“Shqipërinë e Enver Hoxhës e dinim si ëndërr, por ç’na panë sytë kur erdhëm”

“Shqipërinë e Enver Hoxhës e dinim si ëndërr, por ç’na panë sytë kur erdhëm”
INTERVISTA/ Flet Enver Cakiqi, mjeshtri dhe kampioni shqiptar i karatesë dhe i arteve marciale: “Kur erdha në Rinas, kam puthur tokën për rreth gjysmë ore. Por pastaj pashë gjithçka: mjerim, fukarallëk, skamje etj. Dhe kur jam pyetur në mënyrë të fshehtë “Si është Shqipëria?”, kam thënë thjesht: “Nga Hani i Hotit në Shkodër dhe deri në Sarandë flitet shqip...”

 “Të gjithë shqiptarët e Kosovës kishin mendime të mira për Enver Hoxhën. Por kishte edhe nga ata që tregonin se ai ishte diktator. Megjithatë ne nuk donim të besonim se Shqipëria ishte keq, donim të besonim se ishte vetëm parajsë...”. Kështu rrëgen gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press” Enver Cakiqi, mjeshtri dhe kampioni shqiptar i karatesë dhe i arteve parciale. I lindur në Kosovë, ai tregon sesi e kishte një ëndërr të vinte në Shqipëri, por gjeti vetëm zhgënjim kur e pa nga afër atë...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

 Cila është origjina juaj dhe si e keni nisur këtë sport?

Unë jam i lindur në Llapashticë të Podujevës, në një familje me ekonomi mesatare, familje patriotike. Në vitin 1988 kam kaluar në Austri, si ish-kampion i trefishtë i Kosovës, tre herë kampion ndërkombëtar.

Përse i keni përfunduar studimet?

Kam studiuar Juridikun tre vite në Prishtinë dhe pastaj kam kaluar në Pedagogji e më vonë kam kryer Master të Shkencave për marrëdhënie me publikun në Tiranë.

Si e njihnit Shqipërinë në këto vite, e ndiqnit televizionin shqiptar?

Po. E kemi ndjekur televizionin shqiptar dhe bënim roje e marrëveshje me djemtë e axhës, sepse na spiunonin dhe kështu detyroheshim të ruheshim, ndërkohë që hapnim e ndiqnim televizionin e Shqipërisë.

Ju dënonin nëse shikonit televizionin?

Po. Përmes televizionit që ndiqnim, mendonim që Shqipëria ishte parajsë, vendi më i bukur në botë. Mund të them se 95% e shqiptareve të Kosovës dhe jashtë saj, e kanë patur ëndërr të vijnë në Shqipëri. Dhe unë e pata këtë mundësi.

Çfarë mendimi kishit për Enver Hoxhën në atë kohë?

Kuptohet, të gjithë shqiptarët e Kosovës kishin mendime të mira, por kishte edhe nga ata që tregonin se kishin qenë në mënyrë të fshehur në Shqipëri dhe se ai ishte diktator. Megjithatë ne nuk donim të besonim se Shqipëria ishte keq, donim të besonim se ishte vetëm parajsë. Edhe unë si gjithë të tjerët, e kisha ëndërr të vija në Shqipëri. Mua m’u dha mundësia që përmes Kristo Robos (ish-kampioni i Ballkanit në qitje), në vitin ’91 të vinim në Shqipëri. Duke qenë se Seit Seiti ishte ambasador dhe Alego Bregu, ish-futbollist në atë kohë nëpunës në ambasadë, na ndihmuan. Ne u nisëm përmes Gjermanisë për të arritur në Shqipëri. Një shok na e ndaluan në Çekosllovaki dhe erdhëm me Faket Përveticën më 3 janar 1991.

Si e gjetët Shqipërinë?

Ëndrra ime ishte vetëm të arrij në Shqipëri dhe kur erdha në Rinas në aeroport, kam zbritur dhe kam puthur tokën për rreth gjysmë ore. Menjëherë ka filluar ajo mikpritja vëllazërore, kemi shkuar në familjen e Kristo Robos, por jo vetëm. Pastaj me kalimin e kohës kam shkuar që nga Shkodra e deri në Sarandë në çdo vend qytet, qytezë apo fshat të Shqipërisë. Kështu pashë gjithçka, mjerim, fukarallëk, skamje etj, por asnjëherë nuk kam folur për të asgjë. Dhe kur jam pyetur në mënyrë të fshehtë “Si është Shqipëria?”, kam thënë: “Nga Hani i Hotit në Shkodër dhe deri në Sarandë flitet shqip”.

Ku e filluat sportin dhe si e filluat?

Fillimisht e kam filluar në vitin ’76 -‘77 ku kam luajtur futboll në klubin “Llapi”, në Podujevë. Aty ka luajtur edhe legjenda Fadil Vokrri. Më pas, një vit gjimnastikë në Prishtinë dhe në ‘77-‘78 është hapur për herë të parë “Karate”, në Podujevë. Me shokun tim që tashmë e kam si vëlla, Gëzim Ibrahimin jemi regjistruar dhe kemi filluar sportin e bukur të karatesë, fillimisht nga trajneri Avdi Ahmeti dhe pastaj është hapur seksioni i Klubit “Karate Kosovatrans”, nën patronatin e Kosovatans-it, në Podujevë deri në vitin 1983. Më pas, kjo u ndërpre në atë kohë. Unë dhe Ismet Hasani, Gazmend Havolli e kemi riorganizuar dhe riformuluar klubin e karatesë në “Kosovatrans Podujevë”, që ka qenë klubi më i suksesshëm në Kosovë dhe një ndër klubet më të suksesshme në krejt ish-Jugosllavinë. Kemi patur kushte të mira, kemi patur garues të mirë, sportistë të mirë dhe kemi korrur suksese të mëdha.

Kush është suksesi juaj i parë?

Suksesi im i parë ka qenë kur mora titullin Kampion Kosove, në vitin ‘84-‘85, pastaj në vitin ’87. Pastaj, marrja e titullit nën kampion Kosove dy herë. Medalja e marrë në ish-Jugosllavinë për Kosovën e kam sjellë unë në vitin 1987, Lutfi Mengjiçi, Muhamet Rexhepi dhe Zeqir Sopi. Pastaj nën-kampion Evrope në vitin 1988 në Beograd, për “Kosovatrans-in”, e Podujevës isha përsëri unë si student, në Kampionatin Europian të Studentëve. Në vitet ’78-’88-’89, u shpalla kampion absolut ndërkombëtarë në Umag të Kroacisë. Kurse në vitin 1990, kampion ndërkombëtar në Poloni. Leh Valenca më ka dhënë medaljen. Ka qenë prezent Sensei Nishijama, një ndër mësuesit më të mëdhenj aty, kur më dhanë diploma dhe medalje. Pastaj në vitin 1991, kampion Europe në ITKF ( In-ternational Traditional Karate Federation). Nënkampion bote në vitin 1992, në Forli të Italisë, ndërsa kampion i Gjermanisë në EIKO Federation (Europeishe International Karate Organizacion), katër vite me radhë kam mbajtur këtë titull dhe kampion i Esenit. Kam qenë edhe në IKF, kampion i Gjermanisë  tre vite më radhë. Edhe në DVVS është një federatë, ku dhe aty kam qenë tre vite kampion i Gjermanisë. Kemi kaluar në vitin 1994 në SG28, në Bashkësinë  e Sporteve, e cila është formuar në vitin 1928 dhe ka patur hendbollin, futbollin, basketbollin etj. Kurse në vitin 1994 kam filluar të luaj futboll për 6 vite aktiv si lojtar, pastaj si trajner i moshave të vogla dhe më kanë mundësuar që ta kem një palestër e ta masivizoj më shumë sportin e karatesë aty. Kurse që nga viti 1994 dhe deri më sot, kam Akademinë SG28 Frankfurt. Edhe pse jam këtu jam shef dhe instruktor, kam tre asistentë dhe kanë një disiplinë Gjermano-Japoneze. Nuk është në stadin e duhur kur unë nuk jam aty, por po ecën mirë.

Kur je larguar nga Kosova?

Nga Kosova jam larguar në vitin 1988, për në Vjenë të Austrisë 6 muaj. Në momentin që u bëra kampion absolut ndërkombëtar në Umag, pata një ftesë nga një mik i yni austriak, të shkoj në klubin e karatesë “Viena”, në Austri. Kështu vendosa ta provoj, mirëpo pagesa që merrja aty nuk më mjaftonte të jetoja sepse shpenzimet ishin shumë të larta, qiraja shumë e shtrenjtë, jetesa shumë e vështirë etj. Në një seminar dhe një turne takova Manfred Dome, rekordmenin e thyerjeve të dërrasave dhe të tullave, i cili më bëri një ftesë që të shkoj në Frankfurt, ku mbeta deri më sot.

Vetë ju, ku u angazhuat?

Fillimisht nuk isha i ambientuar me gjuhën, por në artet marciale edhe në karate në të gjithë botën flitet gjuha japoneze. Terminologjinë japoneze unë e kisha të njohur qysh herët dhe nuk e kisha shumë problem. Në vitin 1990 isha garues dhe ndihmës trajner në sport Schule “DOME” Frankfurt dhe pastaj që nga 1994 në SG’28 në Frankfurt në Gjermani, klub ky gjithëpërfshirës i sporteve. Edhe fëmijët e mi në atë vit u regjistruan në këtë klub.

Kur ke ardhur në Shqipëri dhe ke hapur ekipin e karatesë?

Fillimisht, kam ardhur me 3 janar 1991 dhe karatenë për herë të parë e kam demonstruar më 8 janar 1991, në Elbasan me të ndjerin Faket Përveticën, shok dhe asistent njëkohësisht. Aty demonstruam teknika vetëmbrojtje, sulmuese etj. Në datat 9 apo 10 kam demonstruar në palestrën “Asllan Rusi” dhe në palestrën e “SportKlub Tirana”, që në atë kohë ishte “17 Nëntori”. Në atë kohë, çdo palestër ka qenë e tejmbushur. Demonstrimet e tjera i kam bërë më pas në Shkodër, në Vlorë, Fushë-Krujë dhe pastaj në Tiranë. Më vonë kemi themeluar “Shoqatën Shqiptare të Karatesë”, me president Robert Papa dhe disa të tjerë. Kam patur një seksion tek “Voje Dervishi”, për çdo ditë me 22 veta, ku krahas seksioneve të tjera që kisha në vendet e tjera, kam dashur që ato persona t’i përgatis sa më shpejt, që t’i shpërndaj në të ardhmen nëpër seksione të ndryshme. Më të mirët kanë qenë për herë të parë, Ramiz Geci, Parid Dule, Brunilda Baçko, Driton Demiraj, Elton Shametaj, Rezart Spahia, Myzafer Rama, Astrit Hysa, Milazim Bahiti, Arjan Kumria, Ismail Spaçi, Arbis Vjerra etj.  Në vitin 1992, m’u desh të kthehem prapë në Gjermani, pasi  si mua ashtu edhe shumë shqiptarëve të tjerë nga Kosova, na thonin jugosllavë me pasaportë jugosllave. Një mbrëmje u acarova nga fjalët dhe gjërat që ndodhën aty dhe e grisa pasaportën jugosllave. Në vitin ‘91-‘92, kanë shkuar disa nherë policia serbe në shtëpinë time tek familjarët dhe të afërmit e mi, të cilët i kanë torturuar dhe keqtrajtuar nga disa spiunë serbë dhe shqiptarë. Babai im në atë kohë u ka thënë se “Enveri, djali im është në Gjermani dhe merret me sport, gjë tjetër nuk di”. M’u desh të pres deri në vitin 1996, të vinte koha kur edhe u mbajt një seminar në Durrës, ku në bashkëbisedim e sipër më të ndjerin Azem Hajdari dhe disa shokë të tjerë, me iniciativën time kemi themeluar “Unionin Mbarëkombëtar Shqiptar të Arteve Marciale”. Në këtë kohë erdhi për here të parë në Shqipëri kampioni i trefishtë i Amerikës në Teakuondo, aktor, koreograf dhe regjisor në Hollivud, Peter Malota. Me trazirat e ’97-tës, Unioni u shua dhe unë e vazhdova jetën time në Gjermani. Kurse prej pesë –vitesh, tashmë unë jetoj në Shqipëri, duke dhënë mësim tek QKA “Robert Radoja” tek “Siri Kodra” dhe tek “Klubi Energjia”. Tani jam drejtor dhe shef instruktor në UTKA (Uorld Traditional Karate Association), për Europën, me qendër në Livorno të Italisë. Jam gjithashtu edhe gjyqtar, teksa jap mësim, seminare në të gjithë Europën, ndërsa kam marrë pjesë në 12 kampionate botërore, 6 ndërkombëtar si gjyqtarë kryesorë për karate, si dhe në kampionate ndërkombëtare e botërore në federatat IKF, JKA, EIKO.

Cilat janë synimet tuaja për këtë sport, ku e shikoni Shqipërinë dhe Kosovën në dekadat e ardhshme?

Gjithmonë dhe gjithkund ka batica dhe zbatica, në çdo shtet ka bërryla dhe  kleçka. Në federatën e karatesë së Kosovës ka filluar një pozitivitet shumë i mirë, i suksesshëm me në krye president Ismet Krasniqi dhe bashkëpunëtorët e tij, që kanë qenë edhe kampionë edhe trajnerë të mirë, si Nazmi Gashi, Isak Curri, Ylber Syla, Idriz Baruti e disa të tjerë, po shkohet me hapa të sigurt. Më përpara kanë ecur mirë, por tani janë më të bashkuar dhe më korrektë. Ndërsa Federata Shqiptare e Karatesë, kuptohet fillimisht s’kanë mundur të dalin, pa viza. Unë disa hërë me miqtë e mi kemi bërë ftesa, kanë marrë pjesë në Mynchen dhe në turne të ndryshme, kanë patur suksese edhe këta sidomos të Elbasanit, Vlorës, Lezhës, Lushnjës dhe të Tiranës kuptohet.

 

BIOGRAFIA

 

Cili është Enver Cakiqi?

 

Enver Cakiqi është një sportist, një personalitet i sportit të artit të bukur të karatesë. Si edhe mjeshtër i disa arteve  marciale sic jane Kick Boxing , Jiu Jitsu, Tactical defense. Shqiptar nga Kosova me banim në Gjermani, i rregulluar me punët e tij shumë mirë, vjen këtu dhe hap, shoqatën e pare të karatesë me kryetar Robert Papa, që u kthye më vonë në Federatë (1994). Ndërkohë, ndihmoi edhe Federatën e Boksit me udhëheqësit Ahmet Golemi, Ramiz Reka etj. Ai mbante mbi supe tituj ndërkombëtarë dhe licencimet e trajnerit më të lartë ndërkombëtarë për karatenë. Sot në rolin e trajnerit, drejton që nga viti 1994 SG ’28 e.V. dhe SKG-Kosova-Franfkurt, ekipet shqiptare në UTKA, EIKO dhe IKF përfaqëson Shqipërinë dhe Kosovën, me bashkëpunëtorët dhe sportistët nga Gjermania, Zvicra në ndeshjet ndërkombëtare në botë edhe Europë, me flamurin shqiptar. Ndwrsa pozicionimi i tij në bordet drejtuese të Federatës Botërore të Karatesë (VTKA), kampion në rininë e tij në rang ndërkombëtarë, trajner më tituj europian dhe botërorë me Shqipërinë, dhe tani në Federatën Botërore, arbitër ndërkombëtarë, dhe anëtarë i bordeve si ekzekutiv e tregon më së miri edhe guximin dhe talentit e tij të paçmueshëm