REAGIMET/ Lavde politike Metës për Cakën, Rama: A jeni njerëz apo çfarë!

REAGIMET/ Lavde politike Metës për Cakën, Rama: A jeni njerëz apo çfarë!
Kryeministri shigjeton politikanët në Shqipëri dhe Kosovë që përgëzuan Presidentin për MPJ

Kryeministri Edi Rama, ka ndjekur reagimet e djeshme nga politikanë të Kosovës dhe Shqipërisë, lidhur me vendimin e Presidentit Ilir Meta që të mos dekretojë Gent Cakaj për ministër të Jashtëm.

Z.Rama reagoi pas publikimit të një komenti të Eddita Tahiri, e cila përgëzoi vendimin e Presidentit Meta.

“Ah edhe Edita Tahiri, bashkuar me ca qyqarë që salutojnë vendimin e vizionarit Ilir Meta”, - thotë z.Rama në komentin e tij të pak çasteve më parë, duke përdorur ironi dhe përçmim.

Tahiri: Rama e dominoi djallëzisht Cakajn për MPJ

Reagimi i Ramës erdhi pak minuta pasi ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, e njohur si negociatore në procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, e konsideroi pozitiv vendimin e Presidentit për të mos dekretuar Gent Cakaj si MPJ të Shqipërisë.

“E përshëndes vendimin kombëtar dhe vizionar të Presidentit të Shqipërisë në mbrojtje të kufijve të Kosovës”, - tha Tahiri. “Ilir Meta nuk dekretoi një kandidat për ministër të Jashtëm që ishte pro prekjes së kufijve, të nominuar qëllimshëm dhe me djallëzi nga Rama”, - vijoi qëndrimi nga ish Zëvendës Kryeministre për politikën e jashtme dhe sigurinë nacionale, dhe Ministre e Administratës Publike e më herët, Ministre e punëve të jashtme.

Reagimi i Ramës ishte goxha i ashpër: “Ah çfarë llumi mllefi dhe terri që "vizionarët" e kësaj kategorie e jashtëqesin si lumë dashurie për kombin”. Më tej, z.Rama e kishte dhe një mesazh për Tahirin, duke marrë në mbrojte Cakajn: “Edita, Gent Cakaj i meriton sulmet tuaja, po aq sa këta "vizionarë" meritojnë të quhen njerëz, po ti?”, - u mbyll reagimi i Ramës që nuk i konsideroi njerëz ata që përgëzuan vendimin e Metës.

ISH-MINISTRI I DREJTËSISË

Manjani kritikon Ramën, për sulmin ndaj Presidentit

Ish-Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani reagoi dje për atë që e cilësoi sjellje agresive të kryeministrit Rama ndaj presidentit Meta. Reagimi i Manjanit erdhi pasi Rama sulmoi më herët dje Presidentin, pasi nuk i dekretoi kandidatin e zgjedhur për ministër të Jashtëm, Gent Cakaj.

“Ti po i kërkon ndjesë Kosovës”, – ironizon Manjani, duke cituar mesazhin e Ramës. – Po për çfarë?! Që është në anën e Vuçiçit në dialogun e kufijve?! Apo, që u ka shtrenjtuar kosovarëve daljen në det?! Por jo, qenka për mosdekretimin e Gent Cakajt”, - thotë Manjani duke shtuar: “Pretendimi për shkeljen e Kushtetutës është më qesharaku”.

Për Manjanin, është e papranueshme që të përdorësh një standard të tillë. Nga njëra anë, të kritikosh Presidentin se ka dëmtuar Kosovën dhe nga ana tjetër, të mbështetësh ndryshim kufijsh dhe të vendosësh taksa për kosovarët që hyjnë dhe dalin në Shqipëri.

Deputeti Selimi: Rama gjeti njerëz të paaftë dhe nga shqiptarët që bënë spiunin për UDB

Reagime dhe nga Kuvendi i Kosovës: Rama gjeti njeri të paaftë për MPJ dhe mbesën e spiunit për ministre Arsimi

Reagime për refuzimin e presidentit shqiptar të Gent Cakaj për MPJ të Shqipërisë, erdhën dje dhe nga Parlamenti i Kosovës. Deputeti Rexhep Selimi, njëkohësisht anëtar në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, aktualisht Ushtria e Kosovës, tha se vendimi i Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta për të mos e dekretuar MPJ e ri, ishte i drejtë.

“Unë e përgëzoj Presidentin shqiptar Ilir Meta për mos dekretimin e kandidatit për Ministër të Punëve të Jashtme te Republikës së Shqipërisë”, - thotë Selimi.

Sipas tij, Gent Cakaj nuk do të ishte asgjë më shumë se një i dërguar i analistit dhe këshilltarit të Edi Ramës, Baton Haxhiu. Selimi shkon edhe më tej: “Presidenti duhet ta refuzonte jo vetëm Cakajn por edhe Besa Shahinin si Ministre te Arsimit. Jo sepse ata janë nga Kosova, përkundrazi, por për arsyen se Kosova ka figura të shquara me dinjitet qe do ta vazhdonin traditën e ministrave nga Kosova në Qeverinë shqiptare që nga Hasan Prishtina e këtej”.

Selimi vlerëson se është e papranueshme që për ministre të Arsimit të emërohet mbesa e një spiuni të shërbimit sekret serb: “A nuk gjeti Rama person me te mire se sa mbesën e spiunit te UDB-se Ibush Kllokoqit per Ministre te Arsimit? “, - thotë z.Selii.

Kurse sugjeron: “Po t’i duheshin ministra nga Kosova, Kryeministri Rama ka pasur ku te kërkojë. Ka Kosova patriote e intelektuale te shquar e te respektuar”.

ISH/ZV.KRYEMINISTRI

Tritan Shehu: Refuzimi i MPJ, Rama duhet të japë dorëheqjen

“Argumentet e Presidentit përjashtojnë mundësinë që të ridërgohet emri i Cakaj”

Prof. Dr. Tritan Shehu, ish zëvendëskryeministër për disa vite në Shqipëri, thotë se “argumentet që sjell Presidenti Ilir Meta e detyrojnë kryeministrin Edi Rama që të mos e ridërgojë emrin e Cakajt për ministër të Jashtëm”.

Ish ministër i Jashtëm dhe aktualisht deputet i Partisë Demokratike, z.Shehu shton se “të gjitha ato që trajton kryetari i shtetit mbyllin çdo shteg dhe përjashtojnë çdo mundësi që kryeministri ta rikërkojë Cakajn për MPJ”.

Tritan Shehu, funksionar i lartë në PD, thotë se tani për Edi Ramën ka vetëm një zgjidhje.

“Kryeministri tani kur rrëzohet kandidatura e tij, ka vetëm një zgjedhje, të japë dorëheqjen. Ka rënë qeveria, ka rënë kryeministri, ka rënë çështje të mëdha që lidhen me mbrojtjen e interesave të vendit, pra kanë rënë kolonat që mbahet vendi në një sistem demokratik. Në këto kushte nuk ka asnjë alternativë tjetër por vetëm të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugë ndryshimeve të mëdha politike në vend. Të japë dorëheqjen për ti hapur rrugë proceseve të mëdha që ka Shqipëria, ndryshimeve në sistemin zgjedhor dhe hapjes së rrugës për integrimin e vendit”, - tha dr.Shehu.

 

Ish-kreu i KQZ, Gjata: “Cakaj”, nuk është lojë politike

Konstitucionalisti Çlirim Gjata flet për refuzimin nga Presidenti të shqiptarit nga Kosova

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Çlirim Gjata, komentoi vendimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, për të refuzuar kandidatin e kryeministrit Edi Rama, për postin e Ministrit të Jashtëm. Gjata tha se refuzimi i emërimit të Gent Cakajt si ministër i Jashtëm dëshmon se nuk bëhet fjalë për një lojë politike, pasi është ndërmarrë me të drejtë kushtetuese dhe ligjore.

“Gent Cakaj mund të jetë njeri i ndershëm por duhet ndjekur rruga shtetërore dhe këtë gjë bëri edhe presidenti Ilir Meta”, - thotë z.Gjata.

Për konstitucionalistin Gjata është e papranueshme që certifikata e sigurisë të merret në kohë rekord, brenda një dite.

“Figurat shtetërore duhet të pajisen domosdoshmërisht me certifikatë sigurie sepse shtetet kanë marrëdhëniet e veta, në kuptimin që mund të marrin vesh ose kanë të drejtë të dinë sekrete të ndryshme, por ama të mos dalin jashtë zyrave përkatëse. Pra nuk bëhet fjalë për një certifikatë civile, por certifikatë sigurie”, - thotë z.Gjata.

Nga ana tjetër, Gjata vlerëson dhe sfidat që ka Shqipëria dhe a mund të përballoheshin këto nga kandidati i Ramës.

Gjata kritikon faktin që Cakaj ka dalë hapur për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë e madje ka folur edhe për ndryshime kufijsh në Ballkanin Perëndimor.

“Ne presim që në qershor të hapim negociatat me Bashkimin Evropian. Është një moment mjaft delikat. Ai deklaroi se duhet parë rishikimi i kufirit territorial Kosovë-Serbisë, është një deklaratë mjaft e rrezikshme. Ndonëse propozimi i tij bie poshtë, deklarata mbetet. Nëse duhet të hyjmë në Europë, duhet të jemi seriozë”.

Gjata ka një koment dhe për Presidentin: “Më në fund po shohim një president që po sillet me autoritet”, shton ai.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: