META KONFIRMON QEVERINË E RE PA MINISTRIN E JASHTËM

META KONFIRMON QEVERINË E RE PA MINISTRIN E JASHTËM
Presidenti dekreton të gjithë emrat e tjerë që kërkoi Rama, nuk shpallet dekreti për shkarkimin e Bushatit dhe as për emërimin e Cakajt si MPJ i ri

Ankthi i ministrave të propozuar nga Edi Rama për t’u bërë pjesë e kabinetit qeveritar që përmbysi këtë fundvit që kaloi, ka marrë fund. Por për dy prej tyre, që “luftojnë” për të njëjtin post, kalvari më së paku vazhdon dhe më së shumti ka gjasa të mos mbyllet ashtu si Rama priste. Presidenti Ilir Meta, ka dekretuar të gjithë ministrat e mbetur, por jo ministrin e ri të Jashtëm, Gent Cakaj. E sigurisht, nuk ka dekretuar as shkarkimin e ministrit aktual, Ditmir Bushati.

Mbrëmjen e djeshme, pak orë pasi kishte thirrur në zyrë kryeministrin, kryetari i shtetit shpalli dekretet e reja. Kështu u dekretuan ministrja e re e Arsimit, Besa Shahini, shqiptare e Kosovës dhe Elva Margariti, ministre e Kulturës.

Gjithashtu u dekretuan edhe ministrja e re e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj si dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

E ndërkohë ende nuk dihet asgjë për fatin e Ditmir Bushatit dhe Gent Cakajt, shqiptar i Kosovës, në postin e ministrit të Jashtëm.

Z.Meta nuk ka pranuar deri tani as shkarkimin e Bushatit, as edhe emërimin e Cakajt.

Mbeten vetëm pak orë deri në skadimin e afatit për dekretimin ose jo të shkarkimit të MP Bushati dhe emërimin e ministrit të ri.

Ajo që të bën përshtypje në këtë përplasje të re, është fakti se edhe dje, shqiptari nga Kosova Gent Cakaj nuk e kaloi vetingun presidencial shqiptar.

Më herët, pasi miratoi pjesën e parë të propozimeve të Ramës, z.Meta kishte deklaruar se priste që të kalonin vetingun të gjithë ministrat e rinj që nuk ishin deputetë. E mes tyre, ishin edhe dy shqiptarët nga Kosova, Besa Shahini për ministre të Arsimit dhe Gent Cakaj, për ministër të Jashtëm.

Z.Meta deklaroi mëse një herë ditët e fundit, se priste informacion nga institucione përgjegjëse në Republikën e Kosovës, lidhur me këto dy emra.

Burime nga Presidenca bënë të ditur se menjëherë pasi Rama dërgoi emrat për dekretim, Presidenca përgatiti dosjet për dy shqiptarët e Kosovës, Shahini e Cakaj dhe i dërgoi në Prishtinë për veting.

Është e qartë se ka diçka që nuk shkon, pasi mbrëmë, një prej dy shtetasve kosovarë që janë njëkohësisht edhe të Shqipërisë prej disa muajsh, u konfirmua si ministër dhe konkretisht, Besa Shahini për Arsimin.

Kurse Cakaj, as dje nuk e kaloi vetingun, pavarësisht faktit se shkresat nga Presidenca në drejtim të institucioneve në Kosovë ishin dërguar në mënyrë të njëkohshme si për Cakajn dhe për Shahinin.

Nuk dihet nëse Meta ka vendosur të mos dekretojë përfundimisht as shkarkimin e Ditmir Bushatit dhe as emërimin e Gent Cakajt si ministër i ri i Jashtëm, por është e qartë se kanë mbetur vetëm disa orë nga skadimi i afatit kushtetues.

Sot, priten zhvillime të reja lidhur me rastin “Cakaj”.

Dekretet e reja

Ministre e Arsimit: Besa Shahini,

Ministre e Kulturës: Elva Margariti

Ministre e Financave dhe Ekonomisë: Anila Denaj

Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë: Belinda Balluku

Pezull:

Shkarkimi i MPJ Ditmir Bushati

Emërimi i MPJ të ri, Gent Cakaj

 

Ironia e Dylgjerit: Të pestin... do ta dekorojë!

Publicisti i njohur, Ylli Dylgjeri, ka ironizuar mbrëmë mbetjen në klasë edhe dje të kandidatit për ministër të ri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Një ndër zërat më të njohur të publicistikës politike, mbështetës i Lëvizjes Socialiste për Integrim, gazetari Ylli Dylgjeri, komenton me ironi dhe doza të forta sarkazme, zhvillimet e fundit politike me epiqendër përplasjen Rama-Meta. “Presidenti, katër ministra i dekretoi, të pestin do ta dekorojë!”, - shkroi ai në fb, pak pasi Meta shpalli dekretet e reja.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: