Rikthehen studentët: Kërkuam 8 kërkesa dhe jo 8 ministra

Rikthehen studentët: Kërkuam 8 kërkesa dhe jo 8 ministra
Pjesa më e madhe e studentëve janë grumbulluar para institucionit të qeverisë duke kërkuar edhe anulimin e ligjit të Arsimit të Lartë si dhe ventting për pedagogët. Ndërkohë që një pjesë e studentëve tek Fakulteti i Mjekësisë, Gjeologjia apo Shkencat e Natyrës kanë zhvilluar pjesërisht mësim

Ashtu siç ishte paralajmëruar disa ditë më parë, studentët kanë braktisur auditorët për të rinisur sërish protestën.  Studentët rinisën protestën aty ku e lanë, duke i adresuar qeverisë kërkesat e tyre kryesisht ekonomike. Të mbledhur para kryeministrisë ata bënë thirrje për anulimin e ligjit për arsimin e lartë, duke pohuar se ata kishin 8 kërkesa për qeverinë dhe jo ndryshimin e 8 ministrave. Ndërsa vijojnë të mos tërhiqen nga kërkesa e tyre për anulimin e ligjit të Arsimit të Lartë, ata kanë kërkuar ndër të tjera edhe vetting për pedagogët.

Protesta

Ashtu siç ishte paralajmëruar para festave studentët u mblodhën fillimisht para fakulteteve dhe me pas dolën në protestë para Kryeministrisë duke mos pranuar zgjidhjen e dhënë nga ana e kryeministrit Rama. “Protesta duhet të vazhdojë, pasi u miratua vetëm ulja e tarifës së bachelor-it, por jo kërkesat e tjera që në kemi paraqitur. Ne i kërkuam kryeministrit plotësimin e 8 kërkesave ekonomike, kurse ai bëri ndryshimin e 8 ministrave” pohoi një prej studentëve. Edhe studentë të tjerë kanë pohuar se arsyeja kryesore që dalin në protestë është ulja e tarifave të mastarit, pasi ajo është më e shtrenjtë dhe pa atë cikël dy vjeçar nuk mund të sigurosh një vend pune.

Ata nuk e kanë pranuar zgjidhjen e dhënë prej kryeministrit, pasi sipas të rinjve kërkesat e tyre duhet të miratohen në Parlament dhe jo me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në protestën e djeshme ata kanë ftuar të gjithë qytetarët që duan të protestojnë për të drejtat e tyre për t’iu bashkuar protestës së tyre.

Mësim dhe bojkot

Teksa një pjesë e studentëve braktisën auditorët për të protestuar para kryeministrisë, të tjerë refuzuan të bojkotojnë mësimin. Në Universitetin e Mjekësisë mësimi këtë të hënë u zhvillua normalisht për vitet e para, madje filloi  të zbatohet edhe vendimi i qeverisë për uljen e tarifave të studentëve. Kursë në Fakultetin e Gjeologji Minierave dhe të vetmit që kanë zhvilluar procesin mësimor të rregullt janë studentët e masterit shkencor. “Po sigurisht, masterat kishin mësim dhe e zhvilluan, nuk e di për studentët e tjerë, por ne që ishim master shkencor ishim të rregullt, nga 10 që jemi ne në grup, 8 ishin në total në mësim, pjesa më e madhe ishte”, tha një studente.

Ndonëse të paktë në numër edhe studentët e shkencave të natyrës kanë zgjedhur të zhvillojnë orë mësimi në auditorët e fakulteteve, kryesisht ata janë të viteve të para.  “Zhvilluam mësim rregullisht, 4 orë seminar siç kemi orarin. Kanë qene të gjithë në seminar, po”, tha një studente.

“Jam dega matematik, master shkencor AML, disa studentë kanë ardhur, kanë marrë urdhër nga familja dhe nuk duan ta bojkotojnë mësimin, por në përgjithësi nëse shihen numri i studentëve që janë në mësim me ata që kanë bojkotuar mësimin, shifrat flasin vetë, janë shumë pak”, tha një student.

Protesta e studentëve rinisi këtë të hënë, pas pushimeve të fundvitit, e zgjati rreth 4 orë.

Ndonëse qeveria miratoi më datë 30 dhjetor "Paktin për Universitetin", duke plotësuar kështu një pjesë të mirë të kërkesave të studentëve, këta të fundit insistojnë që kërkesat nuk janë plotësuar. Studentët kërkuan shfuqizimin e Ligjit të Arsimit të Lartë dhe parashtruan edhe pikën e nëntë që nuk ka qenë më parë në kërkesat e parashtruara.

 

Rama: Mbyllja me dhunë e dyerve të fakulteteve, fytyra e pengmarrësve të protestës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas disa pamjeve të publikuara në rrjetet sociale teksa dallohen studentët duke gozhduar dyert e disa fakulteteve në Tiranë. Sipas tij, universitetet dhe studentët tashëm janë marrë peng nga politika, duke shkuar drejt akteve të tilla, ndërkohë thekson Ramam që qeveria ka nisur zgjidhjen e kërkesave të  studentëve. “Mbyllja me dhunë e dyerve të disa fakulteteve është fytyra kuptimplotë e pengmarrësve të një proteste shembullore, e cila tanimë ka hyrë në fazën e realizimit të kërkesave bazë dhe zhvillimit të një Dialogu të brendshëm për objektivat specifikë të çdo fushe studimesh #MeStudentët”, shkruan Rama.

 

I vendosën zinxhirët Politeknikut, shoqërohen në komisariat dy studentë

Policia ka shoqëruar gjatë pasdites së djeshme dy të rinjtë të cilët vendosën drynin në universitetin Politeknik. Dy studentët, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë nr.1, Tiranë ndërsa lajmi është bërë i ditur nga Forumet Studentore.  Të shoqëruarit janë Vilson Kulemani dhe Gëzim Almeta.

Organizimi i protestës gjatë ditës së djeshme nisi në çdo fakultet nga ora 09:00 deri në 10:00, kur iu vendosën zinxhirët krahas Universitetit të Politeknikut edhe atij Juridik. Më pas, studentët marshuan në këmbë në drejtim të Kryeministrisë, ku u hodhën edhe flakadanë.

 

Bojkotohet mësimi në Elbasan dhe Korçë

Studentët e universiteti te Elbasanit dhe Korçës e nisen ditën e hënë me bojkotin e mësimit. Te rinjtë u mblodhën para Universitetit të Korçës, ndërsa disa të tjerë në shenjë proteste refuzuan të uleshin në auditorë. Për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të ulëta një pjesë e të rinjve u tërhoqën duke u kthyer në banesat e tyre. Studentët thanë se nuk do ti ndalin protestat deri sa kërkesat të plotësohen.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: