Me mision sekret për të gjetur uran, si vdiq në tokën shqiptare kinezi 29-vjeçar

Me mision sekret për të gjetur uran, si  vdiq në tokën shqiptare kinezi 29-vjeçar
INTERVISTA/ Flet Drago Shehu, publicist, inxhinier gjeolog: Në vitin 1969, në Fushë-Bardhë u ngarkuam me një detyrë tepër sekrete: Të kontrollonim çdo vendburim minerali për uran dhe derivatet e tij. Kishim detyrë të heshtnim!

 Kujtime nga vitet e largëta të miqësisë mes Shqipërisë dhe Kinës. Atëherë, kur mjaft specialistë kinezë erdhën në vendin tonë për të dhënë ndihmën e tyre në zhvillimin e tij. Njëri prej tyre ishte edhe Pen Kui Ven, rreth të cilit flet sot në këtë intervistë të posaçme për “Albanian Free Press”, inxhinieri gjeolog, Drago Shehu. Ai e risjell atë përmes kujtimeve që mbart nga misioni sekret i vitit 1969, ku specialistë shqiptarë dhe kinezë u ngarkuan për të gjetur uran në zonën e Fushë-Bardhës. “Aty ne do të punonim rreth 15 ditë, për të parë dhe kontrolluar fosforitet mbi përmbajtjen radioaktive të tyre.  Ekspedita jonë, me karakter tepër sekrete për kohën. As mes nesh nuk bisedonim madje, pasi kishim frikë se dëgjonin njerëzit që lëviznin në ato vende”, rrëfen ai. Ndërsa risjell më pas edhe momentin tragjik të ndarjes nga jeta të kinezit 29-vjeçar Pen Kui Ven, në një aksident rrugor, afër Ballshit, ndërsa e kishin mbaruar misionin  e Fushë-Bardhës dhe ktheheshin për në Tiranë. “Kaq ishte  jeta e Penit, i cili vetëm 20 ditë qëndroi në Tiranë dhe të gjithë u dëshpëruam atëherë për inxhinierin 29-vjeçar”, thotë ai me mallëngjim...

 Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

A mund të na thoni diçka për misionin sekret të vitit ’69, për të gjetur uran në Shqipëri?

Po. Në gusht të vitit 1969, u nisa me shërbim nga Gjeofizika e Tiranës, për në Fushë-Bardhë, së bashku me specialistë kinezë dhe shqiptarë. Aty u ndamë në grupe dhe unë zgjodha Prongjinë.

Në Fushë-Bardhë ne do të punonim rreth 15 ditë, për të parë dhe kontrolluar fosforitet mbi përmbajtjen radioaktive të tyre. Ekspedita jonë, me karakter tepër sekrete për kohën kontrollonte çdo vendburim minerali për uran dhe derivatet e tij. Kryeinxhinier ishte Anastas Dodona. Ndërsa në ekipin e Prongjisë, sipas specializimit përkatës, unë do të punoja me specialistin kinez, Pen Kui Ven; e si gjithmonë, edhe me mikun tim të vjetër, Uan Shi Bao, përkthyes nga rusishtja, i ardhur që në vitin 1961. Edhe pse nuk i praktikonin vizitat në shtëpi, Uan Shi Bao më erdhi dy here për vizitë, atje ku e kisha te “21 Dhjetori”. Me të qëndrova 14 vjet dhe ai ndaj meje nuk mbante asnjë sekret ose rezervë, ndonëse isha sekretar i Byrosë të Partisë në Ndërmarrjen Gjeofizike. Por edhe kur shkova në Republikën Popullore të Kinës, ai këtë qëndrim mbajti ndaj meje. Uan Shi Bao e njohu këtu në Shqipëri Pen Kui Ven, i cili erdhi në Tiranë me grupin e tretë të specialistëve kinezë në korrik të vitit 1969, meqë ishte më i ri se ne, 29 vjeç, trupvogël dhe i thërriste shqip “Çuni”. U futëm në fshat dhe kryetari na priti me përzemërsi e na ftoi për kafe, meqenëse ishim dhe me dy të huaj. U prezantuam dhe i thashë kryetarit sa duhet të dinte që puna jonë ishte tepër sekrete. As mes nesh nuk bisedonim madje, pasi kishim frikë se dëgjonin njerëzit që lëviznin në ato vende. Kishim detyrë të heshtnim. Nuk luhej me detyrën kur thuhej “tepër sekret”. Gjatë  ditëve të  qëndrimit kërkuam  një shoqërues.

 

Me se lëviznit nëpër zonat malore dhe si bashkëpunonit me kinezët?

Ne kishim makinë të vogël kineze, ose “Xinfunë” si i thoshim, prodhim kinez që e linim në krye të fshatit, afër baxhos me shoferin. Ne ngjiteshim në majë të malit, në pjesën e zhveshur, nga mali i Delvinës, mbi fosforite. Pylli fillonte me gështenja, bredha dhe pisha  shumë të larta, që shtresa fosfatike ndihmonte shumë pyllëzimin. Uan Shi Bao kishte studiuar për  mjek në Moskë. Pastaj kishte përfunduar përkthyes nga rusishtja. Ai nuk ecte dot mirë, sidomos në rrugë të thepisura dhe  shkëmbinj.  “Teknika dhe miqësia shqiptaro-kineze s’kanë nevojë për  përkthyes”, i thosha. Teksa mendjen e kishim vetëm të gjenim uran.

Pas dy ore, shkuam në vendin e caktuar, pamë busullën dhe hartën dhe filluam matjet me radiometër, ndërkohë që filluan  ca pika shiu dhe menjëherë gjëmime të fuqishme. Në moment u kujtova, ç’kyça aparatin dhe të tre u futëm në trungun e një ahu të madh. Në këtë kohë, mendja më shkoi te rrufetë, e kuptoi dhe Peni, dhe punëtori që pema në atë lartësi ishte “rrufepritëse”. Ne u lagëm në moment, pastaj u futëm në një shkurre, pa kaluar 5 minuta, në ahun ku qëndruam ne, ku shkarkoi një rrufe e fuqishme, pema mori flakë dhe nga afshi dhe presioni u shtrimë për tokë pa e kuptuar. Tani s’po bënim fjalë për t’u lagur, por për kokën.  Errësirë dhe shkreptima, nuk e dinim ku ishim.  Penit i kërkova  busullën të orientoheshim. Por e kishte lënë tek  trungu që u dogj. Harta dhe çdo gjë ishte lagur, radiometri doli jashtë përdorimit. Ne ndodheshim mes pyllit dhe nuk shikonim asgjë. Edhe punëtori vendas nuk na nxori nga situata. Ndërkaq,

Uan Shi Bao dhe kryetari i lokalitetit në darkë vonë dhanë alarmin kur shiu po pushonte. Tani po na merrte dhe uria. Peni në çantë kishte pakë djathë të njomë, që ia dhanë në  baxho. Po atij s’i shkonte mendja për djathë, e kishte humbur fare toruan.

Pas pak, dëgjuam ca britma çobenësh, ca krisma armësh dhe qentë që lehnin nga shumë larg . Njerëzit e mirë të Prongjisë, kryetari i këshillit dhe Uan Shi Bao na pritën me mallëngjim dhe me lot në sy. Ndërkaq, në Prongji erdhëm prapë të pasne-sërmen  kur edhe shiu kishte pushuar. Kur mbaruam krejt detyrat do të linim Fushë-Bardhën, ku kishim bazën dhe do të ktheheshim në Tiranë.

Dy kinezë të tjerë, Uan Shi Bao dhe unë, u nisëm dhe sa u futëm në Tepelenë, ai filloi nga  shakat dhe u thoshte kinezëve të tjerë:

“Kjo është  kalaja e gjyshit të Dragos...”. Aty pushuam pak, pimë kafe, kinezët çaj, pastaj u nisëm për në Ballsh  ku do të hanim të gjithë drekë. Kur ne po prisnim, një shofer “Skode” na tha se makina “BÇ” ishte  aksidentuar në dishezën e fshatit Fratar, për shkak se në mes të rrugës dikush kishte derdhur vaj makina dhe “BÇ”-ja kishte rrëshqitur e bërë 2-3 salto. Na thanë se ka të plagosur rëndë ...

Ne u kthyem  menjëherë mbrapsht për tek vendi. Pa bërë 5 km rrugë, pamë një kamion “IFA” drejt nesh që po ecte me shpejtësi dhe shokët tanë kinezë, që po qëndronin në karroceri. Llambi na e bëri me dorë të kthehemi. Kur e pashë Llambin që ishte mirë, më shkriu gjaku. Të tjerët ishin gjakosur. “IFA”u drejtua për nga Spitali i Ballshit. Peni i shtrirë te Kostaq Shahini dhe një topograf i vjetër e kurajoz e mbante para duarve me trupin tërë gjak dhe një këmbë të varur, që i tundej si lavjerrës.

Në spital, vëmendje iu tregua Penit që ishte në agoni, kurse të  tjerët kishin mjekime të vogla. Mbas tre orësh erdhën me urgjencë ambasadori i Kinës, Gun Biao, që më vonë u bë ministër i Mbrojtjes në Kinë, i shoqëruar nga zv/ministri ynë. Pas pak, mjekët  thanë se Pen Kui Veni, ndërroi jetë... Kishte humbur shumë gjak. Të nesërmen, u varros me ceremoni në varrezat publike të Sharrës në Tiranë. Afërsisht 50 vjet më parë, afër me bashkatdhetarin Çen Pao Y, që u vra në montimin e antenës në Dajt. Kaq ishte  jeta e Penit, i cili vetëm 20 ditë qëndroi në Tiranë dhe të gjithë u dëshpëruam atëherë për inxhinierin 29-vjeçar. Peni është varrosur në parcelën e parë, te porta në krahun e majtë rreshti i dytë. Nga ana tjetër, kam  prindërit dhe pak më lart bashkëshorten, e sa herë do të shkoj së paku do ta kthej kokën andej, ose do vendos ndonjë karafil.

Po ju a keni shkruar në Kinë? A shkuat në shtëpinë e Penit?

Po. Në vitin 1973 shkuam dy veta në Kinë për specializim. Dhe me lejen e ministrisë sonë do të shkonim në familjen e tij në shenjë respekti e nderimi. Por ambasada jonë në Pekin, na  tha se familja e tij ndodhej shumë larg, rreth 1000 km. “Ne si Ambasadë në rrugë protokollare  e diplomatike, i kemi  bërë të gjitha nderet që na takojnë”, na thanë atëherë në ambasadë. E kështu u mbyll historia me Pen Kui Venin... Dhe ndërsa në gusht të këtij viti, Peni mbush 50 vjet nga ndarja, unë do t’i shkoj në varreza me një tufë lule.

Si i ruani në kujtesën tuaj kinezët?

Kinezët, me sa i njoh unë, ishin njerëz shumë të mirë, të  ndershëm, punëtorë, të edukuar, specialistë të nivelit të lartë dhe të dashur shumë me shqiptarët. Pa u futur në politikë, mua s’më ka ardhur hiç mirë kur u prishën marrëdhëniet mes  dy  vendeve.

Ju vini nga një familje, e cila ka patur lidhje të forta me luftën. A mund të na tregoni dika patur lidhje të forta me luftën. A mund të na tregoni diçka rreth kësaj?

Babai im, Reshat Shehu, ka mbaruar shkollën me Avni Rustemin si mësues në Tepelenë. Ndërsa babai i tij, domethënë gjyshi im, Sheh Maksuti së bashku me Sami Beun u zgjodhën delegatë nga Kazaja e Tepelenës për në Vlorë në vitin 1912, për të marrë pjesë në ceremoninë e pavarësisë së vendit. Ndërsa vëllai i Reshatit, xhaxhai im Haxhi Shehu me akademi ushtarake të mbaruar në Bolonjë, u burgos nga regjimi i Zogut dhe u dënua me 101 vjet burg si kundërshtar i tij. Kurse Reshati në vitin 1941 u caktua si kryetar komune në Kardhiq me qendër në Prongji, ku qëndroi dy vjet. Këtu u njoh me shumë familje patriote dhe qysh në fillim të punës së tij, u lidh ngushtë me Luftën Nacional-Çlirimtare. Ndërkaq, në muajin shtator 1942, Reshatin e arrestojnë një grup karabinierësh dhe e çojnë në Gjirokastër me urdhër nga Prefekti. Ndërsa në shtëpinë tonë strehoheshin Tahir Kadareja, Bedri Spahiu, Adil Çarçani, Haki Toska, etj. Populli i asaj zone, me në krye patriotet Hamza Makashi dhe Emin Zogun bënë të mundur kthimin e tij në Prongji. Për këtë arsye, e transferojnë po si kryetar komune në  Labovë të Zhapës. Aty u lidh përfundimisht me LANÇI-in me armë në dorë në Batalionin “Baba Abaz”, ku u bë invalid dhe më pas ishte delegat edhe në Kongresin e Përmetit.