
Bashkimi Evropian po mbështet federatat lokale të peshkatarëve dhe gjuetarëve që ata të marrin informacionin e duhur mbi mjedisin, për të mbrojtur më shumë se 1,600 specie të florës dhe faunës së ekosistemit të parkut kombëtar të Liqenit të Prespës. Ngritja e një sistemi monitorimi mjedisor do të ndihmojë në sigurimin e të dhënave të rëndësishme - të disponueshme për publikun dhe vendimmarrësit lokalë - për një menaxhim të qëndrueshëm të ekosistemit të çmuar të Prespës.
Në Pogradec, Ambasadori i BE-së Luigi Soreca, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Eduart Kapri dhe Zëvendësministren e Brendshme, Romina Kuko, shkëmbyen pikëpamjet e tyre me “Federatën Shqiptare të Vrojtuesve të Plazhit” dhe shpëtuesit e sapo trajnuar. Ata kanë mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian për ngritjen e standarteve të duhura të sigurisë dhe pajisjen me mjetet e shpëtimit në ujë për vrojtuesit e plazhit që ndihmojnë udhëtarët e aventurës në rajonin e liqenit të Ohrit. "Siguria është një kusht paraprak për zhvillimin e turizmit: siguria nuk ndalet në kufi", tha Ambasadori Soreca.