjë moment, deri në plotësimin e 4 kërkesave që i kanë parashtruar Nikollës. ndërkohë ata pohuan se ditën e nesërme do të vijojnë sërish me protestën, ndërsa në orën 10:00 do të mblidhen para Kryeministrisë. “Do e diskutojmë me të gjithë studentët dhe do të marrim një vendim. Duke qenë se kishim deklaruar se ministra do të na kthente përgjigje, për sot, e mbyllim protestën. Me thirrjen që do të mblidhemi sërish nesër në të njëjtën mënyrë. Do shihet nëse do ketë reagim”, -tha një prej përfaqësuesve të Këshillit studentor.  Ndërkohë një tjetër studente tha: “Qeveria dhe Ministria u tërhoqën nga haraçi i padrejtë për studentët. Të premten në orën 8 mblidhemi tek ministria dhe marshojmë deri kryeministrisë. Dekanët e fakulteteve të mbajnë përgjegjësi për të plotësuar kushtet për institucionet” pohuan studentët. Sipas tyre, protestat nuk do të ndalen deri në momentin e plotësimit të të gjitha kushteve që ata i kanë drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë.

Qeveria

Këshilli i Ministrave ka shfuqizuar dje zyrtarisht VKM nr 288 pika numër 4, e cila parashikonte tarifa për provimet e mbartura në bazë të krediteve. Studentët nuk do t’i nënshtrohen tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse. Njoftimin e ka bërë edhe ministrja Nikolla në një letër drejtuar studentëve protestues ku tregohej se është shfuqizuar pika 4 e VKM-së nr.288. datë 21 maj 2018. Vendimi është marrë pas protestës prej dy ditësh të studentëve dhe pas deklaratës së ministres Nikolla, e cila u shpreh e hapur për plotësimin e kërkesave të studentëve. Ajo tha se protesta e studentëve shërbeu si një reflektim për një debat shterues brenda Universitetit.

Reagimi i Nikollës

Ministrja Nikolla e cilësoi protestën e studentëve si një reflektim për situatën në arsim.  Ajo tha se protesta e studentëve tregoi edhe njëherë sesa pak informacion dhe komunikim kishte tek studentët për reformën. “Më vjen shumë mirë që kam marrë një reagim inkurajues nga disa këshilla studentorë. Është e vërtetë që kemi kohë që presim për një angazhim edhe më të madh të studentëve për zbatimin e reformës në arsimin e lartë, për modernizmin jo vetëm të sistemit të financimit, por modernizmin në tërësi çdo institucioni të arsimit të lartë. Kjo protestë e studentëve tregoi sa pak informacion dhe sa pak komunikim kishte tek studentët. Ndaj më shumë sesa rëndësia thjesht dhe vetëm për të shfuqizuar pikën 4 të VKM besoj se kjo protestë e studentëve ia vlejti për të ngjallur më shumë refleksion, shërbeu si një katalizator për një debat shterues brenda universitetit. Kam marrë një kërkesë nga këshillat studentore që e miratoj me të dyja duart. Një kërkesë që më thotë që për kërkesat 2,3 dhe 4 të ngrihet një grup pune me përfaqësues nga Këshillat Studentorë, ministria dhe Universitet” pohoi Nikolla.

Sipas saj, kjo është rruga e duhur për të përmirësuar dhe për të ndërtuar dialog të shëndetshëm me të vërtetat dhe vendimet për jetën universitare. Ministrja ndër të tjera theksoi se do të ngrihet një grup pune për këtë çështje, por studentët kundërshtojnë duke kërkuar plotësimin e menjëhershëm të kërkesave.

 

Rama: Ja prova që kemi investuar në arsim

Në një kohë kur vendi është pushtuar nga një ‘valë’ protestash të studentëve të universiteteve publike në vend, kryeministri Edi Rama ka reaguar duke dhënë një ‘provë’ se si po punon qeveria e tij për arsimin. Përmes një postimi në ‘Facebook’, duke iu përgjigjur kështu dhe akuzave të Lulzim Bashës, Rama ka publikuar një video ku shihet një projekt mbi konstruktimin e godinave të studentëve. Sipas Ramës, investimi në fjalë në bashkëpunim me qeverinë gjermane, kap vlerën e 18.8 milionë euro vetëm faza e parë. “Meqë po diskutohen këto ditë edhe kushtet e godinave për studentët, ja prova që kjo qeveri, si asnjë tjetër më parë, ka nisur një investim masiv (18.8mln € Faza 1) në bashkëpunim me qeverinë gjermane, për të ndryshuar rrënjësisht situatën e trashëguar të konvikteve. Ndiqeni deri në fund sepse nis si 3D po vazhdon si realitet i prekshëm i kantierit të parë të këtij projekti”, shkruan Rama.

 

Mediat ndërkombëtare jehonë protestave të studentëve

Mediat ndërkombëtare i bënë jehonë protestës së studentëve shqiptarë që kërkuan anulimin e tarifave për provimet e mbartura, përgjysmimin e tarifës së studimit dhe përmirësimin e kushteve të studimit. Gazeta “Neë York Times", pasqyron tërheqjen e qeverisë shqiptare nga vendimin për tarifën e provimeve të prapambetura, ndërsa thekson se nuk janë plotësuar kërkesat e tjera të parashtruara nga studentët.

Gazeta “Uashington Post” thekson gjithashtu se studentët do të vazhdojnë protestat e tyre derisa të plotësohen të gjitha kërkesat e tyre.

Lajmi pasqyrohet edhe agjencia “BalkanInsight”. Me titull “Shqipëria tronditet nga zemërimi i studentëve për tarifat e shkollimit”, kjo agjenci nënvizon se studentët bllokuan hyrjen e Ministrisë së Arsimit në ditën e tretë të protestës kundër rritjes të tarifave të shkollimit dhe vështirësive ekonomike. Mediat e huaja i janë referuar për agjencisë “Associated Press” për protestën e studentëve.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: