VIDEO VIRALE/ Miu “i trashur” gjatë dimrit ngec në vrimën e pusetës, vjen skuadra e zjarrfikësve për ta shpëtuar

VIDEO VIRALE/ Miu “i trashur” gjatë dimrit ngec në vrimën e pusetës, vjen skuadra e zjarrfikësve për ta shpëtuar
Një ngjarje e pazakontë ka bërë bujë në qytetin Bensheim të Gjermanisë, ndërsa pamjet filmike janë shndërruar në virale në internet, duke bërë xhiron e rrjeteve sociale.

Bëhet fjalë për një “operacion shpëtimi” të skuadrës prej tetë zjarrfikësish dhe një eksperti kafshësh, për të shpëtuar një mi kanalesh që kishte ngecur në vrimën e një pusete.

Alarmi u dha nga një qytetar që sinjalizoi se miu kishte nevojë për ndihmë.

Brejtësi kishte një sasi të madhe dhjami të akumuluar në zonën e barkut gjatë dimrit. Ishte bllokuar në vrimë dha as nuk dilte dot jashtë, as mund të kthehej brenda pusetës”, ka treguar për mediat Michael Sehr, eksperti i shpëtimit të kafshëve, që ka marrë pjesë në operacion, i cituar nga BBC.

Zjarrfikësit ngritën kapakun e pusetës dhe e mbështetën mbi një pykë, duke i dhënë mundësinë ekspertit të ndërhyjë dhe për ta nxjerrë miun nga “çarku” të padëmtuar.

Ngjarja ka ndezur edhe një debat, nëse duheshin shpenzuar gjithë ato energji dhe duheshin impenjuar gjithë ata punonjës për një mi kanalesh.

“Edhe kafshët që janë të urryer nga shumë njerëz, meritojnë respekt”, është përgjigjja e ekspertit Sehr.

Por pas publikimit të videos në rrjetet sociale, zjarrfikësit “fituan” qindra mesazhe përgëzimi për kujdesin që tregojnë për kafshët, madje edhe për ato që prej shumëkujt konsiderohen si “të destinuara për t’u shfarosur”. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto dhe video: Berufstierrettung Rhein Neckar