Agim Krajka: Ja çfarë ndodhi në të vërtetë në Festivalin e 11-të

Agim Krajka: Ja çfarë ndodhi në të vërtetë në Festivalin e 11-të
Festivali i 11-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, mbahet mend dhe diskutohet shumë edhe sot. Por si e kujton sot atë festival, kompozitori i mirënjohur dhe pjesëmarrës në dhjetëra festivale, Agim Krajka.

Ja si shprehet ai në këtë pjesë të tretë dhe të fundit të intervistës që dha për lexuesit e gazetës së përditshme “Albanian Free Press”:

Pse Festivali i 11-të ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës së lehtë shqiptare

“Vërtet është për t’u çuditur pasi jo vetëm mes kompozitorëve, këngëtarëve dhe instrumentistëve, por edhe në popull kam dëgjuar të diskutohet shumë ky festival. Ishte një festival që ndoshta tentoi të thyente disa korniza të kohës, por nuk mundi. Por jo s’e u bë një gjë e madhe. Krijuesit si gjithmonë ishin cilësorë, por edhe veshja, edhe instrumentistët, edhe ritmi i muzikës kishte një frymëmarrje më të madhe. Mund të them se ky festival ishte më i vështiri në jetën time si kompozitor pasi krijuesi në atë kohë ishte gjithmonë në luftë me atë që donte dhe me atë që mund të bënte.

Ishte një kënaqësi kur merrje çmim të parë, por do të prisje se çfarë do të thoshte një tjetër se e kishte të drejtën mbas një jave të qortonte, se mos të bëhej ndonjë plenum, etj. Shumë shokë të mi ikën, u syrgjynosën nëpër burgje, u larguan nga muzika, i çuan në fshat me punë në bujqësi, disa i internuan. Rrëmujë. Fshesë. Ankth! Soditje ç’a po ndodh. Kush e kishte radhën...

Në festivalin e 11-të me të vërtetë u prit mirë kënga ime, ku u përgëzova nga artdashësit, por arrestuan shumë këngëtarë, shkrimtarë, piktorë, etj. dhe frika ka qenë e madhe. Edhe unë prisja të ndodhte diçka. Kisha një parandjenjë. Kisha një makth që më sëmbonte. Nuk besoja se do dilja pa lagur.

Dhe ja, një ditë erdhën në punë dy të rinj dhe më thonë se në orën 11.00 duhet të paraqitesha në degën e Punëve të Brendshme në Tiranë. Djersë të ftohta! Por nuk e dhashë veten. Por brenda vetes thashë: “E pati dhe puna ime”. Kur ikën të rinjtë doja të qetësoja veten. Shkova tek klubi i punës dhe piva një dopio fërnet. Pasi u ngroha dhe u turbullova pak u nisa për tek Dega e Punëve të Brendshme.

Sa shkel tek dera e Degës dy vetë që po më prisnin më thanë: “Hë mor ti, çfarë është ajo këngë që na ke bërë?”. Shtanga! I pashë me habi. Besoj se ata nuk kishin haber fare nga kënga. Por kur pashë kapardisjen e tyre, iu përvesha: Çfarë flisni kështu? Si mund ta quani imoralitet një këngë të tillë? Ajo është pogonishte, këngë e mirëfilltë shqiptare me bazën në popull. Pra është ajo këngë pogonishte që kërceni ju, unë dhe babai im dhe hyra në zyrën e Kryetarit të Degës. Ai më priti tërë hundë dhe buzë. Rrinte turivarur. Vinte vërdallë dhe nuk më shikonte në sy. Edhe ai më tha të njëjtën gjë.

Unë fillova t’i këndoj këngën. E këndoja me zell duke i dhënë atmosferën e pogonishtes. Pasi e këndova ai më tha se çfarë ishte kjo “parru pau” si refren pas fjalëve. Ajo është kthesa, pra kalimi ose përgatitja për strofën tjetër, - i thashë.

Kryetari i Degës më shikonte me dyshim dhe mosbesim. Tundi disa herë kokën dhe pastaj duke shfryrë më la të lirë, por më porositi ta kisha mendjen se më kishte shkolluar partia. Pra partia më rriti, më shkolloi dhe duhet ta doja. Kur dola nga dera e Degës, m’u duk se kisha 20 vjet brenda në errësirë. Uff, shfryva. U lehtësova. Thashë mos do të haja ndonjë internim.

Pra me një fjalë kjo ka qenë jeta e kompozitorëve shqiptarë. Pra ndjeje fillimisht kënaqësinë e emrit, këngës së re, lëvdatave të njerëzve, por të hidhurat i kishe gjithnjë nga pas. Asgjë nuk kishe të sigurt. Çdo gjë duhej të ishte brenda boshtit të partisë ndryshe. Por kishim dhe shumë momente të bukura, shumë. Jo çdo gjë ishte zi. Kudo na respektonin dhe populli na nderonte dhe na donte shumë. Kudo ku shkonim na prisnin me admirim. Popullin e kishim në çdo hap me vete sepse populli e donte muzikën tonë dhe na përkrahte.

Ndaj mund të them se Festivali i 11-të, ishte një festival i parapërgatitur me qëllim spastrimi siç bëheshin spastrimet dhe në politikë. Ata kishin interesa t’i largonin disa figura nga postet politike. Lufta e bërrylave. Për mua ishte e qëllimshme, se përse i 11-ti duhet të ishte ndryshe nga të gjithë të tjerët. Ne ishim viktima të realizmit socialist. Shumë vetë ikën kot, shumë u futën në burgje, u persekutuan padrejtësisht, etj. Këtë solli ky festival që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës së lehtë shqiptare”.