AKSIONI/ Opozita në protestën e saj të tetë, mes tymit e përplasjeve të radhës

AKSIONI/ Opozita në protestën e saj të tetë, mes tymit e përplasjeve të radhës
Mbështetësit e opozitës kanë protestuar dje para Kuvendit, teksa mbahej seanca plenare, duke vijuar më pas para Kryeministrisë. Mungonte kreu demokrat, mesazh inkurajues që nga Berlini

Opozita u gjend dje në protestën e saj të tetë, para Kuvendit ndërsa zhvillohej seanca plenare, teksa vijoi më pas edhe para Kryeministrisë. Ndërkohë që mungonte kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Gjithçka ndodhi pak a shumë si edhe në protestat e mëparshme, ku këtë herë organizimi i saj ishte marrë përsipër nga Forumi Rinor Demokrat. Tym kapsollash, përpjekje për të çarë kordonin e policisë, thirrje prej kësaj të fundit për të ruajtur qetësinë dhe në fund, kthim i protestuesve në selitë e tyre partiake...

 

***

Përplasja nisi që te Pedonalja

Grumbullimi i protestuesve të opozitës përpara Kuvendit shënoi incidentin e parë dje, teksa dhjetëra prej tyre janë përplasur me forcat policore te Pedonalja. Kjo pasi policia ka krijuar një kordon për të mos lejuar hyrjen e tyre zonën rreth Kuvendit ku mbahej seanca plenare. Efektivët e policisë u janë drejtuar atyre, duke u thënë se duhej të respektohej perimetri i sigurisë, për të cilën Policia e Shtetit ka rënë dakord me organizatorët e protestës që në fillim. Kujtojmë sakaq se edhe në protestat e mëparshme, pikërisht në këtë zonë janë shënuar përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Protestuesit tentojnë të çajnë kordonin

Më tej, para mjediseve të Kuvendit, protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë dhe kanë hedhur shashka dhe tymuese në drejtim të tyre. Ndërsa policia nga ana e saj ka kërkuar nga protestuesit të ruajnë qetësinë e gjakftohtësinë, ndërsa nuk kanë munguar prej saj edhe paralajmërimet për dënime. “Merrni masa të menjëhershme që protestuesit të cilët kanë mbuluar fytyrën me shall e maska, ose të zbulojnë fytyrën, ose t’i largoni menjëherë nga protesta”, ka qenë një ndër thirrjet e policisë. Duke shtuar se sipas ligjit për tubimet, mbulimi i fytyrës dënohet deri në 6 muaj burg.

Incidenti, militantët rrahin një person

Pas zhvendosjes së protestës së opozitës përballë piramidës, mes tyre është shënuar një tjetër përplasje fizike. Kështu, disa protestues kanë sulmuar një prej tyre me grushte dhe shkelma. Ndërsa mes tyre ka ndërhyrë edhe një zonjë, e cila është përpjekur t’i ndajë.

Mbyllja, Paloka: Ka shumë urrejtje!

Në mungesë të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte nënkryetari i kësaj force politike, Edi Paloka ai që mbylli protestën e djeshme. Sipas tij, protesta u udhëhoq nga studentët, ndërsa shtoi se kryeministri Edi Rama nuk duhet të bazohet tek numri i protestuesve të opozitës dhe të mos bëhet aspak krahasim me mbështetësit e kryeministrit gjatë turit “Bashkia që duam”. “Ne mund të jemi një ditë më pak, e një ditë më shumë”, tha Paloka. Por ajo që nuk ndalet sipas tij është urrejtja e madhe e shqiptarëve kundër kryeministrit.

Rama ik, Rama shporru, shqiptarët nuk të duan më. Shumë shpejt do ta shihni sesi do të marrë vrapin dhe nuk do të dijë ku të ndalet nga udhëheqja qytetare. Ne do të jemi në shesh dhe ai duhet të kuptojë se urrejtja e grumbulluar në shpirtin e shqiptarëve është gjithmonë aty dhe një ditë do ta mbysë”, tha Paloka.

 

INCIDENTI

Protestuesit te Kryeministria, i vënë flakën “piramidës”

Në shenjë simbolike, protestuesit i vunë dje flaken një piramide kartoni, ku kishin shkruar edhe disa etiketime që i drejtoheshin qeverisë. Kështu, protestuesit e opozitës, menjëherë pas Kuvendit, bashkë me ish-deputetë të dy partive kryesore opozitare të zhvendosur përpara piramidës, i kanë vënë flakën një objekti kartoni, që sipas tyre ajo tregon korrupsionin në vend.

 

KRYEDEMOKRATI

Basha, kurajo nga Berlini: Shqiptarët janë kundër Maduros së Ballkanit!

Edhe pse vetë nuk ishte i pranishëm në protestën e opozitës para Kuvendit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka ndjekur atë. Duke përcjellë edhe një mesazh rreth saj nga Berlini, ku do të takohet me zyrtarë të CDU-së dhe Partive Popullore Evropiane. Në qendër të takimeve të tij është situata politike në Shqipëri dhe aksioni i opozitës për largimin e qeverisë “Rama”. Sipas Bashës, qytetarët shqiptarë janë ngritur kundër Maduros së Ballkanit, i cili është kapur duke vjedhur. “Ky vend ka Zot! Sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli shqiptar” shkruan Basha.