Ngujim në universitete, studentët mes të ftohtit dhe urisë

Ngujim në universitete, studentët mes të ftohtit dhe urisë
Protestuesit e kanë kaluar natën në korridore, pa ngrohje dhe me vështirësi edhe për marrjen e ushqimeve nga jashtë, pasi policët privatë iu mbyllën të gjitha dyert. Studentët do të vazhdojnë bojkotin ndaj mësimit, po ashtu edhe ngujimin brenda fakulteteve. Ndërkohë që kryeministri Rama ka deklaruar se nga sot pranë sekretarive të universiteteve do të jenë përfaqësues të ministrive të cilët do të asistojnë studentët që duan shpjegime apo duan të adresojnë probleme specifike, lidhur me zbatimin e VKM mbi tarifat e bursat brenda janarit

 

Studentët kanë vijuar të qëndrojnë të ngujuar në fakultete edhe këtë të diel. Një grup studentësh nga radhët Ekonomikut dhe Inxhinierisë kanë sfiduar temperaturat e ulëta dhe kanë kaluar natën në ambientet e fakulteteve. Ata vijojnë të kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave ndërsa kanë bërë të ditur se bojkoti do të vazhdojë.

Protesta te Ekonomiku

Prej 4 ditësh, studentët e fakulteteve kryesore në Tiranë vijojnë ngujimin në shenjë proteste për plotësimin e kërkesave të tyre. Një pjesë e studenteve kanë mbetur të bllokuar për më shumë se 48 orë në fakultete, pasi dyert kanë qenë të mbyllura. Mbrëmjen e djeshme rreth orës 18.00 në fakultetin e Ekonomikut mbi 200 studentë u janë bashkuar studentëve të tjerë të cilët vijonin ngujimin në ambientet e brendshme të këtij institucioni.  Ndonëse dera kryesore e fakultetit ishte e mbyllur me dryn, punonjësit e sigurisë dhe policia e shtetit e gjendur para një numri të madh studentësh kanë vendosur të hapin portën dhe të lejojnë studentët të futen brenda.

Ndërsa, te fakulteti i Arkitekturës studentët nuk janë lejuar as të qëndrojnë në auditore. Ata e kanë kaluar natën në korridore, pa ngrohje dhe me vështirësi edhe për marrjen e ushqimeve nga jashtë, pasi policët privatë iu mbyllën të gjitha dyert. Studentët do të vazhdojnë bojkotin ndaj mësimit, po ashtu edhe ngujimin brenda fakulteteve. Ky është vendimi që kanë marrë tanimë studentët, të cilët shprehen të vendosur për plotësimin e kërkesave të tyre, me vijimin e protestës brenda fakulteteve. “Shumica është deklaruar qartë për bojkotin. Nuk do të hapet asnjë derë gjatë kësaj jave" pohojnë studentët.

Ndërkohë edhe studentët e Mjekësisë kanë deklaruar se do të fillojnë ngujimin brenda ambienteve të fakultetit.

Protesta te Arkitektura

Por, që prej të enjtes së 10 janarit, studentët vendosën formën e tyre të protestës duke kaluar edhe natën në fakultete. Për shumë prej tyre, kjo ka qenë një sfidë e vështirë. "Ushqimet i kanë sjellë shokët tanë, i kemi futur si nga kangjellat, si nga dritaret që të mos kuptohej sepse nuk lejohej asnjë person tjetër të hynte. Shpesh herë janë përdorur dritaret e tualeteve për të futur ushqimin" pohojnë studentët. Situata është paraqitur edhe më e vështirë te fakulteti i Arkitekturës.

"Pa ngrohje, fakulteti ka kaldaja, çdo klasë ka kondicioner dhe nuk na lënë të futemi nëpër klasa. Në korridor, pa ushqim, me disa rezistenca të vogla kemi qëndruar gjithë natën. Temperaturat kanë arritur në -1 gradë celsius brenda në Fakultet" pohojnë studentët. Studentët e Arkitekturës, pasi dolën jashtë portës së fakultetit mëngjesin e të dielës për të marrë ushqim, nuk janë lejuar më të futen brenda. Kjo sipas një urdhri jo të shkruar, që iu është komunikuar nga policët privatë. Por më vonë sipas disa dokumenteve të publikuar të ditën e djeshme, kanë qenë administratorët e fakulteteve të Inxhinierisë dhe Arkitekturës ata që u kanë kërkuar policëve privatë që të mos lejojnë hyrje-daljet në Universitete". Megjithatë, në kohën kur një prej makinave të punës të OSHEE duhej të dilte jashtë ambienteve të këtij fakulteti, studentët gjetën mundësinë për t’u futur brenda.

Reagimi i Ramës

Ndërkohë kryeministri Edi Rama në një reagim në Tëitter për protestën, theksoi se nga e hëna në Sekretariatet e Universiteteve do të vendosen dy përfaqësues të Ministrisë së Financave e të Arsimit. Këta përfaqësues, sipas Ramës, do të asistojnë studentët që duan shpjegime apo duan të adresojnë probleme specifike, lidhur me zbatimin e VKM mbi tarifat e bursat brenda janarit. “Nga nesër në sekretariatet e universiteteve do të vendosen dy përfaqësues të ministrive të financave e të arsimit, për të asistuar studentët që duan shpjegime apo duan të adresojnë probleme specifike, lidhur me zbatimin e VKM mbi tarifat e bursat brenda janarit” shkruan Rama.

Por kjo deklaratë e Ramës është kundërshtuar nga studentët, të cilët nuk kanë pranuar përfaqësuesit e ministrive pranë sekretariateve,duke deklaruar se ata duhen “shporrur” nga aty, si dhe duke vijuar protestën deri në plotësimin e të gjitha pikave.

 

Box

Lleshaj: Protesta ka mbaruar, një grup i vogël po bllokon universitetin

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi se Policia e Shtetit do të bëjë maksimumin për të zgjidhur ngjarjen e Durrësit.  Pas ceremonisë së 106 vjetorit të Policisë së Shtetit, Lleshaj u shpreh para mediave se është i indinjuar me këtë ngjarje, të cilën e cilësoi si një akt të shëmtuar. “Shpreh indinjatën e thellë për këtë turp, por policia do të bëjë maksimumin e mundshëm për zgjidhjen e këtij akti të shëmtuar”

Por teksa u pyet edhe mbi faktin se studentët po pretendojnë se po dhunohen nga policia, Lleshaj tha se tani nuk bëhet më fjalë për studentë por për një grup të vogël I cili po bllokon universitetin. “Policia s’bën vepër penale por punon për sigurinë e vendit. Studentët kanë protestuar me të gjitha mënyrat që donin, tani s’flasim për studentët por një grup të vogël që po bllokojnë universitetin”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: