DOSJA ’97/ Bandat, si e shkatërruan supermarketin e VEFA-s dhe Bankën e Kursimeve në Vlorë

DOSJA ’97/ Bandat, si e shkatërruan supermarketin e VEFA-s dhe Bankën e Kursimeve në Vlorë
“Albanian Free Press” vijon publikimin e kujtimeve të shkruara në letër nga njeriu që drejtoi  kompaninë rentiere VEFA, gjatë nisjes së vitit të mbrapshtë, 1997...

POHIMI TRAGJIK:“Brenda 48 orëve nga fillimi i përleshjeve, në Vlorë u numëruan 25 të vrarë, 9 vetë nga qyteti, 16 veta nga fshatrat dhe mbi 100 vetë të plagosur. Ky bilanc i frikshëm do të merrte përmasa të paimagjinueshme shumë shpejt dhe deri në fund të vitit 1997 Vlora do të vajtonte mbi 300 viktima dhe rreth 2.000 të plagosur, ose 10% të të gjitha viktimave në shkallë vendi.

“Në qoftë se situata e Vlorës nuk përhapet, ato dëme nuk më shqetësojnë fare. Por ne, sidoqoftë duhet të marrim masa për të ruajtur objektet në Tiranë, ku kemi shumicën e vlerave. Nga qeveria nuk kemi asnjë shpresë, na la në baltë, ne dhe gjithë vendin, të gjithë e kanë mendjen vetëm dhe vetëm tek paratë. Prandaj duhet të marrim masa të mbrohemi vetë”. Këto fraza të Vehbi Alimuçës, pronarit të kompanisë rentiiere, VEFA, pas grabitjeve të para në Vlorë, citon ky rrëfim i radhës, nga ditari i ish-drejtorit të përgjithshëm i VEFA-s, Memush Habilaj, zbardhur posaçërisht për lexuesit e “Albanian Free Press”. Shoqëruar me detajet sesi u grabit supermarket i VEFA-s në Vlorë, duke iu shkulur nga bandat dhe turmat, deri edhe pllakat; apo Banka e Kursimeve, kasaforta e së cilës u tërhoq zvarrë dhe u nxor në pazar të hapur…

***

“Mars 1997

E shtunë, 01.03.1997

Ora 0600 - Duket sikur ka rënë qetësia në qytet, kanë pushuar krismat dhe turma është kthyer në shtëpia. Sapo hapet pak dita marr një nga shoqëruesit dhe shkoj tek fabrika e tullave. Tek klubi pranë saj duken grupe njerëzish, midis tyre dhe punonjës nga tanët. Të gjithë të armatosur me karabina dhe automatikë. Pyes punonjësit dhe ata treguan se dëgjuan që po hapen depot e ushtrisë dhe lajmëruan me celular njëri-tjetrin zinxhir. Kur vajtën tek depot nuk kishte roje dhe morën ç’mund të gjenin, shumë erdhën me makina e karroca, shkatërruan gjithçka, asnjë rezistencë nga ushtria. Hyjmë në klub të gjithë të armatosur. Kishte filluar edhe shitja e armëve. Pas pak vijnë makinat me hungarezët dhe rojet. Caktojmë planin e lëvizjes: në makinën e parë tre roje dhe unë, në të mesit hungarezët, në të tretën një nga hungarezët dhe tre roje. Të gjithë me armët dhe telefonat në gatishmëri, se radiot nuk punonin.

Nisemi, dalja nga Vlora e qetë. Në Panaja rruga ishte e bllokuar me gurë dhe një eukalipt i rrëzuar.

Kthehemi djathtas nëpër një rrugë bujqësore dhe çajmë nëpër ullishte, makinat tona kalojnë rrugë pa rrugë dhe dalim te kompleksi i “Gjallicës”, të cilin e pamë të shkatërruar komplet dhe të grabitur. Pak më tutje ishte një benzinatë e “Kamberit”, qëndrojmë një moment dhe pyesim rojet, thanë që natën ishte një çmenduri e vërtetë, por tani është qetësi. Deri në urën e Mifolit ecëm pa pengesa, tek ura disa njerëz të armatosur që nuk na kushtuan vëmendje. Në hyrje të Levanit turma njerëzish në rrugë, nuk donin të na hapnin rrugë megjithë lutjet tona. Por me disa breshëri automatiku në ajër, rruga u hap menjëherë dhe njerëzit ia mbathën me vrap.

Në Qafë të Koshovicës gjejmë një repart policie, i takojmë, midis tyre gjetëm të njohur. Ua tregojmë hallin tonë, u treguan të gatshëm të na shoqëronin me një furgon policie deri tek Ura e Mbrostarit. Kur kaluam urën gjetëm një lokal hapur dhe ulemi të gjithë të hamë mëngjes. Pastaj ndahemi me policët duke i falënderuar. Kur mbërrijmë tek Klubi i Shoferit na thanë se në Lushnjë nuk mund të kalohet dhe u detyruam të dalim nga Divjaka. Edhe këtej endeshin grupe nëpër rrugë, por nuk na shqetësuan. Tek ura e Rrogozhinës pengesa të tjera, por arrijmë të kalojmë. Në Kavajë çajmë një turmë të çoroditur dhe përfundojmë tek Shkëmbi i Kavajës, ku ishte një lokal i VEFA-s. Qëndrojmë për një kafe. Këtej ishte qetësi. Rreth orës 1200 arrijmë në Rinas, përcjellim hungarezët deri tek aeroplani dhe ndahemi përzemërsisht me ta. Marrim rrugën për në selinë qendrore për të takuar Vehbi Alimuçajn. E gjej në zyrë dhe i thashë që hungarezët u nisën shëndoshë e mirë. Sapo ishim ulur, kur telefonojnë nga Vlora që u sulmuan dhe u grabitën kopetë e VEFA-s në Armen dhe Radhimë, si edhe fabrika e qumështit në Xhyherinë. Priten goditje ndaj objekteve të tjerë. Nuk morëm të dhëna të hollësishme si kishin ndodhur ngjarjet. Nuk e prisnin dhe Vehbiu filloi të nxehej e të bërtiste kundër qeverisë e PD-së: “Na gënjyen, na thanë se do ta rregullojmë gjendjen në Vlorë dhe ja se ç’gatuan. Ruajtën vetëm paratë e tyre, etj”. I them se duhet të nisem urgjent për në Vlorë, rruga zgjat rreth 4-5 orë me pengesat rrugës, prandaj duhet të nisem me helikopter. Vehbiu dha urdhrin të bëhej gati helikopteri, ndërkohë i tregova shkurt se ç’ndodhi natën e mbrëmshme në Vlorë. “Nisu shpejt, - më tha, - mungesa jote mund të sjellë probleme të tjera. Ne s’kemi armë këtu, na i lini neve armët që kanë rojet e tu me vete”. Lidhem me drejtorin e filialit të Fierit dhe i them se pas gjysmë ore do të ulem tek serat tek kthesa e Patosit, “më duhen nja 10 automatikë, m’i sill atje”.

Zbresim me Vehbiun në kafen e selisë dhe u them bodigardëve t’i lënë automatikët këtu se rojet e selisë qendrore janë vetëm me shotgan. “Mbani me vete vetëm pistoletat, udhëtoni të bashkuar, shmangni konfrontimet rrugës. Mirupafshim në Vlorë. Ju dua të gjithëve shëndoshë e mirë”, na tha Vehbiu.

U nisëm nga pista tek liqeni artificial, e rreth orës 1430 jemi mbi Fier, dalloj nga lart makinën e Jakup Ternovës (drejtori i Fierit) dhe ulemi në lëndinën anës rrugës. Marrim armët dhe nisemi shpejt. Shmangim fluturimin mbi rrugët kryesore dhe fshatrat. Kur afrohemi afër Bunavisë shohim një tym të madh që ngrihej prapa kodrave, po digjeshin depot e ushtrisë në Bunavi. Nga lart dukeshin mijëra njerëz, makina, kafshë e karroca në një lëvizje kaotike, brenda e jashtë territorit të depove. Varganë me njerëz e kafshë u ngjiteshin faqeve të kodrave drejt Risilisë e Babicës. Kur u afruam disi, na qëlluan me breshëri automatiku, megjithëse helikopteri kishte siglën VEFA me gërma të mëdha që dukeshin nga toka. Piloti mori lartësi për të mos ngrënë ndonjë plumb.

Ulemi në një lëndinë në Babicë të Vogël, lidhem me selinë e Vlorës dhe kërkoj një makinë. M’u përgjigj zëvendësi im dhe tha se është e pamundur të lëvizë ndonjë mjet, sepse po bëhet varrimi i viktimave të mbrëmshme e rrugët janë të bllokuara nga mijëra njerëz. Piloti mori rrugën e kthimit, i lashë disa armë për në Tiranë dhe e porosita të mbante lartësi për të mos u goditur. Piloti ishte një burrë trim, i përgatitur e pa llafe, që në atë kohë bëri me dhjetëra fluturime në linjën Tiranë-Vlorë dhe drejtime të tjera në shërbim të kompanisë.

Mbeta vetëm me bodigardin, një djalë i mirë nga Vlora, që kishte qenë boksier dhe që gëzonte reputacion në Vlorë, emrin e kishte Maksi, qe djalë trim dhe nuk guxonte ndonjë bandit të “kruhej” me të. Marrim armët dhe shkojmë tek njerëzit e mi që i kishin shtëpitë nja 200 metra larg vendit të zbritjes. Takoj vëllezërit, nënën dhe të tjerët. Bisedoj me nipërit dhe u them të më gjejnë një makinë dhe të shkojmë në Vlorë. Na nxjerrin diçka për të ngrënë. Në një cep të oborrit shoh një stivë armësh e arka me fishekë, pyes se ku i kanë marrë. Vëllai i mesëm ma shpjegon se ç’kishte ndodhur natën që kaloi.

“Ishte mesi i natës, -tregoi ai, -të gjithë në gjumë. Kur dëgjojmë bori makinash dhe goditje të forta nëpër dyer. Del në oborr, hap portën përgjysmë me kujdes, drita makinash ndriçonin rrugën, disa njerëz të panjohur na drejtohen me zë të lartë: -Merrni armët dhe vraponi në Vlorë, Vlora është në rrezik, po na e marrin kriminelët”. Pa pritur përgjigje, na lëshuan tek këmbët automatikë e pushkë dhe arka me fishekë. Nuk dinim ç’të bënim, mbetëm si të hutuar, nuk po kuptonim gjë. A mund t’u besonim këtyre njerëzve të panjohur? Çfarë po ndodhte? Ata shkuan në çdo derë dhe linin armët me të njëjtat thirrje. Në errësirën e natës dhe me shiun që binte ne nuk mund të bënim asgjë.

Mblidhemi disa nga gjitonët dhe diskutojmë se çfarë po ndodh dhe si të veprojmë. Vendosëm të rrimë zgjuar dhe me armët gati për çdo të papritur për të mbrojtur familjet tona. Afër të gdhirit dëgjojmë që u sulmuan dhe u hapën depot e ushtrisë këtu tek ne (rreth 1 km matanë), nuk u mor vesh se kush e bëri, kur vajtëm ne tek depot gjetëm atje shumë njerëz nga Vlora e Pusi i Mezine që po bënin bastisjet, ushtarët dhe oficerët e repartit nuk dukeshin gjëkundi. Deri në drekë nuk kishte ngelur gjë nga reparti ushtarak, as armë, as materiale, turmat që erdhën më vonë filluan të shkulnin edhe dyert e dritaret, e së fundi tullat.

Akoma nuk po marrim vesh se kush po i bën të gjitha këto. Ne jemi përgatitur të ruajmë veten tonë, prandaj po i mbajmë armët. Këtë gjë e kanë marrë vesh rreth e rrotull, prandaj besoj se nuk do të guxojë njeri keqbërës të na shqetësojë”.

Shohim në televizor ceremoninë e varrimeve që po jepej drejtpërdrejt, një turmë e pafund njerëzish, varrimet u shoqëruan me breshëri armësh nga njerëzit e armatosur. Ndërkohë, një nga nipërit bëri gati një makinë për të ikur në Vlorë. Sapo do niseshim, kur vjen një lajm se në ceremoninë e varrimeve është vrarë një djalë nga Babica e Vogël, nuk dihet sesi, ai ishte emigrant në Itali dhe nuk e dinte njeri që ishte kthyer në Vlorë. Pas pak e sjellin të vrarin në familje. Na thanë që rruga qe e lirë dhe nisemi për në Vlorë. Në Qafë të Koçiut takuam grupe të armatosura, por e njihnin makinën e nipit dhe nuk na shqetësuan. Kur zbresim në qytet filloi të errësohej. Rrugët për në qendër të qytetit ishin bllokuar nga grupe të armatosura, që qëllonin në çdo drejtim. Ishte e pamundur t’i afroheshe qendrës.

Vendosëm të presim me shpresën që guerrilasit të mund të largoheshin. U kthyem tek shtëpia e nipit tjetër diku pranë spitalit ku ndenjëm 2-3 orë, herë pas here nipi më i vogël zbriste për të parë nëse ishte liruar rruga.

Flisja në telefon me selinë, edhe ata të bllokuar. Nusja e nipit na përgatiti darkën. Pasi mbaruam darkën, më telefonojnë nga selia se po sulmojnë dhe po grabisin supermarketin e VEFA-s në qendër të Vlorës. Një grup i armatosur që po udhëtonte me një furgon të bardhë largoi rojet duke i kërcënuar me automatikë, pastaj lidhën një kavo në derën kryesore të supermarketit dhe e tërhoqën me furgonin e tyre. Pas kësaj, u turr një turmë që rrëmbeu gjithçka. Unë me shoqëruesin dhe nipin duke u përzier me turmën mbërritëm deri te super-marketi, ku për pak minuta u rrëmbye çdo gjë.

Përballë, në anën tjetër të rrugës ishte Banka e Kursimeve që pësoi të njëjtin fat. Turma zvarriti deri në rrugë një kasafortë të madhe, e cila ngeli aty për disa ditë. Duke kaluar nëpër rrugica të errëta shkojmë deri afër selisë tonë, por nuk mund të hynim brenda, rreth e rrotull vinin grupe të armatosur që nuk linin njeri të lëvizte. Mbaj vazhdimisht lidhje me telefon me rojet e selisë, si dhe me Vehbi Alimuçajn në Tiranë. Strehohemi tek një njeriu ynë, që e kishte shtëpinë rreth 100 metra nga selia, në pritje të largimit të njerëzve të armatosur rreth selisë. Aty rreth mesit të natës, ata largohen dhe hyra në seli. Hap zyrën dhe me linjën e veçantë kontrolloj gjendjen në objektet e tjerë. Të gjithë prisnin të sulmonin, por tani pas mesit të natës sikur u qetësua pak gjendja.  Mbaj lidhje të vazhdueshme me Tiranën dhe me policinë e ruajtjes së objekteve tona, shefat e ruajtjes ishin bllokuar të gjithë, nuk lëviznin, vetëm mbanin lidhje telefonike me rojet. Çdo makinë që lëvizte, goditej me armë pa paralajmërim.

 

E diel, 02.03.1997

Në orën 0200 pas mesnate sulmohet kompleksi në plazh, i njëjti automjet, të njëjtët njerëz të armatosur. Pas tyre, një lukuni e tërbuar njerëzish që grabiti e shkatërroi gjithçka për disa minuta. Rojet me makinat nga Tirana qenë bllokuar në Lushnjë dhe nuk mund të vinin në Vlorë. Atje ngeli pothuaj gjysma e bodigardëve të grupit të gatshëm, ata mundën të vinin vetëm pas tre ditësh në Vlorë. Të mbetur me gjysmën e rojeve nuk mund të përballonim presionin, të paktën për të ruajtur selinë dhe ndonjë objekt tjetër në Vlorë.  I sugjeroj Vehbiut të më dërgojë në ndihmë një skuadër me helikopter nga Tirana. Ai qe dakord dhe rreth orës 0700 të datës 02.03.1997 ata zbritën në Babicë të Vogël, pastaj erdhën në këmbë në Vlorë. Me këto forca mund ta mbanim të paktën selinë.

Në orën 0700 të datës 2 mars mblidhen edhe përgjegjësit e ruajtjes dhe bëjmë analizën e gjendjes. Ishin shkatërruar supermarketi dhe kompleksi në Plazhin e Ri, fabrika e qumështit në Xhyherinë, grabitur dy kopetë në Armen dhe Radhimë (2.000 kokë dele e dhi). Kopetë u grabitën nga disa prej barinjve që duhej t’i ruanin. Paraditja kaloi në qetësi, njerëzit siç duket po pushonin nga aventurat e natës.

Shkoj më këmbë deri tek supermarketi, pamje si në filma, çdo gjë e shkatërruar, mbeturina produktesh e copa objektesh gjithandej, sheshi mbushur me gëzhoja. Disa njerëz vinin akoma vërdallë për të shkulur edhe ndonjë material që kishte mbetur, disa madje po mundoheshin të shkulnin pllakat e qeramikës me çekiç, por u thyheshin.

Disa me vare e qysqi kërkonin të hapnin kasafortën e madhe të Bankës së Kursimeve që e kishin nxjerrë në rrugë. Dyqanet e tjera kishin pësuar dëmtime të vogla. Arka e kreditit dhe fabrika e Tullave nuk janë prekur. I gjeta rojet në rregull dhe të vendosur. Këto ngelën të paprekura për tërë kohën e trazirave në Vlorë.

Në orën 120,0 një turmë e madhe sulmoi dhe rrëmbeu çdo gjë tek magazinat e kompleksit ushqimor. I njëjti skenar, në fillim grupi i specializuar për sulm, pas tij turma e tërbuar që përlante gjithçka. Këtu u grabitën vlera të mëdha materiale, lëndë të para e ndihmëse dhe makineri e pajisje. Vetëm malto për birrë u morën rreth 100 ton, me të cilat do të punonin fabrikat e tjera të birrës në Vlorë për një kohë të gjatë.

Në kohën që ndodhnin gjithë këto, më telefononin pa pushim shumë pushtetarë, sidomos prokurorë e gjyqtarë që kërkonin me insistim paratë e tyre, shumë prej tyre kërcënonin se po nuk morën paratë deri nesër, do lëshonin turmën e armatosur drejt selisë. Shumë prej tyre ishin nga Vlora, por që ia kishin mbathur në Tiranë nga frika, të tjerë nga Tirana që s’e kishin idenë se ç’po ndodhte në Vlorë. Mirë gomari që na ngordhi, por s’na lënë rehat as mizat. Një jurist, u bë veçanërisht i mërzitshëm dhe i thashë se do t’i dërgoj rojet në shtëpi që ta rrahin para familjes, e pas kësaj nuk u ndje më.

Rreth orës 1500 na vjen tek selia një grup që pretendonte se ishte një delegacion i dërguar nga turma protestuese. Në pamje të parë ishin disa rrugeçër. Porosita rojet t’i fusnin në oborr dhe dola t’i takoja. Disa nga rojet më thanë t’i kapnin e t’i mbanim peng, por ua hoqa këtë ide. Njëri që hiqej si kryetar më tha se ishin ngarkuar nga turma që të largoheshim nga selia dhe Vlora, se brenda në seli ishin fshehur njerëz të SHIK-ut dhe të forcave speciale dhe nëse nuk ikim do ta gjuajnë godinën me kundërtank.

U thashë të prisnin dhe u ngjita lart në zyrë. Bisedova me shokët dhe rojet, asnjë nuk donte të pranonte shantazhin që po na bëhej. Fola me Vehbiun dhe i tregoj gjendjen, ai më tha që e mira është të mos konfrontohemi dhe të largohemi duke lënë aty vetëm rojet.

Diskutojmë sërish në zyrë dhe zbres të takoj “delegacionin”. U them se në godinë do të rrinë punonjësit vlonjatë dhe rojet, ata që janë nga Tirana do të largohen. “Mos guxoni t’u bini në qafë këtyre, se do të keni punë me qindra familje vlonjate. U thoni atyre që ju kanë dërguar, se me këtë veprim humbët çdo mundësi për garancinë e parave”, u thashë.

- Nuk i duam paratë, -tha njëri nga të deleguarit, vetëm ikni ju.

- Ti nuk i do paratë se nuk ke tek firma, prandaj flet kështu, por unë them për ata që kanë lënë paratë tek ne, - ia ktheva.

Ndërkohë që vazhdonin këto debate vijnë në seli një grumbull i madh kreditorësh vlonjatë dhe shumë nga punonjësit tanë. Të gjithë treguan gatishmërinë për të na ndihmuar, për të ruajtur ato objekte që ishin të paprekura, një pjesë kishin marrë edhe armë me vete. Duke parë këtë qëndrim, “delegacioni” shantazhist doli nga oborri i selisë dhe filloi kërcënimet me telefona.

U mblodhëm përsëri në zyrën time, në kat të dytë, ishin edhe disa nga kreditorët më të njohur të pranishëm, si dhe disa menaxherë.

Mbaj vazhdimisht lidhje me Vehbiun. Më në fund ramë dakord të caktonim një drejtor të filialit nga Vlora, një ish- ushtarak të marinës, i cili do të merrte detyrën po sot. Të gjithë e pranuam këtë zgjidhje. Vehbiu nisi njoftimin e emërimit me faks nga Tirana dhe kjo iu bë e ditur punonjësve dhe kreditorëve. Pastaj organizuam largimin tonë, helikopteri do të ulej në Babicë të Vogël, por nuk na merrte të gjithëve, kështu u detyruam që një pjesë të niseshin me makinë, vumë benzin e blinduar për këtë punë, sepse makinat e tjera të sigurta vazhdonin të mbeteshin të bllokuara në Lushnjë qysh dje. Në rast se makina do të bllokohej diku rrugës, u thashë se do të vinim për së dyti me helikopter kudo që të ishin. Për fat arritën që në mbrëmje vonë të ishin në Tiranë shëndoshë e mirë, rrugës u detyruan të mbanin armët gati për çdo gjë. Të nesërmen, benzi u rikthye në Vlorë, ku pas pak kohe u rrëmbye nga banda e Zani Çaushit dhe ku u krye një masakër duke u asgjësuar makina dhe bashkëpunëtorët e tij në një përplasje bandash.

Nisemi për tek helikopteri, ishim 8 veta, aq sa merrte.  Ndahemi në katër makina, na shoqëruan disa roje dhe kreditorë të armatosur, midis të cilëve disa që nuk guxonte njeri nga turma t’i shqetësonte.

Kalojmë nëpër qendrën e qytetit, nëpër rrugë lëviznin vetëm grupet e armatosura, dukeshin që shumica ishin fshatarë dhe rrugeçër, se qytetarët ishin mbyllur në shtëpi. Nuk guxoi njeri të ndërmerrte ndonjë veprim ndaj nesh, sepse ua kishin frikën atyre që na shoqëronin. Po binte mbrëmja kur dolëm në Babicë dhe pritëm helikopterin. Në atë moment sapo kishte mbaruar ceremonia e varrimit të djalit nga Babica që u vra dje. U ndamë me shokët e Vlorës për t’u takuar pak kohë më vonë në rrethana të tjera. U larguam nga Vlora duke e lënë qytetin dhe gjithë krahinën të terrorizuar, të shkatërruar, me pará të humbura dhe nën pushtetin e bandave kriminale.

Deri në këtë moment, brenda 48 orëve nga fillimi i përleshjeve, në Vlorë u numëruan 25 të vrarë, 9 vetë nga qyteti, 16 veta nga fshatrat dhe mbi 100 vetë të plagosur. Ky bilanc i frikshëm do të merrte përmasa të paimagjinueshme shumë shpejt dhe deri në fund të vitit 1997 Vlora do të vajtonte mbi 300 viktima dhe rreth 2.000 të plagosur, ose 10% të të gjitha viktimave në shkallë vendi. Shkaktarët e tragjedisë dolën pa lagur dhe ngritën biznese marramendëse mbi gjakun e popullit. Asnjë nuk guxoi të thotë të vërtetën për atë që përfshiu Vlorën dhe më vonë, gjithë Shqipërinë.

Nuk pata kohë të takoja njerëzit e mi, se nuk mund ta lija të priste helikopterin, që mund të tërhiqte vëmendjen e bandave të cilat vinin vërdallë. U ngritëm dhe morëm drejtimin nga kodrat drejt Risilisë, duke mos dashur të lëviznim andej nga kishte ardhur helikopteri. Por edhe kjo nuk kaloi pa incidente, sapo kishim marrë lartësinë e sigurisë, nga poshtë një mori njerëzish të armatosur hapën breshëri zjarri me turli armësh, plumbat gjurmëlënës vijëzonin ajrin rreth e rrotull nesh. Piloti e ngriti mjetin në lartësi të madhe për t’i shpëtuar zjarrit të njerëzve të xhindosur.

Të nesërmen duke kontrolluar helikopterin, piloti më tregoi disa gjurma plumbash diku anash karkasës dhe në stabilizator, por që nuk kishin shkaktuar dëmtime. Kur u ulëm tek liqeni në Tiranë na prisnin makinat, shkova një vrap në shtëpi dhe lashë sendet e mia dhe shkojmë në Selinë Qendrore ku ishte Vehbi Alimuçaj. Takohemi në zyrën e tij dhe i paraqes gjithçka ndodhi në Vlorë, gjë që ai ishte plotësisht në dijeni.

Në përfundim i thashë: “Përpjekjet tona për të mbrojtur kompaninë në Vlorë dështuan, nuk mund të parashikonim se ku arriti puna. Megjithatë dëmet në Vlorë nuk janë të rënda, objektet kryesore janë të paprekura. Ato që u dëmtuan mund t’i rindërtojmë për 2-3 muaj punë, në qoftë se do të vendoset rendi. Strukturat e filialit i kemi gati dhe shumë shpejt mund të punojmë me kapacitet të plotë”.

Në fund të takimit, Vehbi Alimuçaj tha: “Në qoftë se situata e Vlorës nuk përhapet, ato dëme nuk më shqetësojnë fare. Por ne, sidoqoftë duhet të marrim masa për të ruajtur objektet në Tiranë, ku kemi shumicën e vlerave. Nga qeveria nuk kemi asnjë shpresë, na la në baltë, ne dhe gjithë vendin, të gjithë e kanë mendjen vetëm dhe vetëm tek paratë. Prandaj duhet të marrim masa të mbrohemi vetë. Përgjegjësia për ruajtjen e parave të popullit bie mbi mua dhe juve si bashkëpunëtorë. Shkoni pushoni dhe nesër duhet të fillojmë të organizojmë ruajtjen e kompanisë në Tiranë”. Kur dolëm nga salla ishte vonë, eca më këmbë deri në qendër të qytetit. Ishte natë shumë e qetë. Ngjarjet e Vlorës sikur kishin ndodhur në një kontinent tjetër, aq sa më dukej se kisha kaluar një ëndërr të keqe, që më kishte lënë një shije të hidhur...