Ndahet nga jeta ish-ministri i Mbrojtjes Kiço Mustaqi, intervista e fundit në “Albanian Free Press”

Ndahet nga jeta ish-ministri i Mbrojtjes Kiço Mustaqi, intervista e fundit në “Albanian Free Press”
Ish-ministri i Mbrojtjes, Kiço Mustaqi, është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare. Ai u përcoll dje për në banesën e fundit në varrezat e Tufinës në Tiranë.

I ndjeri ishte gjeneral dhe shërbeu si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare. Po ashtu njihet si Ministri i fundit i Mbrojtjes i epokës komuniste në Shqipëri.

Intervistën e fundit, Mustaqi e dha para pak kohësh për gazetën e përditshme “Albanian Free Press”.

Në këtë intervistë që e ripublikojmë të përmbledhur sot, ai tregonte kujtime të asaj periudhe.

 

“Si futej Mehmet Shehu edhe në taktikën më të vogël të çdo arme apo teknike ushtarake”

INTERVISTA/ Flet ish-ministri i Mbrojtjes, Kiço Mustaqi: “Njerëz joprofesionistë thonë në ’66-ën ushtrisë iu ndërrua destinacioni, etj. Por të mos harrohet se gjithë ushtritë e botës atëherë ishin në gatishmëri për luftë. A mund të ironizosh me cinizëm se pse bënim përgatitje ushtuake gjithëpopullore?!”

“Mehmet Shehu e njihte mirë artin ushtarak, futej dhe në taktikën e vogël, të çdo lloj arme e teknike. Ai futej deri atje sa plumba për metër linar duhet të hidhinim në çdo lloj terreni, që mbrojtja jonë të ishte e sigurtë”. Kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, ish-ministri i Mbrojtjes, Kiço Mustaqi. E në kuadrin e kësaj, ai jep edhe detaje mbi stërvitjen “Manza - ‘78”, gjatë së cilës asistoi vetë kryeministri Mehmet Shehu, që u kërkoi llogari deri më një ushtarakëve. “Ata u ruheshin përplasjeve të drejtpërdrejta me Mehmetin, se të merrte erzin, por në ato vite ne ndjeheshim mirë që ministër të Mbrojtjes kishim Kryeministrin, njëkohësisht strateg ushtarak të kalibrit botëror”, thotë ai. Nga ana tjetër, komenton edhe zhvillimet e ushtrisë shqiptare pas vitit ’66 dhe angazhimin mbarëpopullor për t’u mbrojtur, i cili sipas tij në atë periudhë ishte mëse i drejtë. “Njerëz joprofesionistë, pavarësisht kulturës së përgjithshme, thonë se pikat e hapjes e shkërmoqën ushtrinë, se asaj në ’66-tën iu ndërrua destinacioni, etj. Por të mos harrohet se gjithë ushtritë e botës ishin në gatishmëri për luftë. Vetëm një defekt në Çernobil të Ukrainës tregoi se çfarë katastrofë njerëzore ndodhej pas qindra centraleve bërthamore nëpër botë”, pohon ai...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Si i kujtoni ngjarjet e viteve 1980?

Repartet me forcat e gatshme u organizuan në kapacitetin maksimal të kontingjenteve njerëzore, duke mbajtur në rezervë një sasi shumë të vogël. Më kujtohen debatet që bëheshin në vitet ’80-të midis Drejtorisë Operative dhe asaj të Organizim-Mobilizimit, e cila ishte e kompletuar me specialistë të mirë, si S. Xhoxhi, F. Kokona, R. Mihali, A. Xhaxhiu, M. Papathanasi, V. Alia, etj. Ato kishin ajkën e oficerëve të ushtrisë për të plotësuar detyrat e vëna nga Këshilli i Mbrojtjes, i cili kërkonte sa më shumë forca aktive. Kurse ata të Drejtorisë së Organizimit përpëliteshin dhe nuk donin t’i harxhonin të tëra rezervat, se “nuk dihet para çfarë situate mund të ndodhemi më pas”, thoshin. Forcat e gatshme të çdo korpusi (divizioni) ishin nga 1500 në 2500 ushtarë të shërbimit të detyrueshëm. Ato u vendosën sa më afër kufirit tokësor, detar dhe zonave të desantimit masiv nga ajri. Shumë prej tyre kanë patur si arkitekt të vendvendosjes Petrit Dumen dhe gjeneralët e tjerë të asaj kohe. U krijuan batalionet art-mitraliere, kazermat e të cilëve u ndërtuan në rajonin e mbrojtjes së tyre, në vendin më të përshtatshëm nga ku ata me shpejtësi maksimale rrëmbenin armët e municionin dhe zinin pozicionin luftarak. Bile në disa prej tyre, vendosja në kazerma u bë në bazë kompanie. Ato reparte nxirrnin edhe armë roje me shërbim të përhershëm, paçka se para tyre ndodheshin postat kufitare të ministrisë së Punëve të Brendshme dhe që në rast agresioni kalonin në varësi të ushtrisë (ndoshta kishte ndonjë teprim). Në drejtim të Murriqanit, Hanit të Hotit, Qafë Morinës në Tropojë, Qafë Prushit, Morinës së Kukësit, Maqellarës, Qafë Thanës, Tushemishtit, Kapshticës, Kakavijës, Qafë Botës etj., armët roje ishin të përforcuara dhe me topa kundërtank 75 mm.

 

Kur e keni patur debatin me Mehmet Shehun? 

Vitet ’70-të. Ishte kohë e trazuar me dallgë e tallaze. Kurse vitet ’80-të sollën vetminë e madhe, por përgatitja dhe zhvillimi i stërvitjeve bëhej me nivel të mirë. “Manza –‘78” ishte një e tillë e organizuar në Korpusin Bregdetar të Tiranës, ku drejtonte ministri dhe asistoi si kryeministër, Mehmet Shehu. Në atë stërvitje merrte pjesë dhe një pjesë e efektivit të repartit ku unë drejtoja, i dislokuar në rajonin e Vorës. Ishim të dislokuar tek “Druri i Bukur” në Gërdec, i cili do të bëhet i njohur në vitin 2008, asokohe, baza e nisjes e tankodromit. Sa na u dha sinjali, nga udhëheqja e stërvitjes, filluam lëvizjen me shpejtësinë maksimale që lejonte terreni dhe arritëm në vijën e bllokimit të desantit ajror në kohë rekord, ku zumë pozicionet e zjarrit në mënyrë perfekte. Kryeministri, që e ndiqte me shumë vëmendje stërvitjen deri në detaje, e siç dukej, e kishte dëgjuar dhe fiksuar kohën kur neve na u dha urdhri për lëvizje. Pyeti komandantin e Korpusit, se nga ishin nisur tanket dhe komandanti i ishte përgjigjur se neve vinim nga rajoni ku ishim të dislokuar për kohë paqe, në rajonin e Vorës. Ai që kishte parimin “beso dhe kontrollo” dhe ngaqë dolëm si rrufeja, nuk iu besua dhe erdhi më pyeti në pikën e drejtimit të batalionit: “Nga u nisët dhe për sa kohë e bëtë ardhjen?”. Përgjigja ime ishte e njëjtë me atë të komandantit të korpusit. Atëherë Kryeministri m’u kthye: “Dëgjo! Nëse keni ardhur vërtet nga ku po më thoni, u lumtë se erdhët në kohë rekord, por nëse do të më dalë ndryshe, do t’u fus në burg!”. “Si urdhëron, shoku Mehmet”, arrita t’i thosha. Më pas, ai filloi një debat të lënë përgjysmë me komandantin e korpusit. Mehmeti i thoshte se flakëhedhësi i lehtë po të qëllojë tankun e asgjëson ekuipazhin, që është brenda. Unë, i konsultuar dhe me specialistë, i thosha “Jo”. Dukej që kryeministrit i vinte mirë për argumentet që i jepeshin për trashësinë e blindit dhe të dhënat taktiko-teknike të tankeve T-59, por bënte oponencën. Në fund, si me shaka tha: “Mirë, futu ti në tank dhe unë do të të gjuaj me flakëhedhës të lehtë, por kam për të djegur si miu”. “Po, -i tha komandanti, -futem dhe do të dal si kokrra e mollës”. Shehu, i cili e njihte mirë artin ushtarak, futej dhe në taktikën e vogël, bile pak kohë më parë kishte organizuar një stërvitje treguese për stërvitjen e vogël në Kashar dhe kërkonte të dinte me shumë imtësi mbi të dhënat taktiko-teknike të çdo lloj arme e teknike. Ai futej deri atje sa plumba për metër linar duhet të hedhim në çdo lloj terreni që mbrojtja jonë të ishte e sigurtë. Mbi bazën e terrenit dhe armikut të pritshëm, vendoseshin forcat dhe mjetet tona, për ta bërë atë të pakalueshëm nga kushdo që do të kalonte në agresion ndaj Shqipërisë. U ruheshin përplasjeve të drejtpërdrejta me të oficerat, se të merrte erzin, por në ato vite ndjeheshim mirë që ministër të Mbrojtjes kishim Kryeministrin, njëkohësisht strateg ushtarak të kalibrit botëror. Ai për rastin që u debatua vuri detyrë të eksperimentohej dhe t’i raportohej.

 

Si realizoheshin provat në ato vite?

Në ato dekada, çdo vit, me çdo shtab dhe repart bëheshin prova kushtrimi të befasishme. Ato zhvilloheshin nga Shtabi i Përgjithshëm dhe komandat e Korpusve (divizioneve), sipas kompetencave që u jepte vendimi i Këshillit të Mbrojtjes. E fundit me rezultate të shkëlqyera ishte ajo e fundvitit ’89, kur Presidenti i Republikës, në të njëjtën kohë edhe kryetar i Këshillit të Mbrojtjes dhe Komandant i Përgjithshëm dha kushtrim luftarak, në rrethet veri dhe verilindore. U shpall mobilizimi i përgjithshëm për forcat e Divizionit të Shkodrës, Tropojës, Kukësit, Peshkopisë, Bulqizës dhe Librazhdit. Sistemi i lajmërimit i organizuar dhe dubluar në mënyrë perfekte deri te qendrat e banuara dhe ndërmarrjet më të vogla, funksionoi perfekt. Forcat aktive të postave kufitare, të reparteve artmitraliere, artilerisë kundërajrore, artilerisë tokësore, tankeve etj., zunë për 2 deri 30 minuta pozicionet e tyre luftarake. Forcat rezerviste u paraqitën në kohën rekord pranë pikave të hapjes së tyre, u pajisën me armatimin dhe pajimet e tjera luftarake shumë shpejt dhe dikush shkoi në pozicion e dikush në rajonet e pritjes e të përqendrimit. Sa kishte rënë dëbora e parë në bjeshkët e Korabit, Kallabakut, Gjalicës, Çeremit, Vermoshit e gjetkë. Dëbora ishte e paktë, por të thante suferina dhe thëllimi. Megjithatë, ajo ishte e papërfillshme për ata banorë të mrekullueshëm, të kalitur me vështirësi. Normat e miratuara të kompletimit të reparteve të vijës së parë, e kishin për 2-3 orë, brigadat e skalionit të parë për 5-6 orë dhe krejt divizionet për 10-12 orë, kohë rekord kjo ku vetëm izraelitët mund të na e kalonin në këtë organizim. Nga vendkomanda e Shtabit të Përgjithshëm ndiqej me vëmendje kompletimi i reparteve në vazhdimësi. Çdo divizion kishte grup drejtimi, në vendkomandën nëntokësore, e cila ishte në gjendje të përballonte edhe plasjet bërthamore, me zyrë më vete, që mbante lidhje direkte 24 orë në 24 orë në situata të tilla. Atje filluan të raportonin situatat. Në repartin e Kroit Bardhë dhe Turaj të Kukësit kompletimi është 96%, por në postbllok presin shumë për të zëvendësuar ata që ndodhen jashtë rrethit me X ose Y punë. Ata njerëz të përkushtuar u mblodhën dhe u folën e i falënderuan drejtuesit e reparteve edhe në emër të ministrit të Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Kompletimi për herë të fundit në çdo divizion arriti 96% deri 98%. Një përqindje mjaft e mirë. Nëse do të ishin inkuadruar në reparte edhe të paraqiturit vullnetarë, shifra e kalonte 100%. Ky ishte mobilizimi i malësorëve në ato kohë, ky ishte organizimi i sistemit të lajmërimit, kjo ishte ndjenja e përgjegjësisë për mbrojtjen e atdheut. Me një të rënë të bilbilit, u ngritën në kushtrim 6 divizione mesatarisht me 14-15. 000 forca, pra u ngritën 85-90 mijë forca, po t’u shtosh edhe forcat vullnetare, rininë shkollore të armatosur dhe strukturat e tjera, numri gati dyfishohej. Pa i bërë një analizë argumentuese asaj ushtrie, në vitet e ekonomisë së tregut ekziston edhe mendimi ndryshe për atë çka u bë në organizimin e ushtrisë, destinacionin, gatishmërisë dhe përgatitjen e saj në vitet ’66-‘90. Dikush ka ngritur versionin se masat e marra në ushtri në ’66-tën ishin fatale, duke prishur ushtrinë e kazermës. Njerëz joprofesionistë, pavarësisht kulturës së përgjithshme, thonë se pikat e hapjes e shkërmoqën ushtrinë, se asaj në ’66-tën iu ndërrua destinacioni, etj. Por koha dhe historia do të gjykojnë më me vërtetësi e gjakftohtësi, por të mos harrohet se gjithë ushtritë e botës ishin në gatishmëri për luftë. Armatosja dhe gara e armatimeve nuk ishin për lojë futbolli. Ishte fat i madh për njerëzimin që nuk filloi Lufta e Tretë Botërore, që do të ishte shumë fatale, sa sot gjykohet nëse do të mbeteshin gjallesa mbi tokë apo jo! Një defekt në Çernobil të Ukrainës tregoi se çfarë katastrofë njerëzore ndodhej pas qindra centraleve bërthamore nëpër botë. A mund të ironizosh me cinizëm se pse bënim përgatitje ushtuake gjithëpopullore?!