
Qyteti që frymëzoi shkrimtarin e madh Ismail Kadare besohet se emrin e mori nga Pincesha Argjiro. Flijimi i princeshës me foshnjën e saj, për të mos rënë e gjallë në dorë të turqve, simbolizon qëndresën dhe heroizmin e rrallë të popullit tonë.
“Visit South Albania” publikoi disa foto magjepsëse të rrugicave dhe lagjeve piktoreske të Gjirokastrës, aty ku bukuritë e rralla të këtij qyteti qëndrojnë të pacenuara ndër shekuj, karshi Kështjellës. Pamja magjepse e këtij qyteti as vyshket, as fshihet dhe as shuhet!
“Albanian Free Press” me rastin e 83-vjetorin të lindjes së shkrimtarit me përmasa botërore, Ismail Kadare, (28 janar 1936), publikon poemën që iu kushtua prej tij Princeshës Argjiro, si simbol i qytetit jugor të Shqipërisë:
Ra si Yll, po s’u shua
Vështroi princesha krenare
në çdo kullë e në çdo kamare
si të fundit roje ranë
çdo pëllëmbë me gjak e lanë.
Dhe e vetme ajo mbeti
përmbi kullë porsi deti
që i hedh dallgët në rërë
turqit u vërsulen të tërë.
Që ta zënë yllin të gjallë
po a zihet ylli vallë?
Ja argjiroja e shpejtë
tok me foshnjëzën e vet
u vërtit si zog në erë
nga kalaja në humnerë.
Shkëmb më shkëmb seç u copëtua
ra si ylli po s'u shua
dhe kujtoi ky shkëmb i bardhë
se fëmija i saj mbet gjallë
dhe që foshnjën ta mëkojë
qumësht zuri të pikojë.
Ismail Kadare
Përgatiti: A.M