Studentët në ngujim, të tjerët duan mësim

Studentët në ngujim, të tjerët duan mësim
Të ndarë në dy grupe, studentët i tremben humbjes së vitit akademik, ndërsa për të ngujuarit që thonë se janë më të shumtë në numër, kauza e tyre është më e rëndësishme. Në Fakultetin e Ekonomisë, protesta e të rinjve është mbështetur edhe nga pedagogët

Dhjetëra studentë vijojnë ngujimin në auditorë, ndërsa të tjerë protestojnë për fillimin e mësimit. Me këtë situatë është përballur Fakulteti i Drejtësisë dhe Ekonomisë. Të ndarë në dy grupe, studentët i tremben humbjes së vitit akademik, ndërsa për të ngujuarit që thonë se janë më të shumtë në numër, kauza e tyre është më e rëndësishme. Në Fakultetin e Ekonomisë, protesta e të rinjve është mbështetur edhe nga pedagogët. Përmes deklaratave, ata kanë bërë thirrje për zgjidhje të kërkesave të studentëve për të ndaluar protestat. Ndërsa në shkollat e tjera të larta, bojkoti po shkon drejt shuarjes. Studentët i janë rikthyer auditorëve, ndërsa çdo universitet do të vendosë për mënyrën e realizimit të orëve të humbura.

Protesta

Studentët e Universitetit të Tiranës vijojnë bojkotin në fakultetet e tyre. Ndryshe nga fakultetet e tjera që në disa klasa u zhvillua mësim, në godinën e fakultetit të Drejtësisë ka qenë e pamundur hyrja në auditorë për ata studentë që janë pro zhvillimit të mësimit. Në këtë fakultet shënohet dita e 5- të e ngujimit., dera kryesore është bllokuar nga studentët me karrige për të mos lejuar hyrjen. Të pyetur në lidhje me njoftimin e kryeministrit Rama se në sekretariatet e fakulteteve mund të vendosen dy përfaqësues të ministrisë së Arsimit, student thanë se: “Edhe përqfësuesit e ministrive janë të  mirëpritur të futën nga dritarja"

Në fakultetin Ekonomik, dyert janë të hapura. Pasditen e së dielës studentët morën vendimin për të vijuar protestën me ngujimin brenda studentëve por kanë lënë të lirë hyrjen për studentë të tjerë që duan të vijojnë mësimin. Ata i kanë bërë thirrje dhe studentëve  të tjerë që të bashkohen. Në këtë fakultet studentët kanë kënduar me iso:  Dhe ngujimin do vazhdojmë për të drejtat protestojmë.

Në Fakultetin e Arkitekturës, studentët kaluan natën të ngujuar. Ata kanë shtruar batanije në holl ku po vijojnë qëndresën por në të njëjtën kohë kanë lënë të lirë derën për të gjithë ata studentë që duan të vijojnë mësimin.

Ndërkohë tek fakulteti i Shkencave Sociale studentet zgjodhën vetëm bojkotin si formë të protestës. Ata thanë se nuk duan të ngujohen, pasi sipas tyre kjo nuk është zgjidhje.

Studentë të fakultetit të Mjekësisë vendosën ti bashkohet ngujimit. Rreth 50 studentë kanë kaluar natën në ambientet e brendshme të universitetit, ndërsa gjatë orëve të mëngjesit numri i të rinjve të përfshirë në protestë u rrit. “Mbrëmë kemi nisur ngujimin. Kaluam një natë të qetë, pa probleme. Vendimet mbi fundin e bojkotit e merr shumica”, thotë një student.

Studentët janë të vendosur që të vijojnë protestën e tyre deri në rrëzimin e ligjit për arsimin e lartë. Pavarësisht se Kryeministri Rama paralajmëroi që gjatë ditës së hënë përfaqësues të Ministrisë së Fincanës dhe Arsimit  do të vendoseshin pranë sekretariateve të fakultete, në disa prej godinave nuk u panë përfaqësues  të qeverisë.

Ministria

Plot 54 ekspertë janë shpërndarë në terren për t’iu ardhur në ndihmë studentëve me informacione lidhur dokumentacionin e nevojshëm që duhet të dorëzojnë për përfituar bursat e tarifat. Deklarata ka ardhur nga zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në detyrë, Besa Shahini, përmes një deklaratë për mediat. Sipas Shahinit, nuk do të ndërmerret asnjë nismë ligjore pa konsultime me komunitetin akademik. “Nuk do të ndërmerren nisma ligjore pa konsultime me stafin akademik, pa përkrahjen e komunitetin akademik. Nuk mund të ketë më keqinformim në këtë drejtim dhe do të përfshihen të gjithë”, deklaroi zv/ministrja Shahini.

Ndërsa është ndalur te protesta e studentëve, Shahini është shprehur se MASR e mbështet dhe njeh të drejtën e tyre për të protestuar, por ka shtuar më tej se kjo duhet të bëhet pa penguar procesin mësimor. Ndërkohë, ka ftuar të gjithë studentët të marrin pjesë në diskutimet e MASR-së. “Edhe një herë ftojmë të gjithë studentët që duhet të marrin pjesë në procese ku ne po diskutojmë, po ndërtojmë Paktin e Universitetit, analiza që janë të rëndësishme të bëhen para marrjes së çdo vendimi.”

Megjithëse qeveria njoftoi zyrtarisht nisjen e zbatimit të vendimit për tarifat e reja studentë nuk kanë hequr dorë nga protesta.

 

Senati i UT deklaratë për protestën, Rama e përshëndet: Të garantohet mësimi!

Në një kohë që nuk ishte shpërndarë ende për mediat deklarata e senatit akademik të Universitetit të Tiranës, kryeministri Edi Rama e përshëndeti atë nëpërmjet Tëiiter. Rama shkruan se është dakord me deklaratën e Senatit, duke theksuar se kërkesat do të përmbushen sipas planit të publikuar. “Përshëndes deklaratën e Senatit Akademik të UT. Uroj që t'i garantohet mësimi një orë e më parë shumicës që po pengohet brutalisht. Kërkesat do të përmbushen sipas planit të publikuar dhe po shkojmë shumë përtej tyre. Dialogu e bashkëpunimi me universitetet do thellohet Me Studentët” shkruan Rama në Twitter.

Ndërkohë, në deklaratën e shpërndarë, thuhet se pas mbledhjes së sotme, thuhet se Senati mbështet kërkesat e studentëve, ndërsa u kërkohet atyre që të ndjekin procesin mësimor, duke vazhduar njëkohësisht edhe protestat.

 

Studentët, si do bëhet rimbursimi për  të paguar tarifën

Studentëve të ciklit të parë të studimeve që kanë paguar tarifën shkollore për këtë vit akademik do t’u kthehen paratë, sipas kategorive përkatëse, kur për ekselentët është në masën 100 për qind dhe për pjesën tjetër në masën 50 për qind. Kusht është që studentët me mesatare 9-10 të kenë paguar tarifën e ciklit paraardhës. Bordet e administrimit do të shpallin listat. Në total, përfitues janë rreth 76 mijë studentë.

Po ashtu, studentët ekselentë dhe ata që vijnë nga familje në nevojë do të përfitojnë bursë mujore në masën 10 mijë lekë. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj u ka bërë apel bordeve të administrimit të punojnë 24 për të vënë në dispozicion listat e studentëve përfitues, ndërsa u ka kërkuar këshillave bashkiakë të qëndrojnë larg shpërndarjes së bursave.

Fatura në total shkon në 2 miliardë lekë, ndërsa parashikohet edhe përgjysmim tarife në godinat e parikonstrukturuara.