Hasan Luçi: Si u përgatit Lufta e Vlorës? Kuvendet e fshehta dhe pse Kuçi u çlirua i pari

Hasan Luçi: Si u përgatit Lufta e Vlorës? Kuvendet e fshehta dhe pse Kuçi u çlirua i pari
INTERVISTA/ Flet ish-diplomati Hasan Luçi: Kongresi i Lushnjës krijoi kushtet dhe i nxiti krahinat e jugut, për luftë kundër Italisë pushtuese. Pas tij, nisi një angazhim mbarëpopullor për të përgatitur nisjen e saj në mënyrë konkrete

 Lufta e Vlorës e pati fillesën e saj direkt pas Kongresit të Lushnjës, ku u përcaktua se gjendja e Italisë në ato momente ishte më e dobëta, prandaj duhej goditur me kryengritje të armatosur. Kështu pohon gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, ish-diplomati Hasan Luçi, duke dhënë edhe detaje konkrete rreth përgatitjes së kësaj të fundit. Disa prej tyre kanë qenë pikërisht organizimi i kuvendit të Ramicës, atij të Barçallasë në Dukat etj. “Gjatë shkurtit 1920, u bënë mbledhjet e pleqësive e fshatrave për të qenë gati në luftë kundër pushtuesit”, sqaron ai...

 Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

 

Si u realizua përgatitja dhe zhvillimi i luftës heroike të Vlorës?

Kongresi i Lushnjës krijoi kushtet dhe i nxiti krahinat e jugut, për luftë kundër Italisë pushtuese. Gadishmëria dhe veprimet diplomatike të qeverisë së dalë nga ky kongres e kryeministrit Sulejman Delvinës gjeti, përgatiti e u përcaktua edhe nga gjendja më e dobët e Italisë, për të goditur edhe politikën imperialiste europiane, me kryengritjen e armatosur. Kjo pasi tashmë Vlora dhe Labëria qenë ngritur si djepi i traditës për Shqipërinë e pavarur, për të hedhur Italinë në det. Pasi delegatët u kthyen në vendlindjet e tyre, në Labëri filluan përgatitjet për kryengritjen e armatosur. Gjatë shkurtit 1920, u bënë mbledhjet e pleqësive e fshatrave për të qenë gati në luftë kundër pushtuesit. Në Vlorë, më 3 shtator 1919, ishte themeluar “Komisioni i Vlorës” prej 11 vetësh, i kryesuar nga Hamza Isai. Më 10 mars 1920, ky komitet i fshehtë u riorganizua si “Mbrojtja Kombëtare”, e kryesuar nga Osman Haxhiu (M.çami-v.c.f.164). Aty u vendos që çështja e Vlorës të zgjidhej me kryengritje dhe urdhëroi përgatitjen e krahinave, duke dërguar anëtarët e tij në fshatrat e Vlorës, Kurveleshit e Tepelenës. U krijuan edhe komitete të tjera të fshehta në Tepelenë, Gjirokastër, etj.

Si u vendos?

Më 20 mars 1920, u bë mbledhja e parisë së qytetit të Vlorës dhe e fshatrave, ku u vendos që “çështja e Vlorës të zgjidhej me armë”. Në fakt, ky ishte kushtrimi drejtuar fshatarësisë atdhetare, siç ishte tradita kryengritëse shqiptare kundër pushtuesve. Pas kësaj mbledhje, u bënë të tjera nëpër fshatra, ku përfaqësuesit e tyre propaganduan vendimet e marra dhe filluan përgatitjet për të qenë gati, kur të jepej sinjali i luftës frontale. Po në mars, Osman Haxhia bëri një letër, ku kërkonte nga parësia e fshatrave të grumbullonin armë dhe të përgatiteshin për luftë, si dhe të ndërmerreshin aksione kundër postë-komandave italiane në Kuç, Brataj, Llogora, etj. Në takimet që bëri H.Xhelo në Dukat, Armen, Vajzë e Mesaplik mori pjesë edhe Arif Mëhillaj nga Kuçi, që qenë ngarkuar nga Komiteti i mbrojtjes, për të krijuar nënkomitetet e Vlorës. Kur atdhetarët kërkonin armë për t’i bërë ballë armikut, prefektët kuislingë thoshin: “ç’i doni armët, të vrisni veten?”.Ndërkaq, gjatë muajit maj u bënë mbledhje e kuvende  në krahinat në Labëri, ku u lidh besa me njëra tjetrën, për të luftuar pushtuesin deri në çlirim.

A e nuhatën italianët organizimin e kryengritjes?

Më 9 maj 1920, pushtuesit italianë, përmes agjenturës së tyre, nuhatën organizimin e kryengritjes popullore dhe morën masa shtypëse, ndërsa më 16 maj ata shpallën gjendjen e jashtëzakonshme. Autoritetet italiane nuk i lejuan as përfaqësuesit e qeverisë shqiptare të hynin në Tepelenë një ditë më pas për të vendosur autoritetin shqiptar, si në Berat dhe Gjirokastër, duke i qëlluar me top e mitroloza, në fushën e Luzatit, bandën e shoqërisë “Vatra” dhe trupat e xhandarmërisë e vullnetarët shqiptarë, që shkuan për të marrë në dorëzim Tepelenën. Sakaq, në Vlorë, italianët filluan arrestimet, më 18 maj 1920, ku disa atdhetarë u torturuan në një anije në det. Kështu, u armiqësuan më tej me shpejtësi marrëdhëniet mes shqiptarëve e italianëve dhe kjo valë terrori  e armikut i shpejtoi veprimet luftarake. Anëtarët e komitetit e plotë atdhetarë shkuan nëpër fshatra. Osman Haxhiu njoftoi të takoheshin në fshatin Ramicë për kuvendin, më 24 maj 1920. Atje u vendos thirrja e mbledhjes te Rrepet e Ismail Qemalit në Mesaplik, ku H.Xhelo e Q.Kokoshi hartuan shpalljen për thirrje banorëve të Mesaplikut e Kurveleshit, për të shpëtuar vendin nga pushtuesit. Në këtë mbledhje foli Arif Mëhillaj nga Kuçi, Toto Hosi, Sali Vranishti e Memo Metua nga Brataj. Aty u vendos mbledhja e përgjithshme e krahinave, më 29 maj, në Barçalla të Dukatit. Sakaq, A.Çiraku dhe Kanan Mazia, vajtën në Nivicë, më 26 maj 1920, ku bënë mbledhje dhe u diskutua organizimi i çetave të armatosura, etj. Sipas  Riza Runës, më 24 maj 1920, mbërriti H.Xhelo dhe po atë ditë, italianët u përzunë nga Kurveleshi, ikën natën nga Progonati. Në Nivicë u ngrit flamuri shqiptar. Mbledhja e Nivicës qe e ngushtë. Aty u vendos të liheshin mënjanë hasmëritë, gjaqet. U biseduan edhe masat përgatitore dhe u bënë listat e luftëtarëve për çdo fshat, sikundër u caktuan edhe komandantët e çetave. Më pas, ky kuvend u mbyll me ngritjen e flamurit kombëtar. U deklarua se nuk do të njihej asnjë pushtet i huaj. Në Progonat u ngrit nënprefektura nga populli. Pra, veprimet e para u bënë në Kurvelesh.

Flitet edhe për kuvendin e Barçallasë, kur u mblodh dhe çfarë vendimesh mori?

Në këto kushte, në zbatim të vendimit të kongresit të Lushnjës, kuvendi i të gjitha krahinave të Vlorës, ai i Barçallasë u bë më 29 maj 1920. I thirrur nga komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, aty morën pjesë 200 vetë nga qyteti i Vlorës dhe pleqësia e fshatrave të Vlorës, Kurveleshit e Tepelenës. Qeveria e Tiranës dërgoi atje Ismail Haki Kuçin, me detyrën urgjente për organizimin e qëndresës, nën drejtimin e komitetit, detyrë të cilën e priti me gëzim, sipas bashkëluftëtarëve me të. Dhe u nis pa humbur kohë, duke përshkuar fshatrat e Myzeqesë, më tej u hodh me lundër në Seman e Vjosë, shkoi nëpër kodrat e Mifolit, duke bërë edhe propagandë atdhetare për luftën e Vlorës. Ky komitet miratoi njëzëri shpalljen e kryengritjes së përgjithshme, ndërsa pjesëmarrësit u betuan para flamurit kombëtar, për ta çliruar vendin nga pushtuesi italian. Kuvendi zgjodhi edhe “Këshillin Kombëtar” prej 30 vetë, me kryetar Osman Haxhinë, prej të cilëve 12 vetë në Komitetin e ri të “Mbrojtjes Kombëtare” për drejtimin e kryengritjes, më 29.05.1920, në Barçalla të Dukatit. Ky këshill bëri thirrjen për luftë. Aty u krijua edhe komisioni ushtarak “Komisioni Epror I Luftës”, me pjesëmarrës ushtarakë të njohur si Ahmet Lepenica, major Ismail Haki Kuçi, Azis Çami, Xhevdet Picari, Memo Metua, Tosun Selenica, etj. Komandant i forcave kryengritëse u caktua A.Lepenica. Kurse operativ i komisionit ushtarak, njëkohësisht edhe anëtar i “Këshillit Kombëtar”, u caktua major Ismail Haki Kuçi, i deleguar i qeverisë së Tiranës. “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” e caktoi Ismail Haki Kuçin edhe si komandant të grupit të dytë të forcave, për aftësitë e tij ushtarake. Ai u caktua edhe si gjyqtar ushtarak, dhe me nismën e tij u bë organizator i gjyqit ushtarak që gjykoi e dënoi me vdekje me pushkatim disa dezertorë dhe spiunë gjatë luftës, si dhe agjentë italianë. U caktuan edhe komandantët e zëvendësit e çetave për çdo fshat dhe që të gjitha forcat kryengritëse të mblidheshin në Beun, më 2 qershor 1920. Më tej, pjesëmarrësit në kuvend u kthyen në vendet e tyre dhe dhanë kushtrimin, për t’u vënë në gadishmëri forcat e armatosura e vullnetarët. Një përfaqësi u dërgua edhe në Tiranë, (për t’i njoftuar qeverisë vendimet e kuvendit për të filluar kryengritjen e bashkërenduar veprimtarinë me të dhe kërkuar ndihmën e mundur. Forcat e Kurveleshit ishin gati në fund të majit dhe prisnin vetëm sinjalin e fillimit të luftës. Siç shkruan Bardhosh Gaçe, nga Kuçi morën pjesë në kuvend edhe Arif Mëhillaj e Xhafer Aliko.Në Kurvelesh u hodhën parrullat: “çdo gjë për luftën, për mbrojtjen e kombit”,”E mbrojmë me gjak, s’e lëshojmë aspak”, etj.

Kush e përbënte “komisionin e oficerëve”?

Në Barçalla u emërua “komisioni i oficerëve” që do të drejtonin luftën, nga ana ushtarake, me kryetar A. Lepenicën. Por polemika se kush u zgjodh komandant i përgjithshëm vazhdon ende sot. Në Beun, më 04.06.1920, major A. Lepenica u zgjodh komandant i përgjithshëm, se nuk mbërriti ai person, që pritej dhe i emëruar nga qeveria në  Tiranë. Në Drashovicë, ai u emërua komandant i përgjithshëm i xhandërmarisë dhe nën-komandant i luftës. Kurse major Ismail Haki Kuçi u emërua shef operativ i luftës së Vlorës nga qeveria e Tiranës, si akademist ushtarak dhe që dha prova  edhe kundër agresorëve grekë në jug dhe kundër serbëve, më parë në Tiranë. Masat popullore të krahinave të Vlorës, të pushtuara nga italianët, mbaheshin të veçuara nga qeveria e përkohshme proitaliane e Durrësit, se Italia donte ta mbante Vlorën nën sundim. Për këtë arsye, populli i krahinave të Vlorës gjykoi, se hedhja e Italisë në det, u hiqte të drejtën edhe shovenëve fqinjë të mbanin të pushtuar trojet shqiptare.

Kur u dha sinjali i kryengritjes popullore?

Sinjali i kryengritjes popullore u dha më 29 maj 1920, në malin e Barçallasë në Dukat, ku u mblodhën parësitë e qytetit dhe të fshatrave pjesëmarrëse në këtë kryengritje popullore. Kjo luftë ishte kërkesë historike e kohës. Vendimi u firmos dhe u vulos nga të gjitha përfaqësitë e fshatrave të prefekturës së Vlorës, me përjashtim të n/prefekturës së Himarës dhe Tepelenës që në atë kohë vareshin nga Vlora, por nuk del ende arsyeja pse ndodhi kështu. Më 02.06.1920, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare u vendos në malin e Beunit, mbi fshatin Vajzë. Atje u caktuan çetat, që do të luftonin në Kotë, Gjorm, Llogora, Drashovicë dhe më vonë në kalanë e Kaninës e gjetkë. Numri i luftëtarëve kurveleshas arriti rreth 700 vetë, kurse i tërë kryengritësve 4.000 vetë, edhe sipas H.Xhelos. Më 2 qershor 1920 në Beun, çetat kryengritëse u vendosën te rrapi i Gurrave, ku komisioni ushtarak bëri organizimin e tyre, duke i bashkuar çetat e fshatrave, në njësi luftarake më të mëdha, sipas krahinave. Komisioni ushtarak u dha detyrat luftarake dhe i përhapi forcat në terren në gadishmëri. Mehmet Selim Mallkeqi, i caktuar nga komiteti, i dorëzoi ultimatumin e parë gjeneral Piaçentinit, bërë nga KMK. Pasi ai agresor e arrogant nuk u përgjigj,veç me një gjuhë barbare ultimatumit, më 05.06.1920 në mbrëmje, filloi kryengritja, çarmatosja dhe dëbimi i qendrave të karabinerisë italiane nga  fshatrat. Kryengritësit u bënë më të vendosur dhe nuk i përfillën këshillat e frikacakëve, se gjoja qe marrëzi t’i hapje luftë Italisë 40 milionëshe. Aq më pak, nuk u dëgjuan bejlerët tradhëtarë, të shitur te Italia dhe u zbuluan edhe përpjekjet e tyre, për ta sabotuar kryengritjen, para dhe pasi filloi apo gjatë luftës. Këta tradhëtarë hodhën edhe trakte mashtrues se gjoja “Italia qe mike dhe e donte me gjithë zemër të mirën e vendit e lirinë e Shqipërisë”, se “kush e do Shqipërinë, nuk duhet ta shajë Italinë, kush lufton Italinë, don copëtimin e Shqipërisë”, etj”.

 

 ANGAZHIMI

 Përgatitja e Kuçit për luftën e

Vlorës, si arriti të çlirohej i pari

 “Komiteti i luftës së Vlorës, përveç kuçiotëve pjesëmarrës, për rëndësinë e rolin e Kuçit në këtë luftë dhe të traditës së mirënjohur në vend, dërgoi anëtarin e tij atdhetarin trim Halim Xhelo, i cili u prit me përzemërsi dhe u takua me parinë e pleqësinë e Kuçit, me të cilët njihej mirë, për organizimin dhe mobilizimin e popullit të tij, në luftën çlirimtare të Vlorës. Aty, paria dhe pleqësia e Kuçit vendosën dhe thirrën në Grabovë, në lumin e Kuçit, më 31 maj 1920, një kuvend popullor të traditës, ku foli Arif Mëhillaj, i cili parashtroi vendimet e rëndësishme të KMK, si pjesëmarrës në të, nevojën e domosdoshme për pjesëmarrjen e popullit të Kuçit në këtë luftë dhe gadishmërinë e popullit për çlirim të vendit. Populli e priti me gëzim e krenari thirrjen e bërë, ai tregoi gadishmëri  të plotë, si gjithmonë për të luftuar pushtuesit. Halim Xhelua njoftoi aty vendimin e Barçallasë për çlirimin e Vlorës me luftë dhe të tërë krahinave, nën pushtimin italian. Ai i bëri thirrje popullit të Kuçit që edhe këtë herë, të tregonte atdhetarizmin e lart e trimërinë që kishin treguar, në luftërat e gjata për liri e pavarësi. Atje u bisedua sërish, edhe për masat e përgatitjes së kryengritjes së armatosur dhe u krijua një komision, i kryesuar nga major Ismail Haki Kuçi, për regjistrimin e përgatitjen e luftëtarëve. Ia vlen të shënohet se për herë të parë, në kuvendin e Grabovës, Kadri Gjoleka shfaqi mendimet e veta, kur ai tha: “ Italia është fuqi e madhe dhe ne nuk kemi ç’t’i bëjmë, se ajo do të na dëmtojë e shkatërrojë më shumë, se ne të djegur e të shkatërruar jemi”.  Ai kujtoi madje edhe dëmet e luftës me grekët, për t’u dhënë vlerë mëdyshjeve të tij, për fitore në luftën e Vlorës. Teksa u largua nga mendimi e vendimi i shumicës dhe për këtë arsye, populli e qortoi qëndrimin e tij disfatist. Ai nuk mori pjesë në luftën e Vlorës dhe u radhit në anën e konservatorëve, gjatë dhe pas saj, bile bashkëpunoi me Myfit bej Libohovën, një dallaverexhi dhe agjent. Por i biri i Kadriut, Xhevdet Gjoleka nuk e ndoqi qëndrimin e babait, si më sipër dhe u regjistrua vullnetar në këtë kuvend. Sipas detyrave të KMK, forcat e Kuçit u ndanë në dy drejtime: një çetë e komanduar nga Jaho Gjoligu shkoi në çlirimin e Tepelenës dhe pjesa tjetër, 4 çeta, komanduar nga M. Peçi  e Rr. Aliu, etj, në drejtim të Lumit të Vlorës. Siç u pa më lart, veprimet e çetave filluan më parë në Kurvelesh. Më 03.06.1920 e para, nisi luftën çeta e Kuçit se rrethoi postëkomandën e karabinierisë italiane në fshat, që ishte atje nga viti 1916, ku kishte 60-70 vetë të armatosur gjer në dhëmbë. Populli kërkoi t’i çarmatosnin karabinierët, por Kadri Gjoleka me parinë e pleqësinë vendosën t’i linin të lirë të iknin dhe u përcollën, në dy drejtime paqësisht, nga rruga Pilur-Himarë dhe drejt Vlorës, po atë ditë. Ata u përcollën nga populli me këngë, valle e hare, me thirrjen “Vlora, Vlora, ja do mbetet Vlora jonë, ja do bëhet shkrumb e hi”, e cila frymëzoi të gjithë luftëtarët, kudo që luftonin. Kështu, Kuçi u çlirua, më 3 qershor 1920 se kuçiotët rrëmbyen armët të parët, para se të fillonte lufta e Vlorës, më 05.06.1920. Materialet ushtarake të postës së karabinerisë italiane, bombat e municionet etj, u mbajtën në fshat dhe iu shpërndanë popullit, për t’u armatosur dhe për t’u mbrojtur. Kjo mirësjellje e Kuçit u bëri përshtypje të mirë italianëve dhe bëri bujë, aq sa ata e kujtonin këtë ngjarje edhe kur pushtuan Shqipërinë më 1939-ën, siç tregoi një oficer i SIM-it që kishte qenë në postën e Kuçit, kur i përcollën deri në Pilur e Himarë që të iknin në Itali, pa u dëmtuar dhe jo të shkonin në luftë në Vlorë. Pasi çliruan fshatin, vullnetarët e Kuçit, të organizuar në 4 çeta, u nisën drejt Vlorës, më 4 qershor, duke u bashkuar me çetat e Kallaratit, Bolenës, Vranishtit, Bratajt e Tërbaçit, sipas planit për sulm mbi armikun, që filloi me njëherë në të gjitha drejtimet.

 DIVIZIONI

 12 mijë ushtarë italianë, vetëm në zonën e Vlorës

“Trupat italiane në zonën e Vlorës ishin 12 mijë ushtarë,një divizion. Italianët kishin bërë fortifikime të ndryshme (bunkerë,transhe, istikame), qendra zjarri, të mbrojtura, me thasë me rërë e të rrethuara me tela me gjemba, të mbrojtura nga topa e mitralozë, furnizuar për qëndresë nga 4-6 muaj. Kryengritësit qenë tri herë më pak dhe të pajisur me armë primitive, të ruajtura brez pas brezi, të llojeve të ndryshme, si mushqeta e maliherë italianë, mauxerrë, dyfeqe shishopua apo kapsollie, nga të kohës së sulltan Azizit, dogëra e armë gjahu, municionet ishin fare të pakta. Shumë prej luftëtarëve vajtën në luftë vetëm me sopata, thika, hanxharë, cekure, biçak etj., me shpresë t’i merrnin armikut armë, siç thotë edhe kënga popullore. Sipas planit luftarak, të hartuar nga komisioni ushtarak, veprimet do bëheshin në dy faza: E para,me objektiv asgjësimin e garnizoneve  italiane në Llogora, Gjorm, Kotë, Vajzë, Drashovicë, Sinanaj e Tepelenë, që përgatisnin fazën e dytë, marrjen e kalasë së Kaninës e Vlorën, duke qenë të siguruar nga shpina, nga forcat kryengritëse, që do të rrethonin qytetin e  Vlorës”.