“Borxhlinjtë” e këqinj në tatime veç po shtohen, kryesojnë ata nga Vlora

“Borxhlinjtë” e këqinj në tatime veç po shtohen, kryesojnë ata nga Vlora
DUKURIA/ Administrata tatimore raporton shtim të tyre në masën prej 17% gjatë muajve të fundit

Në vend që të pakësohen, ata duket se vetëm po shtohen. Fjala është për ata që konsiderohen si “borxhlinj” të këqinj nga administrata tatimore. E që përkthehen në subjekte, të cilët nuk kanë shlyer në kohën e dukur detyrimet fiskale.

Kështu, sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, listës së kësaj kategorie në tatime i janë shtuar edhe 4361 biznese vetëm në harkun kohor të tetë muajve. Për ekspertët tatimore, nga qershori 2018 deri në fund të shkurtit 2019 lista e zezë e bizneseve borxhlinjve u zgjerua në masën prej 17%, duke arritur në rreth 24.5 mijë të tillë.

Ndërsa qarqet më numrin më të madh të borxhlinjve rishtarë, për periudhën në fjalë figurojnë se ishin Vlora dhe Tirana.

Ndërkaq, kujtojmë se lista e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, përfaqëson bizneset ndaj të cilave administrata tatimore ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre.

Gjithmonë sipas tatimeve, lista është publike me qëllimin që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi i tyre tatimor i papaguar të arkëtohet.

Sipas rregullave, sa herë që administrata tatimore konstaton se një tatimpagues nuk ka paguar plotësisht dhe në datën e caktuar detyrimet tatimore, administrata tatimore i dërgon një njoftim me shkrim, ku kërkon pagesën e plotë të detyrimit tatimor.

 

 

4361

Është numri i bizneseve të rinj, të shtuara në listën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për mospagim në kohë të detyrimeve tatimore, vetëm në harkun kohor të tetë muajve

 

17%

Figuron të ketë qenë rritja e nivelit të atyre që konsiderohen si “borxhlinj” të këqinj nga administrata tatimore për shkak të mosshlyerjes në kohë të detyrimeve

 

 

NDARJA

Borxhi më i madh i papaguar, ai për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, ose siç njihet nga të gjithë si TVSH-ja figuron të jetë edhe lloji i tatimit që zë peshën më të madhe në listën e borxheve të papaguara ndaj administratës tatimore prej subjekteve private. Konkretisht, sipas kësaj të fundit, ai zë rreth 36% të totalit të tyre. Më pas, raportohet se ai ndiqet nga Tatim-Fitimi me një borxh në nivelin prej 28%, si edhe mospagesat e kryera për sigurimet shoqërore, apo ato shëndetësore prej bizneseve në masën prej 12%. Ndërsa taksat dhe tatimet e tjera të papaguara thuhet se zënë çerekun e borxhit, që figuron ende si i papaguar prej bizneseve ndaj autoriteteve tatimore.