
Administrata publike në vend vazhdon që të vuajë nga këto problematika të mbartura ndër vite. Dukuri kjo që konfirmohet nga raporti më i fundit i Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.
“Janë evidentuar 357 raste të emërimeve të parregullta, që zënë 22% të pozicioneve të punës pjesë e shërbimit civil në institucione”, pohon ai. Më tej, jep detaje se në këto emërime përfshihen ato “të kryera në kundërshtim me procedurat e rekrutimit”, “raste kur nëpunësit nuk kanë arsim të lartë”, ose “nuk i plotësojnë kriteret për pozicionin e punës ku janë të emëruar”. Sikundër, ky institucion pohon edhe dukurinë se punonjësit që emërohen në administratë vazhdojnë të shkelin rregullat e punës dhe prandaj përjashtohen prej saj.
“Nuk përmbushin detyrat sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, kanë parregullsi në kryerjen e detyrës, si dhe kanë mosrespektim të disiplinës në punë”, sqarojnë ekspertët e shërbimit civil. Sipas tyre, vetëm gjatë vitit të kaluar në institucionet kryesore të vendit, për të gjitha këto arsye janë dhënë 60 masa disiplinore, ku 1/10-ta prej tyre për shkelje shumë të rënda, deri në largim nga shërbimi civil.
Nga ana tjetër, një problem që vihet re me administratën publike është edhe ai i moskthimit në punë të punonjësve që kanë fituar gjyqet e hapura ndaj shtetit. Situatë kjo që sipas Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil është krijuar jo vetëm nga mungesa e vullnetit të institucioneve për të ekzekutuar vendimet e gjykatave. Por edhe nga pengesa financiare apo ligjore.
“Janë 311 vendime të formës së prerë, që ende nuk janë ekzekutuar, të cilat u përkasin 12 (ose 4%), institucioneve të pavarura; 209 (ose 67%) administratës shtetërore dhe 90 (ose 29%), njësive të qeverisjes vendore”, sqarojnë ekspertët.
22
Kandidatë për një vend pune ka qenë fluksi i kandidatëve që konkurruar për një vend pune gjatë vitit të kaluar, më i lartë sesa vitet e mëparshme duke e shtuar trysninë për ta fituar atë
357
Është numri total i emërimeve të parregullta që janë konstatuar gjatë vitit të kaluar se janë bërë në administratën publike, ose 22% e totalit të pozicioneve të punës