Fatjeta Barbullushi: Shoqëria shqiptare ka trauma që s’janë pranuar ende e zgjidhja po vonon për shërim

Fatjeta Barbullushi: Shoqëria shqiptare ka trauma që s’janë pranuar ende e zgjidhja po vonon për shërim
Flet ekskluzivisht për Albanian Free Press, këngëtarja e njohur shkodrane, Fatjeta Barbullushi: “Jam përpjek më dhanë versionin ma t’mirë temin çdo herë që jam kthy me kangë, apo album se fundmi. Kam respektu zgjedhjet, kam punu me mundsitë që m’janë ofru dhe personalisht ndihem e plotsume dhe e knaqun qe kam arrit ti realizoj disa andrra t’mia te vogla. Mandej ma tepër më pëlqen me fol vet puna, vullneti jem për me këndu dhe mesazhi i qëllimit mu ndëgju përmes zanit.”

***

E dua shumë figurën e zërin e Fatjeta Barbullushit. Ka shumë vite që ajo jeton jashtë Shqipërisë me familjen e kisha humbur gjurmët e saj. Pra biseda virtuale me të më gëzoi shumë. Fatjeta, shkodrania me rrënjë të thella në qytetin magjik që aq shumë art i ka dhënë atdheut tonë të përbashkët, është një nga artistet më të kompletuara që ka prodhuar panorama shqiptare. E mëkuar me muzikën që fëmijë, e përkrahur nga mësuesit e saj që në shkollë e më pas me aktivizim në Teatrin “Migjeni” e deri në skenat e spektakleve të suksesshme në RTSH, Fatjeta i ndërtoi shkallët e karrierës pak e nga pak, me shumë finesë e me shumë hijeshi. Edhe pse e diplomuar në shkolla prestigjioze jashtë vendit, edhe pse me shumë prodhimtari këngësh vit pas viti, edhe pse ja arriti që me grupin “Guralumi” të sjellë publikun zviceran në sallë me muzikë jazz, Fatjeta është aq e rezervuar dhe shumë e ndrojtur për lavde. Ajo punon në studio me profesionalizëm teksa në këtë vend lartësohen shpesh figura pa talent. Gjithsesi vendosa, për të dytën herë, (hera e parë ishte me të madhen Myfarete Laze) që intervistën ta lë të paprekur në gjuhën origjinale, atë të nënës e babës, në gegënishten e ëmbël shkodrane. Uroj që ky rrëfim i saj t’ju shijojë edhe juve aq sa më shijoi mua.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

“E kalumja ban mirë kur na del para, se na kujton ata qe na vijnë mrapa sidomos n’sukses.” Këtë e ke shkruar ti e unë po të vi nga pas. Si janë këto ditë dimri për ty?

Intensive në ndjesi. Ndodh të zgjohem edhe melankolike por mirëpres dhe i mirëkuptoj gjendjet e mia. Vishem trashë që të përballoj të ftohtin gjithsesi ha ha ha, e më mungon dielli kur nuk del.

Ke gati 20 vite e larguar nga Shqipëria por kthehesh shpesh, për kë e për çfarë ke më shumë mall?

Malli jem përfshin gjithçka që du në tokën e shenjtë....

Jeton jashtë kufijve por nuk i je ndarë muzikës. A mund të më rrëfesh se si kanë qenë këto vite për ty, muzikalisht?

Jam përpjek me dhanë versionin ma t’mirë temin çdo herë që jam kthy me kangë, apo album së fundmi. Kam respektuar zgjedhjet, kam punu me mundësitë që m’janë ofru dhe personalisht ndihem e plotsume dhe e knaqun që kam arrit t’i realizoj disa andrra t’mia të vogla. Mandej ma tepër më pëlqen me fol vet puna, vullneti jem për me këndu dhe mesazhi i qëllimit mu ndëgju përmes zanit.

Vitet e fundit ke qenë pranë muzikës elitare, jazz, blues, koncerte salle me publik të zgjedhur. Publik në dukje i ftohtë por pas teje i ngrohtë. Më trego më shumë mbi bashkëpunimin me grupin Guralumi?

Albumi “Lule Borë” që doli në dhjetor 2016 ishte nji andërr e hershme e jemja të cilën s’e braktisa kurrë, deri në realizim. Kjo andërr u ba urë për bashkëpunimin me  grupin “Guralumi” me të cilët kemi sjellë nji kontekst ndryshe të prezantimit të muzikës shqip. Jam universale në shije muzikore e më pëlqen me e sfidu veten me zhanre të ndryshme. Albumi, po ashtu, asht i larmishëm në nuanca e esenca klasike, tradicionale, kontemporane, etnike, nota të sofistikuara jazzi të cilat i kam punu gjatë përgatitjes së albumit  me kujdes. Gjatë kësaj kohe kemi pas mundësinë edhe të performojmë live në festivale, koncerte, evente të ndryshme dhe jemi pritur mjaft mirë nga publiku. Prezent ka ken ma shumë publiku zviceran. Mbetet eksperiencë shumë me vlerë pasi në çdo bashkëpuntor, gjithsesi, shof nji profesor që më mëson diçka që s’e kam dit.

Si e kujton fëmijërinë tënde, kush janë aromat e tua më të dashura, nëse kujton një ushqim të shtrenjtë, një këngë, çfarë të vjen në mend?

Kujtimet më kthejnë shpesh n’fmini, e me kujtu nga vij e kush jam asht burim inspirimi e motivim për ditët e zymta. Kam ken gjithmonë rebele ha ha ha, kurioze e n’kërkim t’vedit e t’misterit t’jetës. Me etje të madhe me msu e eksploruar. Kam erën e lule kamomilit në hundë që e mbledhsha vet me shokun tem t’fminis, Hektorin, në bahçe t’kojshive dhe mami na bate çaj ose e përdorsha me zverdh flokt kur i laja ha ha ha. Ushqimi jem i preferum ka ken bukë e djathë e luks gjithashtu. Mramjeve u mbledhshim gjithë familja me zjerm qymyri në dhomën e ndenjes e kndoshim naj kang shkodrane tan. Kanga që më ka met n’mend e që baba ja ka këndu mamit gjithmonë asht « Pranvera ka nis me ardh ». Kajherë na xete qymyri.....

Ke qenë shumë e vogël kur ke filluar të këndosh. Të zbuloi kush dhe a ke ndonjë mësues që u mor me formimin tënd vokal e muzikor, që te e kujton më së shumti?

Në shkollën fillore u veçova nga mësuesi i muzikës Lutfi Muqa (pastë dritë), i cili më vuni në dukje gjithmonë se kisha talent dhe za t’bukur. Më ka inkuraju më pas me vazhdu me shtëpinë e pionierit ku me aktivizoi në festivale, e shumë profesorë të tjerë në vazhdim të shkollës së mesme të muzikës ku studiova për kanto. Në përgjithësi kam pas përkrahje,  drejtim e këshilla konstruktive.

Kjo Shkodra, me lumë, mal e det, që ka dhuruar aq shumë talente. Pse mendon ti se ka ndodhur e ndodh kjo?

E ka beku Zoti, mirënjohja e falenderimet i takojnë atij. Asgjë nuk ndodh rastësisht.

Kush ta ka vënë emrin? Ka një histori emri yt dhe a e mendon veten si femër me fat?

Emnin e kam nga baba. E ka zgjedh si një bekim që çdo babë uron për vajzë të vet. Unë e mendoj e besoj veten si një gru tashma jo thjesht me fat, por me shumë fat.

Ka momente në ditën tënde ose jetën tënde kur “grindesh” me muzikën siç grinden të dashuruarit? A je betuar ndonjëherë se do e lësh?

Ka pas e me siguri ka me pas prapë. Por pa rezultat, sepse pasioni për muzikën asht ma i fortë se këto grindjet (buzëqesh). Përndryshe edhe jam betu se tash e la, por s’më ka lan ajo mu.

Vijmë sot, pas 20 vitesh, pak e saktë ke disa këngë të tuat që edhe sot janë himn dhimbjeje dhe dashurie. Si e lexon ti, nga larg, muzikën shqiptare sot? A po ruhet sa duhet?

Baladat më rrinë për shtat. Në kangët e mia i këndohet luleve, dashnisë, lehtësimit mas vështirësisë. Ka dhimbje shumë në shoqnin shqiptare, trauma, të cilat s’janë pranuar akoma e detyrimisht edhe zgjidhja po vonon për shërim. Këndvështrimet i evitoj pak që mos bi pre e paragjykimeve, por kur shprehem mendohem dhe mundohem të baj një analize gjithmonë përpara. Nuk ruhet si duhet! Ka përpjekje sigurisht por mbështetja, sensibilizimi mbeten dobët, pa përmend pastaj të drejtat autoriale etj....

Përmes fotove pashë se pranë teje janë gjithmonë njerëz të tutë të dashur. Motra veçanërisht. Si do e rrëfeje lidhjen mes jush?

Jam e lidhun me familjen shumë. E ndjej mungesën e tyne në shumë momente gjatë ditës. Prindërit me kanë rrit e sjell në jetë me shumë dashni e sakrifica. Kam dy motra e një vëlla. Me gjithsecilin, në veçanti kam lidhje të veçantë. Ata vijnë  në Lausanne (Zvicër) e shkoj shpesh edhe unë me i pa e me u bashku, me hek mall. Familja jonë nuk asht perfekte, por asht e  bashkime, kur duhet e sfidon largësinë.

Disa albume por ndërkohë publiku shqiptar ndoshta të do më shpesh në atdhe. Ti si mendon se do të jetë? Do të vish më shpesh me projekte të reja?

Uroj e shpresoj! Vullneti e dëshira asht sigurisht. Nuk asht e lehtë por kam zgjedh mënyrën teme si me u shfaq e organizu.

Si është një ditë e jotja e zakonshme? Zgjimet, shëtitjet, miqtë....

Dita nis  me kafen e madhe ha ha ha, pastaj mëngjesin. Aktivitetet e ditës përfshijnë punën, sport (në fitnes tash në dimër). Dal shëtitje shpesh tek liqeni (lac Léman). Të parit e liqenit me jep kënaqësi e relakson mbas një dite të ngarkume. Lexoj në kohë të lirë, ndonjë kurs kërcimi sezonal. Kam pak fare pak miq këtu. Kohën më të madhe e kam për veten e familjen time. Mblidhemi në fund të ditës në shtëpi ku përgatitim darkën, ndajmë bisedë, luajmë me letra, shohim ndonjë film në Netflix ha ha ha, e jeta vazhdon. Në ditë të caktume organizohemi për kinema ose buling nganjëherë. Shëtitjet në natyrë i kemi të preferume.

Një shkodrane e ngrohtë si e ka gjetur veten nëEvropën e rregullt e të inkuadruar, me aq rregulla?

Unë jam nji shkodrane që ma kande rregullin, jame përpiktë, e dua disiplinën, pak maniake në pergjithsi në rregulla por punoj vazhdimisht me vedin ha ha ha. Edhe jam përshtat në përgjithësi...

Femra shqiptare, ku është ajo sot, sipas këndvështrimit tënd? Po këngëtaret femra?

Sa e zonja, aq edhe viktimë. Gratë shqiptare kanë nevojë, mbi të gjitha, për mbështetjen e njëra-tjetrës. Kangtaret janë ambasadore të muzikës nëpër botë.

Ke një plan në duar që mund të na e tregosh edhe ne?

Një cover që po punoj, shpresoj të vij në pranverë. Përndryshe kam ca ide të organizoj ndonjë event  kulturor për komunitetin shqiptar e më gjerë.

Meditime të artistes

“Në botë ka shumë vende ku njerëzit duhen dhe jo vetëm urrehen.

Respekti, dashnia, s’bajnë zhurmë, s’vrasin e as nuk e lartësojnë zemërimin.

Urrejtja ban të kunderten, na indinjon. Ajo vret e ban shumë zhurmë, mjafton mi lan vetëm pak hapësinë për me ba sensacion.

Arsyeja jeme që më frymëzon e kujdeset çdo dite asht dashnia.

Kur bajmë nji hap mrapa, jena afër atyne apo asaj çka dojmë ma shumë se kurrë. Por akoma duhet që gjithsecili nga ne me njoft vedin për me pas nji ide që ja imponon bukur botës si prezencë. T’vetën!

Nuk ka besim pa sfida të vështira e gjithmonë duhet kenë mirënjohës e me falenderu Zotin e ata që udhëtojnë me ne. Falemnders gjithsesi tanve! A nuk asht kja nji situatë e mrekullueshme?”

“Jeta asht sa e bukur, aq edhe e brishtë. Duhet ta falenderojmë edhe kur ajo na fal vështirësi, sepse po na jep mundësinë me ken të aftë me arrit atë ç'ka dojmë e t'ja dalim me mund e vlera. Gjithmonë e gjithsesi kemi mundësinë me ken versioni ma i mirë i vedit.”

“Fakti qê na bimë shumë kënd e ban mu ndi t’fortë. N’kyt delir madhështor narcisisti s’duhet me harru me vrapu kur na çohena!

Sepse na çohena sigurisht e narcisisti na zgjedh pikërisht për kyt gja, si rivalen ma t’fortë për mu ndi n’element t’vetin.”

“Andrra jonë asht si nji pemë. E vogël ajo pret kohën mu rrit. Natyra mundet mos mi lan me lëshu rranj përmes nji stuhije, mundet mu tha në mungesë ujit, ose vet gabimet e njeriut munden mi shkel.

Në qoftë se ne e shkelim vet kyt pemë, asht e garantume që andrra jonë s'ka mu realizu kurrë. Nuk duhet kurrë me injoru zanin e vogël mbrenda nesh që na fton me besu e me realizu andrrën tonë, rritjen e pemës.

Qëllimi i andrrës nuk asht me e realizu, por mu realizu ne vetë. Mund të humbim shumë duke ndjek andrrën, por kurrë njeriun i cili jena ba.

Sa kushton mu ba ai njeri që ti je sot?

Sa kushton mu ba njeriu që ti meriton mu ba nesër?

Zgjedhja me rreziku edhe ndoshta me dështu asht ajo që na i jep kuptim e jeshilllëk pemës tonë.

Me zgjedh andrrën asht vendim.

Gjithsesi mos harro me ken i mrekullueshëm!”