Lefter Çipa: Si më kërkoi Enveri që të ndryshoja vargjet e këngës

Lefter Çipa: Si më kërkoi Enveri që të ndryshoja vargjet e këngës
INTERVISTA/ Flet Lefter Çipa, poeti i njohur i këngës popullore të zonës së Bregut: “Polifonia është si mushka. Të qëllon me shkelma, nëse nuk di ta zotërosh atë. Duhet të të hyjë në gjak e deje. Ta duash me gjithë shpirt. Polifonia është shpirti i ditës dhe zëri i natës...”

“Unë e hoqa shoku Enver, por nuk e hoqi historia..”. Këtë përgjigje tregon se i ka dhënë ish-udhëheqësit komunist, autori i njohur i teksteve të këngëve të Bregut, Lefter Çipa, ndërsa ai i kërkoi që të ndryshonte një varg të këngës së tij. “Ah djalosh, qenke i patundur, por i talentuar, - më tha dhe më përqafoi...”, vijon më tej ai rrëfimin e tij të posaçëm për “Albanian Free Press” mbi krijimtarinë e tij ndër vite dhe këtë episod të veçantë. Sipas tij, “polifonia shqiptare, njëkohësisht është këngë klasike, këngë perëndie, për ta parë, për ta dëgjuar, për ta puthur, për ta dashuruar”. “Është si një grua e bukur, që akoma nuk ka arritur të bëhet e jotja, ta shijosh. Polifonia është bota shpirtërore e shqiptarit. Aty ku dëgjohen zërat e polifonisë, të bën të besosh se aty ka zot”, pohon ai...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Fadil Shehu

Nëse do t’i riktheheshit retrospektivës së viteve të fëmijërisë dhe rinisë suaj, si do t’i kujtonit ato?

Padyshim, që çdo njeri u rikthehet viteve të fëmijërisë dhe rinisë së tij. Kjo trokitje malli më zgjon shpesh, duke më kujtuar vendlindjen time, Pilurin midis maleve, ajrit të freskët dhe gjelbërimit të përhershëm. Kam qenë zog me krahë. Më pëlqente tringëllima e veçantë e kopesë së deleve, fyelli që nisa t’i bija qysh në moshën 8-vjeçare. Ndjenja në fluturim, gjaku nëpër deje, cilësi të cilën e zotërojnë vetëm muzikologët dhe etnologët.

 

Përse ju pëlqente melodia e fyellit?

Sepse në këtë instrument gërshetohen të gjitha zërat e natës. Edhe yjet, hëna, ndriçimi i saj, oshëtima e valëve të detit janë pjesë e zërave të natës.

 

Mësova se ju interpretoni si virtuoz në disa instrumenta muzikore. Është e vërtetë?

Po unë jam rritur me tingujt e instrumentave tradicionalë popullorë, fyellin, culan dyjare, bibëzat, duke mos harruar kurrsesi instrumentin magjik të pianos, për të cilën kam studiuar në shkollën e muzikës në Tiranë.

 

Sa kanë ndikuar tek ju këto instrumenta si poet dhe autor i qindra teksteve të këngës polifonike dhe muzikës së lehtë?

Natyrshëm çdo njëra prej tyre hyn në gjakun tim, në shoqërinë e përjetshme të fëshfërimës së valëve të detit që kam në prag. Ato vijnë e ulen pranë meje mbi tavolinën e punës, hyjnë brenda shpirtit tim, duke bërë që unë të harroj gjithçka. Futem thellë brenda tingullit, muzikës, vargut, legjendës. Duke ndjerë çdo frymëmarrje, bëhem pjesë e këtyre instrumentale.

 

Ç’do të thotë të jetosh me artin?

Arti është qielli, ajri, toka,deti…gjithçka. Arti mbart egoizëm, rivalitet midis grupeve, por në anën tjetër ka edhe forcën madhore. Kur krijimtaria është e vërtetë, e arritur në mendim, ide dhe e lartësuar artistikisht, me kolegun të bën një familje. Kjo përbën forcën e brendshme, midis autorit të tekstit, kompozitorit dhe këngëtarit.

 

Mendoni se ekzistenca e këtij trinomi ofron arritjen e suksesit të një kënge?

Virgjërimi i vjershërimit, zgjon kompozitorin nga gjumi, për të hedhur notat në pentagram. Këngëtari dashuron atë që kurrë nuk e kishte menduar se do ta dashuronte: autorin e vjershërimit të këngës. Ky trekëndësh solid, krijon pirustin qiellore në art.

 

Si erdhi kënga e parë krijuar nga ju?

Kompozitori i njohur vlonjat, Themistokli Mone, vite më parë drejtues muzike në pallatin e kulturës në Vlorë, në prag festivali më kërkoi të shkruaja një tekst kënge. E shkruajta në kohën e duhur, të cilën e titullova “Thëllëzat që hedhin valle”. Bashkëpunimi ynë vazhdoi në vite, ku mund të them se mbi 80% e këngëve vlonjate, njohin si autor Lefter Çipën.

 

Cila ishte kënga juaj e parë, e cila jo vetëm mori pjesë në festival, por madje meritoi edhe çmimin e parë në festivalin kombëtar folklorik në Gjirokastër?

A mund të harrohet gëzimi i lindjes të fëmijës së parë? Kështu  ndodhi  në këtë festival, me këngën “Tundu bejkë e bardhë, tundu”, e cila u kurorëzua me çmimin e parë. Kjo këngë u vlerësua nga kritikë të artit tonë dhe të huaj, duke e cilësuar atë si lajmëtare e evoluimit të polifonisë shqiptare. Ndërkohë  Enver Hoxha, i pranishëm në festival, e quajti këtë këngë, si simfonia e polifonisë shqiptare.

 

Pretendoni se keni qenë i privilegjuar?

Absolutisht jo. Kam sakrifikuar jo pak në jetën time, për të mbërritur në këtë lartësi, ku unë ndodhem sot. Kam patur mjaft raste kur ministra kulture dhe drejtues të partisë hynin në këngën time, madje më diktonin edhe të hiqja këtë apo atë varg. Jo pak herë kam sakrifikuar, kam hedhur valle në shpatën me dy presa.

 

Profesor, si mund ta kuptojmë se ju keni hedhur valle “me dy presa” që porsa shprehët?

Dëgjo, miku im. Në vitin 1974, me rastin e 30-vjetorit të Çlirimit, midis fjalëve të mira dhe urimeve, për këngën që unë kisha krijuar në një tjetër festival dhe i vlerësuar sërish me çmim të parë, u takova për herë të parë me Enver Hoxhën, i cili më thotë: “Djalosh më pëlqeu shumë kënga, por do të ishte mirë të ndryshoje një varg”. Patjetër që u ndodha ngushtë. Gjithsesi, i thashë: “Unë e hoqa shoku Enver, por nuk e hoqi historia”. “Ah djalosh, qenke i patundur, por i talentuar”, më tha dhe më përqafoi...

 

Si jeni ndjerë kur mjaft këngë të krijuara nga ju, jo vetëm që mirëpriten nga ansamble dhe grupe polifonike brenda e jashtë vendit, duke mbetur të admirueshme nga mjaft kompozitorë të muzikës së lehtë?

Duke mos harruar kurrsesi bashkëpunimin e shpeshtë me grupe polifonike të sofrës së këngëve të Jugut dhe Bregut, si Piluri, Himara, Saranda, Tepelena, Gjirokastra,Vlora deri në Mallakastër. Shpesh shkoja në Tiranë, i ftuar nga kompozitorët Çesk Zadeja, Haxhi Dalipi, Aleksandër Lalo, Alekandër Peçi, Josif Minga, Alfred Kaçinari, e të tjerë,ku krijimtaria ime bëhej pjesë e kompozimeve të tyre në festivale të ndryshme. Kompozimet virtuoze të këtyre kompozitorëve, i këndonin Mentor Xhemali, Vaçe Zela, Gaqo Çako, Irini Qirjako, Katerina Balili, Dhimitër Varfi, Eli Fara, Hysni Zela,trioja e këngës qytetare vlonjate: Reshat Osmani, Melia Doda dhe Kostandin Thano.

 

Çfarë është për ju polifonia shqiptare?

Polifonia shqiptare, njëkohësisht është këngë klasike, këngë perëndie, për ta parë, për ta dëgjuar, për ta puthur, për ta dashuruar. Nëse nuk e kërkon, nuk arrin ta gjesh dot. Është si një grua e bukur, që akoma nuk ka arritur të bëhet e jotja, ta shijosh. Polifonia është bota shpirtërore e shqiptarit. Aty ku dëgjohen zërat e polifonisë, të bën të besosh se aty ka zot. Kam bashkëpunuar me kolegë e këngëtarët polifonisë. Dhe do të thoja se Dhimitër Varfi, Katerina Beleri, Irini Qirjako, Arjan Shehu, Paro Ziflaj, Jakup Goliku, Rexhep Abazi, Syrja Hodaj, Hysni Ymeri... mbeten gjithçka e polifonisë shqiptare. Pa këta bilbila, ajo do të ishte e gremisur, shkretëtirë. Duhet patur kujdes me dashurinë e saj. Polifonia është si mushka. Të qëllon me shkelma, nëse nuk di ta zotërosh atë. Duhet të të hyjë në gjak e deje. Ta duash me gjithë shpirt. Polifonia është shpirti i ditës, dhe zëri i natës.

 

Pilurin e cilësoni si perandori të krijimeve tuaja. Përse?

Jeta ime e hershme në fshatin Pilur është dhuratë dhe fat. Ndonëse prej dekadash, ndodhem në këtë shtëpi, ku Himara shfaqet si në pëllëmbë të dorës, në qerpik deti, Piluri është vendi i fëmijërisë dhe rinisë time. Është dielli, ajri, kënga ime, çka do të thotë se unë asnjëherë nuk jam larguar prej tij.

 

Numëroni mbi 1250 tekste këngësh...

Unë ende shkruaj duke menduar që kam akoma rrugë për të bërë. Dua të them se në krijimin e çdo kënge, vendos shpirtin tim. Ato janë me qindra, duke lundruar në lundrën e këngëve të mia. Por do të veçoja ato me aromë suksesi dhe medalje ari si “Naim Shqipëria”, “Tundu bejkë e bardhë”, “Për Kosovën prapë do ngrihem”, “O shokë vdeksha nga kënga”, “Këngët e atdheut tim”, “Shqipëri flakë dyfeku”. “Kënga tret lotin”, etj.

 

Ndoshta është kjo arsyeja që mjaft prej 18 librave tuaj të botuar,  janë pagëzuar me titujt e këtyre këngëve?

Po. Mjaft prej librave të mi me poezi e tekste këngësh, mbartin aromën e këngëve të kënduar nga individë e grupe të ndryshme polifonike, duke mos harruar kurrsesi Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Secili prej këtyre librave mbetet pjesë e jetës sime. Në rrugëtimin tim 60-vjeçar më është dashur të punoj me pasion dhe si krijues, me lëvrimin e studimit të këngëve të popullit dhe trashëgimin shpirtërore të saj.

 

Muajin e ardhshëm, në14 shkurt, ditën e Shën Valentinit, ju mbushni 77 vite të jetës suaj dhe sërish e sërish shkruani. Ku e gjeni burimin e forcës dhe frymëzimit?

Veçse te shpirti. Më mjafton të fle vetëm katër orë dhe njëzet orë të tjera i kaloj duke krijuar, gërmëzuar vargje dhe tekste të reja këngësh.

 

Përse jeni dashuruar pafundësisht me këngën labe?

Po unë jam lab. Jam nga Piluri i këngëve brilante, i cili quhet ndryshe “Ballkoni i Rivierës”, sepse shtrihet në lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit. “Pilur” do të thotë shteg malesh, flokë dëbore. Populli i këtij fshati mbart cilësi të vyera që ka vetë Labëria. Jam përkundur e rritur me ninulla të këngës labe. Ajo është tërësisht epike, çka do të thotë se nuk mund të jetojë dot pa cituar vargun e trimërisë dhe heroizmit. Ai që s’i ka këto cilësi në Labëri do të jetë një hiç.

 

Jeni vlerësuar me titullin e lartëKalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me titullin Mjeshtër i Madh”,Nderi i qytetit” për qytetet Gjirokastër, Himarë. Mbani edhe urdhrin e klasit të parë, të dytë, të tretë “Naim Frashëri” të Artë. Jeni cilësuar “Princi i Polifonisë Shqiptare”. Cilin prej këtyre vlerësimeve të lakmueshme për këdo,  përmendni më shpesh?

Janë vlerësime, të cilat më obligojnë për t’iu përkushtuar më shumë kauzës time mbi 60-vjeçare të këngëve të popullit tim. Patjetër që u jam mirënjohës njerëzve anë e kënd Shqipërisë, të cilët më respektojnë kudo. Padyshim, vlerësimi që mua më rri më përshtat, është ai i dekorimit tre herë, me çmimin “Naim Frashëri” i Artë.

 

Profesor. Në njërin kënd të tavolinës këtu në ballkonin e luleve, shohim disa vargje, ku tek-tuk vështrimi juaj rrëshqet mbi to. Çfarë motivi mbartin ato?

(Profesorit i çelet fytyra...) I kam shkruar herët. I vështroj, bashkëbisedoj me to, pasi aty sikur jam në Pilurin tim, në Pilurin e këngës.

“O shokë vdeksha nga kënga,

Në një ditë prilli apo maji,

Kur ia thotë bukur thëllëza,

Në këngë të kthehet vaji...

Vdeksha dhe prap u ngrefsha,

bilbilat e Pilurit, në këngë i gjetsha…”

(në çast, i shfaqen lehtë në sy perde loti...)

 

VLERËSIME

Kanë thënë për Lefter Çipën:

Dritëro Agolli, “Nder i Kombit”

“Në dejet dhe indet e tua, rrjedh kënga dhe unë ende nuk e di: Në trupin tënd, gjaku ka lindur më parë, apo kënga?”.

 

Xhevahir Spahiu,“Mjeshtër i madh”

“Në brigje himariote, rron dhe këndon bardi popullor Lefter Çipa, më i madhi ndër të gjallët dhe ndoshta i fundit me hove dhe shkëndijime të reja të ligjërimit popullor”.

 

Irini Qirjako,“Mjeshtre e Madhe”

“Këngët madhore “Tundu bejkë e bardhë, tundu”,“28 mijë yje”,“Këngët e atdheut tim”kanë qenë për mua një ushqim shpirtëror i jashtëzakonshëm. Këngët e Pilurit, këngët e Bregut mbeten të pavdekshme”.

 

Katerina Beleri:“Mjeshtre e Madhe”

“Çdo varg i tij mban aromën e luleve të malit, erën e detit. Kur këndoj këngë me tekste të tij ,marrë me vete zjarrin e vatrës himariote, për ta përcjellë në çdo vatër shqiptare”.

 

Petrit Ruka, poet

“Lefter Çipa,është pa asnjë dyshim, pena më e ndritur,që mbajti gjallë dhe ngriti në maja më të larta shpirtin e këngës labe. Emri i këtij bardi më të madhit,që krijoi poezia popullore në këto  50 vjetët e fundit, është e lidhur me të, si mishi me kockën”.

 

PËRSHTYPJE

“Kënga  himariote të drithëron...”

“Brenda saj ndodhet mbretëresha që e këndon mbi fronin e saj. Me zërin e saj, i zbret perënditë mbi tokë. KëngaVajzë e Valëve” ka lindur për të mos vdekur kurrë. Këngës himariote nuk i dihet dita e lindjes dhe kur nuk i dihet datëlindja, mos u mendo, mos u frikëso, sepse ajo mbetet gjallë në breza.