“Si degradoi ushtria pas ’91-it, deri në tregti dhe kontrabandë të armëve”

“Si degradoi ushtria pas ’91-it, deri  në tregti dhe kontrabandë të armëve”
(Vijon nga numri i kaluar)

 

INTERVISTA/ Flet ish-oficeri madhor, Gani Elezi: “Reforma në ushtri tonë u realizua jashtë kërkesave. Ajo ishte plotësisht mbi baza politike, partiake dhe në interes të marrjes e të konsolidimit të pushtetit të një grupi apo partie të caktuar”

 

“Si degradoi ushtria pas ’91-it, deri

në tregti dhe kontrabandë të armëve”

Një degradim të plotë, e konsideron në rrëfimin e tij të posaçëm për “Albanian Free Press”, ish-oficeri madhor Gani Elezi, atë që ndodhi me ushtrinë shqiptare, pas të ashtuquajturës “reforma e vitit 1991”. “Së pari, megjithëse ende ekzistonin organikat e ushtrisë, njësitë dhe repartet e saj, i gjithë armatimi dhe teknika luftarake që hiqej nga përdorimi nuk zëvendësohej me teknikën e re, të presupozuar perëndimore, duke zvogëluar gjithnjë e më shumë kapacitetet e zjarrit për ushtrinë tonë”, pohon ai. Duke shtuar së dyti, se “një veprim i tillë i hapi rrugën trafikut, kontrabandës me armatimin dhe teknikën luftarake, gjë që u bë një nga shkaqet kryesore që ushtria jonë të merrte rrugën e shkatërrimit”. “Nuk mendohej më se me çfarë armatimi dhe teknike do të pajisej ushtria, por çfarë armatimi dhe teknike do të nxjerrim jashtë funksionit për ta shitur në tregjet  e kontrabandës së armëve...”, pohon Gani Elezi...

 

 

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Zholi

 

 

 

 

Ç’mund të na thoni për reformën në ushtri të ndërmarrë pas vitit 1991? Çfarë i solli ajo në të vërtetë asaj?

Reforma e ndërmarrë në ushtri pas vitit 1991, veçanërisht keqpërdorimi i saj për qëllime politike dhe përfitimi prej saj është momenti i dytë që ka ndikuar më së shumti në procesin e shkatërrimit të ushtrisë, në të gjitha drejtimet. Përkundër deklarimeve  se reforma do ta forconte dhe do ta modernizonte ushtrinë tonë, rezultoi në fakt që ajo e nxiti më tej procesin e dëmtimit dhe të shkatërrimit të saj. Ishte e domosdoshme që reforma, e cila u aplikua në ushtri, të bazohej në kritere shkencore, pra, të realizohej mbi bazën e një programi që do garantonte në të njëjtën kohë ndryshimet e domosdoshme në fushën e organizimit, të përgatitjes dhe të pajisjes së ushtrisë, por edhe mbajtjen në gjendje gatishmërie luftarake të të gjithë elementeve të mbrojtjes e mbi të gjitha, të Forcave të Armatosura. Si rregull, një procedurë e tillë duhej të kalonte në tre faza kryesore: në ripërcaktimin e parimeve kryesore të politikës së shtetit shqiptar në fushën e mbrojtjes dhe të objektivave kryesore të kësaj politike; në përcaktimin e  kapaciteteve të domosdoshme njerëzore, materiale e teknike për përmbushjen e këtyre objektivave dhe në kryerjen e riorganizimit të strukturës së forcave të armatosura, në bazë të kapaciteteve njerëzore e materiale të domosdoshme në situatën e re politike dhe ushtarake. Pastaj, në bazë të këtyre ndryshimeve përcaktoheshin e perfeksionoheshin edhe masat e përgatitjes, të komandimit dhe të drejtimit të ushtrisë, gjë që do të kërkonte domosdo edhe ripunimin e artit ushtarak, apo të doktrinës së mbrojtjes, siç u bë zakon të artikulohej pas vitit 1991. Një skemë e tillë mund të realizohej, në të njëjtën kohë, duke ruajtur nivelin e aftësive ushtarake të ushtrisë e gjendjen e gatishmërisë luftarake të njësive dhe të reparteve të saj. Vetëm kështu, reforma ushtarake do ta ruante të pacenuar dhe do ta ngrinte më lart efektivitetin e sistemit tonë të përgatitjes dhe të gatishmërise luftarake. Kështu vepron çdo shtet e çdo shtatmadhori e përgjegjshme për fatet e vendit të tyre.

Por përkundër kësaj metode, reforma në ushtrinë tonë u realizua jashtë këtyre kërkesave, larg së qeni shkencore. Ajo u përvijua dhe u realizua plotësisht mbi baza politike, partiake, në interes të marrjes dhe të konsolidimit të pushtetit politik dhe ekonomik të një grupi, apo të një partie politike.

 

Po thoni që ajo u keqpërdor?

Po. Reforma që u krye në ushtri u keqpërdor në dy plane.

E para, në planin politik ajo u përdor për të kompromentuar dhe për të diskredituar, politikën ushtarake të PPSH-së, konceptet mbi të cilat organizohej mbrojtja e vendit tonë, si dhe për të larguar nga radhët e ushtrisë kuadrot, që në atë kohë u etiketuan si të nomeklaturës së lartë, të “nomenklaturës së kuqe”, të cilët, për forcat që erdhën në pushtet, ishin të padëshirueshëm, si edhe për të denigruar vlerat, përvojën dhe historinë e ushtrisë sonë. Në të gjitha masat që reklamoheshin në kuadër të reformës ushtarake ishte e dukshme përpjekja për të diskredituar politikën që kishte ndjekur shteti shqiptar në fushën e mbrojtjes, parimet, normat dhe konceptet mbi të cilët mbështetej arti ynë ushtarak për të organizuar dhe përgatitur ushtrinë dhe popullin për këtë qëllim. Në këtë kohë dhe në kuadrin e kësaj reforme, u formuluan përfundime që e përmbysnin plotësisht mendimin dhe vlerësimin që kishte populli për problemin e ushtrisë dhe të mbrojtjes. U formulua dhe u propagandua përfundimi se Shqipëria nuk ka qenë ndonjëherë e rrezikuar nga agresorë të jashtëm. Kështu që e gjithë puna e bërë në këtë drejtim ka qenë një shfaqje e megalomanisë së udhëheqjes së lartë të shtetit dhe të PPSH për të ruajtur sa më gjatë pushtetin e tyre. U formulua, dhe u propagandua gjithashtu përfundimi se, edhe nëse do të kishte ndonjë agresion ushtarak ndaj vendit tonë, ne nuk do të ishim në gjendje të mbroheshim me forcat tona. Kjo gjë, sipas përpiluesve të politikës së re të mbrojtjes, mund të bëhej vetëm në kuadër të aleancave ushtarake ndërkombëtare, të aleateve të fuqishëm rajonal apo global. Në analiza e diskurse të çështjeve ushtarake flitej vetëm për integrimin e forcave tona të armatosura në struktura ushtarake ndërkombëtare, në NATO dhe në organizma të tjera rajonale, deklarohej pjesëmarrja “e suksesshme” e reparteve të ushtrisë sonë në operacione paqeruajtëse në vende të ndryshme, duke evidentuar konceptin që tani e tutje, mbrojtja e vendit do të realizohej në kuadër të bashkëpunimit e të bashkëveprimit me faktorë të jashtëm ushtarakë. Vetvetiu, kjo politikë të çonte në konkluzionin që të gjitha shpenzimet e bëra për këtë qëllim, deri në fillim të viteve ‘90-të, kanë qenë të panevojshme dhe në dëm të gjendjes ekonomike të popullit tonë. Në këtë mënyrë, kërkesa “mbrojtja e atdheut është detyrë mbi të gjithë detyrat” konsiderohej vetëm  si parullë  propagandistike e PPSH.

 

Si nisi të zbatohej kjo reformë në praktikë? Cilat hapa u ndërmorën konkretisht në kuadrin e saj?

Kryesisht, u synua të largohej nga ushtria ai kontingjent kuadrosh, që përbënte bërthamën më të aftë, potencialin e vërtetë drejtues të ushtrisë. Kështu, me një vendim qeverie, u larguan nga ushtria dhe nga struktura të tjera të mbrojtjes, nga policia, nga organet e sigurimit të shtetit, të gjithë kuadrot mbi 49 vjeç, në grupin e të cilëve bënin pjesë gati të gjithë drejtuesit e aparatit të MM, të komandave dhe të shtabeve të njësive kryesore, të divizioneve dhe brigadave, të të gjithë llojeve të armëve dhe shërbimeve dhe të sektorëve të tjerë të ushtrisë. Një masë e tillë e la ushtrinë shqiptare pa përvojën dhe aftësitë drejtuese të kuadrove dhe të specialistëve më të zot të saj, të cilët përbënin potencialin më të madh, që mund të garantonte realizimin me sukses të ristrukturimit dhe forcimit të mëtejshëm të saj edhe në kushtet e transformimeve të mëdha politike. Gjithashtu, për të larguar kuadrot që sipas udhëheqjes së lartë politike dhe ushtarake, nuk ishin të besueshëm, u shpik VKM nr.225, dt.29.05.1992, sipas të cilit mund të largoheshin dhe u larguan nga radhët e ushtrisë një masë e madhe e kuadrove të ushtrisë, pavarësisht se ende nuk ishin në moshën 49 apo 50 vjeç, të cilët ishin larguar më parë me një ligj të veçantë. Një veprim i tillë, më pas, u pagua me një kosto mjaft të lartë dhe të dhimbshme nga ushtria jonë.

Po në planin ushtarak, si u konceptua reforma në ushtri?

Në planin ushtarak, reforma në ushtri qe një katrahurë, qe një periudhë agonie për ushtrinë shqiptare. Ajo në fakt, degradoi në një proces që më shumë se në interes të forcimit të aftësive mbrojtëse të vendit, përdorej në interes të forcimit të kapitalit politik të forcave që e kishin pushtetin apo që e synonin atë.

Kështu, nuk u ndërmor asnjë masë serioze për të bërë korrigjimet e nevojshme në këto fusha, për të hartuar politika të reja mbrojtjeje, që do të aplikonte vendi ynë në kushtet e reja politike dhe ushtarake. Gjithçka që thuhej ishte vetëm propagande për efekte politike dhe elektorale. Asnjë efekt pozitiv, asnjë ndryshim cilësor, nuk sillte një qasje e tillë  në fushën e mbrojtjes. Efektet e vetme që vinin prej saj ishin goditja e arritjeve të deriatëhershme dhe krijimi i një situate konfuzioni të plotë në trupën e kuadrove, të të gjithë niveleve. Për t`i dhënë rëndësi kësaj pune, herë propagandohej se po mbështeteshim në përvojën e ushtrive perëndimore, të NATO-s, herë në përvojën e një ushtrie të veçantë, si të asaj amerikane, gjermane, turke, italiane, etj dhe herë-herë se do të  mbështeteshim në përvojën tonë kombëtare. Kjo sorollatje nëpër skedat e “teorisë e të mendimit ushtarak bashkëkohor, perëndimor” zgjati jo pak, por gati një 5-vjeçar, deri sa në  maj të vitit 1995 u miratua dokumenti “Politika e sigurimit dhe politika e mbrojtjes të RSH”, dokument që për mendimin tim, nuk solli ndonjë përmirësim të veçantë në këtë drejtim. Për rrjedhojë, kjo kohë e humbur solli pasoja mjaft të rënda për fatet e mëtejshme të ushtrisë sonë. Mungesa e një politike të qartë në fushën e mbrojtjes, mospërcaktimi i parimeve të përgjithshme dhe e normave konkrete, mbi të cilat do të mbështetej mbrojtja jonë dhe më konkretisht, organizimi dhe përgatitja e ushtrisë, krijoi kushte të favorshme që në ushtri proceset të zhvilloheshin jo në drejtimin e duhur, por në drejtim të kundërt, drejt dobësimit dhe shkatërrimit të saj.

Kësaj praktike kaotike iu nënshtrua në radhë të parë, procesi i riorganizimit të strukturave të ushtrisë, që ishte masa më e rëndësishme në kuadrin e reformës ushtarake. Në fillim u fol se struktura e divizionit do të suprimohej dhe do të kalohej në strukturën e korpusit. Herë tjetër flitej për struktura më “të lehta”, me brigada apo me regjimente dhe formacione tjera më të vogla ushtarake, në bazë të drejtimeve kryesore të mbrojtjes sonë. Në fakt,u veprua ndryshe. U suprimuan shumë divizone. Nga 22 të tillë, në mesin  e viteve ‘90-të mbeten vetëm 5, në Shkodër, Kukës, Tiranë, Korçë dhe në Gjirokastër. Divizionet e tjera u organizuan në nivelin e brigadave të këmbësorisë. Duke qenë konkretisht në pozitat e mohimit të vlerave të strukturave të mëparshme dhe të moskrijimit të strukturave të reja, në fakt u krijua një boshllëk strukturor, çka do të thotë që edhe në “letër”, Shqipëria nuk kishte e nuk mund ta mobilizonte ushtrinë e saj. Po t`i shtosh këtij fakti edhe emigrimin masiv të kontigjenteve rezervistë jashtë vendit, ky rrezik, pra pamundësia për ta mobilizuar ushtrinë tonë, bëhej më e dukshme. E vetmja punë me vlerë që bëri MM-ja gjatë këtyre viteve është organizimi dhe përgatitja e disa reparteve speciale, siç është Brigada Komando, në Zall-Herr, batalioni i forcave speciale në Farkë, disa reparte speciale të policisë së shtetit etj, dhe pjesëmarrja e tyre, në nivel nënreparti, në operacionet paqeruajtëse në kuadër të forcave ndërkombëtare, që është një arritje me të vërtetë e niveleve të larta. Por, as se si, këto kontingjente nuk mundet të zëvendësonin, apo të kompensonin mungesën e organizimit, të përgatitjes dhe të mobilizimit të strukturave masive të ushtrisë, të cilat edhe pse ishin në letër, nuk mund të organizoheshin e të përdoreshin në rast nevoje. Kjo gjendje e paqartë për strukturën organizative të ushtrisë bllokoi, në praktikë, çdo masë që duhej marrë në interes të forcimit të aftësive mbrojtëse të vendit.

 

Po në lidhje me armatimin dhe materialet e tjera të ushtrisë si u veprua? Çfarë ndodhi me administrimin e tyre pas viteve ’90?

Një rrugë e tillë u ndoq edhe përsa i përket administrimit të armatimit, teknikës luftarake dhe të materialeve të tjera të ushtrisë. Me synimin për të zëvendësuar armatimin e ashtuquajtur lindor, me armatim dhe me teknikë perëndimor, me të cilin ishin pajisur vendet anëtare të NATO-s dhe në kuadrin e shkurtimit të organikave të njësive dhe të reparteve u bënë lëvizje të pajustifikuara të teknikës luftarake.

Për shembull, ne po zëvendësonim AK-47, e konsideruar si një nga armët më të fuqishme në botë. Pavarësisht këtyre rezervave, për interesa të tjera, interesa politike dhe më shumë mafioze, ne e bëmë këtë zëvendësim. Një veprim ky që ndikoi në dy aspekte. Së pari, megjithëse ende ekzistonin organikat e ushtrisë, njësitë dhe repartet e saj, i gjithë armatimi dhe teknika luftarake që hiqej nga përdorimi nuk zëvendësohej me teknikën e re, të presupozuar perëndimore,duke zvogëluar gjithnjë e më shumë kapacitetet e zjarrit për ushtrinë tonë. Së dyti, një veprim i tillë i hapi rrugën trafikut, kontrabandës me armatimin dhe teknikën luftarake, gjë që u bë një nga shkaqet kryesore që ushtria jonë të merrte rrugën e shkatërrimit. Nuk mendohej më se me çfarë armatimi dhe teknike do të pajisej ushtria, por çfarë armatimi dhe teknike do të nxjerrim jashtë funksionit për ta shitur në tregjet  e kontrabandës së armëve. Edhe në këtë rast, “dritën jeshile” e hapi e ashtuquajtura “reformë në ushtri”, me dy orientimet që ajo përcaktoi si objektiv afatshkurtër të ushtrisë. Këto orientime ishin: shkurtimi drastik i efektivave të Forcave të Armatosura, për rrjedhojë, shkurtimi edhe i nevojave të tyre për armatim e pajisje të tjera luftarake, si dhe zëvendësimi i armatimit dhe i teknikës aktuale, i cili ishte “lindor” me armatim dhe teknikë “perëndimore”, në përdorim të strukturave të ushtrive të NATO-s.

 

 

AKUZA

 

“Biznesi me teknikën luftarake, pjesa

e errët që fshihet pas krizës së ’97-tës”

 

Prandaj ngjarjet e pranverës të vitit 1997 qenë “fatlume”, për qarqet mafioze dhe një mundësi e mirë për të justifikuar këtë aferë të madhe biznesi...”

 

“Në kuadrin e reduktimit të furnizimit të njësive dhe të reparteve me pajisje luftarake, filloi kontrabanda e madhe me armatim, municione dhe me teknikën tjetër luftarake, të të gjithë llojeve të armëve dhe të shërbimeve. Sipas disa shënimeve në të përditshmet tona inventari material që ka patur në dispozicion ushtria jonë ka qenë kolosal e llogaritet në dhjetëra miliardë dollarë. Dhe duke qenë se inventari material i ushtrisë sonë ishte i administruar dhe i ruajtur rreptësisht, konkludohet lehtë se kontrabanda me të nuk mund të bëhej nga kuadrot e rangjeve të ulëta, por nga struktura të veçanta të nivelit të lartë të hierarkisë së shtetit dhe të ushtrisë. Kështu, për fat të keq, pjesë e kësaj kontrabande u bënë edhe mjaft kuadro të lartë  të ushtrisë shqiptare. Duke patur kontrollin mbi një sërë institucionesh ekonomike, financiare dhe të sigurisë ky nivel kuadrosh u bë promotor i kësaj veprimtarie kriminale. Madje guximi i tyre arriti deri në atë shkallë sa tregtia e armëve të bëhej e hapur, në sytë e opinionit të vendit dhe të atij ndërkombëtar, siç ka qenë rasti i disa avionëve që transportonin armatim dhe teknikë luftarake nga Shqipëria në vende të tjera, madje edhe në vende dhe rajone ku kishte konflikte ushtarake dhe që ndalohej nga OKB-ja. Kjo tregti, duke u bërë jashtë rregullave, jo në interes të shtetit dhe të ekonomisë së vendit, por për përfitime personale, nxiti një praktikë krejtësisht liberale në administrimin dhe ruajtjen e armatimit dhe të teknikës tjetër luftarake, situatë kjo që e ktheu në epidemi vjedhjen dhe përdorimin për përfitim personal të pasurisë së ushtrisë, që ishte në të njëjtën kohë  mundi dhe djersa e popullit tonë. Një fakt i tillë ishte tregues domethënës për të vërtetuar atë që ushtria ishte futur në një proces të pandalshëm degradimi edhe në planin material. Dhe kjo nuk bëhej në interes të arkës së ushtrisë, të shtetit shqiptar por në interes të klaneve e grupeve të veçantë. Pra, në kuadrin e reformës ushtarake u krye një krim i madh në dëm të interesave ekonomike të vendit. Inventari material e teknik i ushtrisë, që përbënte një pasuri të pallogaritshme të vendit tonë, u shfrytëzua për interesa të qarqeve ekonomike e mafioze brenda e jashtë vendit. Ky krim ishte shumë i madh,  për të mos u dekonspiruar. Prandaj ngjarjet e pranverës të vitit 1997 qenë “fatlume”, për këto qarqe mafioze, qenë një mundësi e mirë për të justifikuar këtë aferë të madhe biznesi...”.

 

(Vijon në numrin e ardhshëm)

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: