“Dashuritë ruse të Dritëroit, Nina vajza që nuk iu nda gjatë jetës universitare”

“Dashuritë ruse të Dritëroit, Nina vajza që nuk iu nda gjatë jetës universitare”
“Nina ishte një ruse, të cilën Dritëro Agolli e pëlqeu që në momentin kur e pa në shkallët e universitetit, të San Petërburgut. Ajo ishte dy vjet më e vogël se Dritëroi dhe kishte një pamje tërheqëse, me një portret të hijshëm femëror dhe me flokët bionde. Nina studionte për anglisht dhe ajo ra në dashuri me Dritëroin, qysh në sekondën e parë. Pas njohjes, trokitja në zemër, e bëri efektin e vet dhe ajo nuk u nda kurrë, nga Dritëroi, në ato vite të Universitetit”. Ky është një rrëfim i radhës që vjen për “Albanian Free Press”, mbi jetën personale të shkrimtarit të madh gjatë viteve të universitetit në ish-Bashkimin Sovjetik. Mes të tjerash, edhe mjaft detaje nga ato pesë vite atje, gjatë të cilave erdhi vetëm një herë në Shqipëri...

Përgatiti për “Albanian Free Press”: Ilir Bushi

 Ishte muaji gusht dhe gjimnazi kish mbaruar. Në zgjedhjen e të drejtës së studimit, Dritëroi kish bërë një gabim, që mund t’i ndryshonte krejtësisht rrjedhën e jetës së tij të ardhshme. Sepse ai në lutjen e tij, kërkoi tre degë që ishin Veterinari, Biologji dhe Gjeografi. Ndofta më vonë, mund t’i dilte edhe më mbarë duke u bërë veteriner, por në kushtet e Shqipërisë, kur dihen maksimumet dhe minimumet e kuotave të profesioneve, kuptohet se një veteriner nuk mund të kapte lavdinë, apo nderimin e një shkrimtari. Por nga ana tjetër, një shkrimtar mund të dënohej dhe të pushkatohej më kollaj, se sa çdo veteriner, biolog, apo gjeograf, pikërisht për temat letrare dhe devijimet e Realizmi Socialist. Duke qenë veteriner, nëse viçi hante drithin e kooperativës, ai mund të paguante me rrogën e tre muajve, por duke qenë poet, nëse do të kalonte ndonjë figurë letrare të papërshtatshme, atëherë në rastin më të mirë, mund të dënohej me 10 vjet burg ose me pushkatim, sepse këtu është praktikuar edhe dënimi me varje, për ta.

Shkurt, Dritëroit i pëlqente bujqësia, zooteknika dhe veterinaria. Ai mendonte se letërsinë mund ta ushtronte edhe duke lexuar, pa qenë nevoja të shkollohej. Deri atëherë ai kish dëgjuar se Çehovi ishte mjek dhe Dostojevski ishte inxhinier ndërtimi. Prandaj nuk e zgjati shumë dhe caktoi tre degët sipas radhës më sipër. Të gjithë mësuesit që e njihnin talentin e tij u çuditën nga këto zgjedhje, por askush nuk dinte se çfarë të thoshte. Dritëroi ishte aq ekspresiv në sqarimet e tij për zgjedhjet e bëra, saqë nuk të linte hapësira për kundërshtime. “Më pëlqejnë ato degë, që kam zgjedhur vetë”, u thoshte ai, mësuesve e nxënësve që e pyesnin.

Një ditë, në gjimnazin e Gjirokastrës, erdhi Kahreman Ylli, që në atë kohë ishte në ministrinë e Arsimit dhe tha se disa nga shkrimet e Dritëroit i kishte lexuar dhe i kishin pëlqyer. Në fund, ata të dy folën edhe për të drejtën e studimit. Dritëroi kishte dalë me nota të mira dhe mund të zgjidhte çfarë të donte. Por ai i tha se kish vendosur të zgjidhte zooveterinarinë. Kahreman Ylli u çudit nga kjo përzgjedhje dhe pasi  dëgjoi një copë here për ta kuptuar, nëse djaloshi e kishte seriozisht atë zgjedhje që kishte bërë, ia preu me vendosmëri: “Jo, ti nuk do të shkosh për këto degë që ke kërkuar, por do të shkosh për gazetari, sepse me krijimet e tua, ke treguar që je i talentuar në këtë fushë”.

Pasi u shpallën të drejtat e studimit, në një stendë, në qendër të Tiranës, emrat e fituesve u publikuan menjëherë në të gjithë Shqipërinë. Dritëroi e priti shumë mirë lajmin e shkollimit të tij në Bashkimin Sovjetik dhe më vonë, ai e karakterizoi këtë ditë, si një nga ditët më të lumtura të jetës së tij. Sapo mori vesh vendin se ku do të studionte, Dritëroi nisi të interesohej për të gjitha zhvillimet e detajuara të botës letrare, në Bashkimin Sovjetik, brenda mundësive që ekzistonin, në bibliotekat tona, në atë kohë. Bashkë me lajmin për daljen e së drejtës së studimit, në Bashkimin Sovjetik, Dritëroi mësoi edhe disa nga emrat e studentëve të tjerë, që do të ishin bashkë me të, në vendin e madh të lavdisë dhe të luftës. Në përgjithësi, ai nisi të interesohej për ta, në mënyrë që të njihej para se të shkonin në qytetin e dëborës ruse. Po shumë shpejt, ai i mësoi të gjitha hollësitë e tjera, pas një takimi që pati në Tiranë, me tre nga kandidatë e rinj, që prisnin të niseshin.

Me vaporin “Bjello Ostrov”, drejt Odesës

Më 10 shtator, ata u nisën drejt portit të Odesës, me vaporin “Bjello Ostrov”, që gjer atëherë nuk kish pësuar asnjë tronditje apo çarje, ndërkohë, që zemrat e tyre po çaheshin nga padurimi, për të parë Bashkimin Sovjetik.  Më në fund, pas 7 ditëve, vapori mbërriti në Odesë dhe pasagjerët zbritën, duke u drejtuar drejt kryeqytetit të Bashkimit Sovjetik, që ishte epiqendra, ku caktoheshin emrat e qyteteve të ndryshme, ku do të shkonin  studentët. Për këtë ditë të mbërritjes së tyre në Moskë, Dritëroi thotë: “Kur erdha në Moskë, në vjeshtën e vitit 1952, u grumbulluam të gjithë. Ardhëm siç ishim, të varfër, me valixhe prej druri, aq sa mezi i nxinin makinat brenda. U mblodhëm këtu, për t’u shpërndarë në qytetet e Rusisë. Mua më caktuan në San Petërburg. Aty ishim në një grup me Marash Hajatin, Fadil Kokomanin, etj”.

Kur mbërritën në Leningrad, studentët shqiptarë sipas procedurave vrapuan në zyrat e universitetit dhe dorëzuan dokumentet. Pastaj, ata u caktuan në “Mëjtënskaja Naberezhnaja Dom 13/2”, konvikti, pranë, “Stroitelni most”, ura e ndërtimit, në krah të “Petropavlloskaja Kreposts” (Kështjella Petropavllosk). Përballë ishte lumi i famshëm, Neva dhe akoma më përballë, “Zimnij Dvorjec”, Pallati i Dimrit. Ishte pragu i dimrit dhe temperaturat e ulëta dimërore, kërkonin pará dhe përgatitje, për veshje të trasha dhe pallto të mëdha. Sipas një kontrate të pashkruar, studentët e vjetër u shisnin palltot e trasha, studentëve të rinj, me një çmim të arsyeshëm. Në prag të ikjes, ata jepnin gjithçka, që kishin pasur në këtë qytet, me përjashtim të adresave, të vajzave të tyre, prej të cilave do të ndaheshin. Ajo pallto me gëzof të gjerë, jashtë si gunë dhe për astarë kishte një vatë, si jorgan, ishte tepër e domosdoshme, për dimrin e acartë dhe të lagësht, të Leningradit, ku temperaturat shpesh për 5-6 muaj me radhë, binin minus 20 gradë. Marrëveshjet përfundonin për të gjithë njëlloj në fillim, studenti i ri do t’i jepte pronarit, studentit të vjetër gjysmën e çmimit, pjesën e dytë do ta lëvronte në qershor, kur ishte fundi i vitit...”.

Hajati në libër, thekson maninë e Dritëroit, për kokoret me gëzof, ku edhe pse me këste dhe pa lekë në xhep, ai i kishte ato koleksion. Peçi ishte një student gjirokastrit, që shiste kapele dhe ai nxehej, se ende nuk i kishte marrë këstet e kapelës së tij te Dritëroi. Ai shkonte çdo javë, të numëronte kapelet e tij, duke i kujtuar atij, sesa këste i kishin mbetur pa paguar, por grindje të tilla, studentët i kalonin me humor.

Dhe megjithëse qyteti mbante emrin e një politikani fanatik, kjo nuk e pengonte Dritëroin, që të fuste dorën e tij, poshtë këmishës së ndonjë vajze, për të zbuluar aty kuptimin e jetës. Madje, në këto raste, emri i Leninit, apo Leningradit, e meritonte plotësisht mirënjohjen, sepse ky emër do t’i kujtonte përjetë studentëve, kofshët e vajzave elegante dhe buzët origjinale të tyre që ende nuk ishin prekur nga asnjë bisturi kirurgu. Të puthje një vajzë poshtë metrosë së qytetit, apo në cepin anësor të Pallatit të Dimrit, ky ishte një episod, që ata nuk kishin guxuar ta mendonin as në ëndërr dhe ky pushtim ishte një emocion më i madh, se i atyre që pushtuan Kremlinin. Ndërsa, po të arrije të shtrije një vajzë në krevatin e konviktit, ky ishte një revolucion më i rëndësishëm se revolucioni i Tetorit, kur Lenini shtriu përtokë, lavdinë e carëve, që dukeshin të përjetshëm. Por kjo mund të ndodhte shumë rrallë, sepse dhomat e konviktit të tyre ishin me nga katër studentë, që hynin orë e çast aty. Një pjesë e tyre ishin peshkopë, që rrinin natë e ditë mbi libra në dhomë. Kjo e dyfishonte vështirësinë për të futur ndonjë vajzë, pasi edhe kinezët, koreanët, apo vitnamezët hynin e dilnin shpesh, me ndonjë filxhan çaji, duke ua bërë “gëzuar”, shqiptarëve. Kështu që po të guxoje të fusje ndonjë vajzë, në dhomë, nga çasti në çast, mund të hapej dera dhe në rastin më të mirë, mund të ishte ndonjë vietnamez, që pyeste “a keni ndonjë aspirinë”, ndërsa në rastin më të keq, mund të ishte roja apo kujdestari i konviktit, që të nesërmen do të thyente notën në sjellje.

Vali, e dashura e parë e Agollit

Sipas Hajatit, njëra nga mikeshat e Dritëroit, ose mikesha e tij e parë ruse quhej Vali. Por për të nuk flitet shumë. Në librin e tij, Hajati tregon edhe një foto, ku Dritëroi ka dalë pranë saj. Në këtë libër, Vali tregohet si një vajzë e ëmbël dhe e dashur, që nuk mungon në fotot e jetës studentore të Dritëro Agollit. “I dua shumë shqiptarët!”, thoshte Vali, kur shoqërohej me ta. Më tej, mund të përfytyrohet çdo gjë tjetër, përveç faktit që Vali mund të ketë mbetur me barrë, ashtu siç ndodhte me shumicën  e vajzave të huaja, që shoqëroheshin me shqiptarët. Nga fakti që ata janë ndarë shpejt, kuptohet se Dritëroi nuk kishte ndonjë afeksion të madh për Valin, ndërkohë që ai preferonte diçka tjetër, të veçantë dhe unike. Një vajzë serioze dhe jo deklarative, siç mund të ketë qenë Vali, sipas përshkrimeve të bëra prej Hajatit.

Në atë kohë, Agolli ka pasur një pamje shumë tërheqëse. Duke parë fotot e publikuara në grupin e studentëve, ai dallohej si një ndër djemtë më të bukur, por në radhë të parë, ai binte në sy si një prej më të diturve, të asaj moshe. Natyra gazmore e bënte edhe më tërheqës, por sidomos e mbushte mjedisin, me emocione pozitiv. Në shkollë, ai u identifikua shumë shpejt, si një ndër tre studentët më të mirë, të universitetit. Thuhej se ai ishte midis tre më të mirëve, në elitën studentore në të universitetit.

Por Hajati tregohet i kursyer në rrëfime, duke i anashkaluar aventurat e dashurisë me vajzat ruse, pa i mohuar ato. Në librin e tij, Hajati vepron si një kino-operator kinemaje, duke i prerë të gjitha pjesët “me drita të kuqe”. Në këtë drejtim, mund të ketë ndikuar edhe ndonjë konsultim me Dritëroin, gjatë kohës kur po shkruante librin, i cili mund ta ketë këshilluar të rezervohet në sekretet me vajzat ruse, pasi jo çdo gjë mund të rrëfehej. Ndoshta, Hajati e ka ditur më parë mos-dëshirën e Dritëroit, për të publikuar aventurat e moshës së vrullshme, rinore, ose ai vetë është mjaftuar me zbardhjen e disa emrave, duke prerë episodet.

Nina, dashuria e vërtetë e Leningradit

Jeta e Dritëro Agollit në universitetin e San Petërburgut, është ende një periudhë e pazbardhur plotësisht, për shkak të kompleksit të fajit që ndjente autori, për lidhjen me vajzën ruse me emrin Nina, e cila përfundoi me një ndarje të dhimbshme. Për këtë periudhë, ai thotë: “Atje, me atë naivitetin tonë, unë njoha një vajzë dhe madje me një pendim, me një ashtu, por u martova me të. Ishte kjo anë, tentativa për të bërë një familje. Mirëpo, gabova për këtë gjë”, shprehet Agolli. Pra, vajza e parë që dashuroi seriozisht, quhej Nina, por kjo dashuri ishte si një tërheqje litari që herë anonte drejt ndarjes dhe hera-herës, drejt bashkimit. Në një bashkëbisedim të bërë me vëllanë e Dritëroit, Tajarin, ai shprehet se: “Nina ishte një ruse, të cilën Dritëro Agolli e pëlqeu që në momentin kur e pa në shkallët e universitetit, të San Petërburgut. Ajo ishte dy vjet më e vogël se Dritëroi dhe kishte një pamje tërheqëse, me një portret të hijshëm femëror dhe me flokët bionde. Nina studionte për anglisht dhe ajo ra në dashuri me Dritëroin, qysh në sekondën e parë. Pas njohjes, trokitja në zemër, e bëri efektin e vet dhe ajo nuk u nda kurrë, nga Dritëroi, në ato vite të Universitetit”.

“Me Ninën, shiheshim shpesh dhe u bëmë miq”, tregon Dritëroi. Martesa e tyre, pas vitit të tretë, ishte një ceremoni e thjeshtë, në apartamentin e prindërve të saj dhe pastaj ditët e para bashkëshortore do t’i nisnin në një dhomë të posaçme, në konviktin e shkollës, ashtu siç ndodhte gjithmonë me studentët e e martuar. Dhomat dyshe kushtonin dy herë më shtrenjtë sesa dhomat me katër krevatë të studentëve të tjerë. Ajo që binte në sy, ishte fakti, se ata në të gjithë kohën e lirë, rrinin bashkë.

Gjatë pesë viteve që qëndroi në Leningrad, Dritëroi u kthye vetëm një herë në Shqipëri. Në universitet ishte shumë i ngarkuar me punë, prandaj ai kishte vendosur qysh në fillim, t’u përkushtohej studimeve, por nga ana tjetër, udhëtimi drejt Shqipërisë kishte një kosto të lartë, disi të papërballueshme për statusin e studentit. Gjatë asaj kohe, ai shkëmbente letra me vëllanë e tij, Tajarin i cili ndodhej në një shkollë ushtarake, në Moskë. Duke qenë një vit më i madh se Tajari, Dritëroi kish marrë disi rolin e këshilluesit për të vëllanë, duke e porositur që të kishte kujdes me shkollën, studimet dhe sidomos me vajzat. Në një nga këto letra, ai i tregoi vëllait, për lidhjen e tij, me Ninën dhe e porosiste atë që të kishte kujdes kur të zgjidhte shoqen e jetës. Historinë e lidhjes me Ninën, ai ia tregoi shumë thjesht, sikur t’i tregonte një histori filmash: “Dashuroj një vajzë ruse, që është për gjuhë të huaja, në anglisht. Kam qenë në shtëpinë e  saj dhe më kanë pritur shumë mirë, sepse, ata janë njerëz shumë të komunikueshëm”, i kish shkruar Dritëroi, duke pritur nga ana tjetër, që edhe Tajari, t’i rrëfente ndonjë histori të ngjashme, për ndonjë vajzë ruse, por kjo nuk ndodhi. Nga ana tjetër, Marash Hajati, në librin e tij thotë se: “Nina, me të cilën u njohe në universitet, u dashurove dhe u martove, ishte një studente e gjuhëve të huaja kishte një botë serioziteti, pune dhe krijimtarie që merrej shembull. Kohët e fundit të studimeve u vendosët në një dhomë me komoditetin e kohës në konviktin e Universitetit. Nuk vonoi e erdhi edhe Ariani, biri juaj”.