REAGIMET/ Kryeministri: Një tjetër ditë e humbur! LSI kërkon ndryshime në ligj. Basha: Shteti ka degraduar

REAGIMET/ Kryeministri: Një tjetër ditë e humbur! LSI kërkon ndryshime në ligj. Basha: Shteti ka degraduar
Dje, dita e tetë e studentëve në shesh para Kryeministrisë dhe ministrisë së Arsimit. Rama: “Nuk funksionon kështu në mësimet e demokracisë dhe të prindërve tuaj. Unë ju pres!”

Ndërsa Shqipëria është gjendur dje sërish në valën e protestave studentore, të cilat po vazhduan për të tetën ditë me radhë, kryeministri Edi Rama, e ka cilësuar këtë si një tjetër ditë të humbur. “Një tjetër ditë e humbur me arsyen e mosarsyes: Kam kërkesa po s’dua të flas për to, prandaj m’i plotëso! Kështu nuk funksionon në mësimet e demokracisë e të prindërve tuaj. Unë ju pres”, ka qenë shënimi që kryeministri u ka drejtuar studentëve. Por kreu i qeverisë nuk ka lënë pa përmendur me këtë rast edhe kundërshtarët e tij politikë, kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. “Kështu funksionon në Klinikën e Doktoreshë Monës, në Gjumin e Lul Artistit, në Megafonin e Profesor Qorrit”, ka ironizuar ai. Ndërkaq, në një reagim tjetër të tij po gjatë ditës së djeshme, ai ka sqaruar se lajmi për shkarkimin e përfaqësuesve të qeverisë në Bordet e Administrimit të Universiteteve dhe drejtorët e konvikteve, është i pavërtetë. Teksa gjatë mbledhjes së qeverisë, ai ka konfirmuar edhe njëherë faktin se është në pritje të hapjes së dialogut me studentët, përpara hedhjes së hapave konkretë për 8 pikat dhe pikave të tjera të Paktit për Universitetin. “Gjithçka na duhet tani është të ulemi dhe të flasim. 8 pikat janë për mua vetëm pikënisja e një faze të re transformimi të botës sonë universitare. Dhe këtë transformim mund, duhet e do ta bëjmë vetëm së bashku, përmes një Pakti për Universitetin mes studentëve dhe qeverisë”, ka thënë ai më herët, iu drejtuar studentëve. Duke apeluar se adresimi i tetë pikave duhet të nisë pa humbur kohë. “DIALOG”, ka qenë një tjetër fjalë me germa të mëdha, që ai ka shkruar në statuset e djeshme publike, të rrjeteve sociale, lidhur me protestën në vazhdim të studentëve.

 

“DIALOG”

Ka qenë një tjetër fjalë me germa të mëdha, që Rama ka shkruar në statuset e djeshme publike, të rrjeteve sociale, lidhur me protestën në vazhdim të studentëve.

 

MESAZHI

 “Mos u lutni ju, e bëj unë!”

“Një vajzë sapo tha s’duam të lutemi (në fakt lutem unë), por duam të na plotësohen 8 pikat pa dialog! Domethënë, s’duam të bisedojmë për kërkesat tona, po duam të bërtasim deri në plotësimin e tyre! Në cilën familje ecën kjo logjikë? Në familjen tonë të madhe jo njëherë, prandaj DIALOG”, shkroi dje kryeministri Rama.

 

LSI: Amendamente që u japin përgjigje studentëve, duhet t’i votojmë urgjent!

Lëvizja Socialiste për Integrim ka dalë dje me propozimin për miratimin e disa amendamenteve ligjore, të cilat sipas saj, do ta zgjidhnin çështjen e studentëve. Konkretisht, përmes kryetares së saj, Monika Kryemadhi, kjo forcë politike lançoi dje se në ligjin për buxhetin, propozohet pikërisht amendimi që ndryshon totalin e shpenzimeve të tij. Kështu, sipas saj, totali i shpenzimeve buxhetore në arsimin universitar nga 7 miliardë, të kthehet në 14 miliardë lekë. Po ashtu, fondi i emergjencës në arsimin universitar të jetë prej 5 miliardë lekësh, për përmirësimin e infrastrukturës aktuale të studentëve. Por ndër të tjera, LSI propozoi edhe amendamentin që siguron rritjen në masën prej 50% të përfaqësimit të studentëve në bordet e administrimit.

Sipas Kryemadhit, me anë të këtyre amendamenteve i bëhet thirrje kryeministrit Rama, kreut të Kuvendit, por edhe deputetëve që t’i kalojnë sa më parë ato në Kuvend, në mënyrë që t’u jepet zgjidhje menjëherë studentëve. “I bëj thirrje Edi Ramës të miratojë urgjentisht me të 140 deputetët, këto dy amendamente”, u shpreh ajo. Duke përfunduar se “koha e Edi Ramës ka mbaruar dhe tallja që po i bëjnë të rinjtë në rrjetet sociale, është më keq se tërheqja zvarrë e bustit të Enver Hoxhës”.Ka reaguar menjëherë pas këtij propozimi, kryeministri Edi Rama, sipas të cilit, kryetarja e LSI-së nuk ka fjetur, duke menduar për studentët.

“Doktoresha e Shkencave, Monika Kryemadhi, s’paska fjetur mbrëmë si Lul Artisti (që para se t’ia fuste gjumit u la porosi qytetarëve, t’u çonin ushqime e batanije protestuesve)! Ajo e paska gdhirë duke menduar për të shkretët studentë në të ftohtë dhe ka gjetur zgjidhjen shkencore”, shkroi Rama, lidhur me këtë.

 

PROCEDIMET

Pas protestës së studentëve, policia e Tiranës ka marrë masat e para. Ajo ka nisur procedimi penal ndaj 25 personave. Mes tyre bën pjesë edhe këngëtari Robert Aliaj, por dhe profesori Edmond Tupe, të cilët u kanë dalë në krahë të rinjve. Sipas policisë, ata e kanë cenuar qartazi atë

 

Basha: Procedimi i protestuesve nga policia, ky shtet po degradon përditë!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi dje lidhur me procedimin penal ndaj 25 protestuesve

“Ngritën zërin kundër qeverisë, të drejtë të cilën ua ka dhënë Zoti dhe Kushtetuta dhe ka filluar procedimi penal për 25 qytetarë të lirë”. Me këto djalë, e ka nisur dje reagimin e tij ndaj procedimeve, që Policia e Shtetit ka ndërmarrë ndaj 25 personave, që sipas saj e kanë cenuar atë gjatë protestës së studentëve, teksa ishin duke e përkrahur atë. “Ky shtet po degradon përditë në një regjim hajdut dhe shtypës në duar të krimit, por që do të shembet përpara vullnetit të njerëzve”, tha mes të tjerash, kreu i PD-së. Duke shtuar se “kapen duke vjedhur dhe pastruar 30 milionë euro, por as hajduti psiqik dhe asnjë nga vartësit e tij nuk është duke u hetuar penalisht”. Ndërsa sipas tij, shteti merret me protestues që janë në të drejtën e tyre për të protestuar. Kujtojmë sakaq, se mes personave të proceduar nga policia bën pjesë edhe këngëtari Robert Aliaj dhe profesori Edmond Tupe, të cilët u kanë dalë në krah të rinjve. Konkretisht, personat e proceduar, për të cilët janë referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës janë: Edmond Tupe, Robert Aliaj, Altin Goxhaj, Mirela Ruko, Klodian Leka, Estela Nazarko, Xhuljano Bregasi, Henri Fero, Liri Guci, Gentian Doci, Malbor Duka, Nehbi Bushaj, Klajdi Bello, Redi Muci, Luan Myrtaj, Erdi Bërxulli, Agron Pepaj, Migen Qiraxhi, Bledar Hysa, Adriatik Lapaj, Nerid Shehu, Bislim Lakna, Gaetano Doci, Andrea Gjini (LSI) dhe Kristina Tonaj (FRPD). Ata akuzohen se kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente duke prishur rendin e qetësinë publike, penguar qarkullimin e mjeteve të transportit dhe duke hedhur sende të forta në oborrin e institucionit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: