DOSJA ’97/ Pse nuk reagoi ushtria në masakrat e marsit 1997?

DOSJA ’97/ Pse nuk reagoi ushtria në masakrat e marsit 1997?
HISTORI/ Nënkolonel Hekuran Rrapaj analizon të gjitha dëmet që i solli kriza e vitit 1997 ushtrisë shqiptare: “Shqiptarët u gjendën befasisht pa shtëpi, pa pará, pa mjete jetese. Kështu u gjendën edhe ushtarakët. Shqiptarët dhe ushtarakët fatkeqësisht u gjendën pa shtet, pa Shqipërinë. Dhe deformimi i parë qe keqpërdorimi i misionit të Forcave të Armatosura”

“Ushtria, si pjesë e tërë popullit, nuk mund të qëllonte mbi prindërit dhe femijët, mbi motrat dhe vëllezërit. Ajo nuk donte më gjak dhe nuk pati forcën morale që të thyente kafkat e vëllezërve, që paqësisht si dhe vetë ajo, ishin në protestë”.

Ky është një pohim tjetër që bëhet në analizën e tij të radhës për “Albanian Free Press” mbi ngjarjet e marsit 1997, nga nënkolonel Hekuran Rrapaj. “Pati shumë oficerë edhe ushtarë që në shpirt u ishte ngjallur revolta, kur morën urdhrat për të vepruar kundër popullit. Shumica dërrmuese gjeti rrugën e heshtjes duke mos iu përgjigjur urdhrave dhe fonogrameve ogurzeza”, shton ai.

 

Përgatiti për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Shqipëria dhe ushtria, në vitin 1997 u ndodhën përballë një lufte të çuditshme. As civile, as kundër pushtuesve, as për të pushtuar, as mes krahinash, as mes besimeve fetare, as mes njëri-tjetrit. Ky tmerr që në Shqipëri nuk mund të kishte emër, ngriu. Shpjegimi mendojmë se ngelet i thjeshtë. Kjo luftë nuk pati kundërshtarë. Krahinat e Jugut të Shqipërisë nuk ishin kundërshtare të ushtrisë. Por qëllimi ishte që të krijoheshin patjetër kundërshtarët e gatshëm për luftë. Dhe praktikisht, u hodhën hapat për këtë mundësi. Shqipëria u nda në bajraqe, krahina personale të njërit apo tjetrit, duke u ndërkryer mes tyre. “Shkodra është me ne dhe kundër jush”, hapte konfliktin midis palëve “Ne“ dhe “Ju“. Por cili ishte konflikti i vërtetë? Shqipëria po kalonte një nga krizat e saj më të rralla dhe asnjë konflikt realisht nuk kishte. Por shteti u vendos përballë popullit. Sikur qeveria të ishte tërhequr, lufta me siguri që do pushonte me sekonda.

Shqiptarët u gjendën befasisht pa shtëpi, pa pará, pa mjete jetese. Kështu u gjendën edhe ushtarakët. Shqiptarët dhe ushtarakët fatkeqësisht u gjendën pa shtet, pa Shqipërinë. Bashkë me revoltën, filloi edhe “kryengritja” në pallatin shtetëror. Dhe deformimi i parë qe keqpërdorimi i misionit të Forcave të Armatosura. Gjendja e jashtëzakonshme e vendosur “futi në lojë” ushtrinë. Makinat e mbushura me ushtarë të armatosur përqendroheshin në pikat më kryesore të kryeqytetit. Institucionet shtetërore filluan të rrethoheshin me kordonët jeshil. Por indiferenca e ushtrisë kundër kësaj loje u shpreh në mënyrën më interesante në favor të popullit. Indiferentizmi kishte filluar gjatë reformave të rimarra, ku ajo krijoi kushtet që ushtria t’i pranonte dhe të ndjente nevojën e rinovimit. “Jemi të armatosur mirë. Në çantë kemi edhe 120  fishekë për automatikun që mbajmë. Nuk do të qëllojmë mbi popullin në rast proteste, edhe sikur flaka t’u dalë të gjitha ndërtesave. Unë vetë kam tre milionë lekë tek VEFA, si  mund të qëlloj mbi njerëzit e humbur? Dhe po më sulmuan,  unë gjallë në botë se qëlloj. Nuk jam i çmendur të vras njeri”,

ka pohuar një nga ushtarakët në makinat e ushtrisë.

Ndërkaq, ushtria e kuptoi gabimin që bëri parlamenti shqiptar për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Rezervistët e mobilizuar dhe ushtarakët e kuptuan se nuk kishte armiq. Ata nuk mund dhe nuk kishin se kë të luftonin. Pati shumë oficerë edhe ushtarë që në shpirt u ishte ngjallur revolta, kur morën urdhrat për të vepruar kundër popullit. Shumica dërrmuese gjeti rrugën e heshtjes duke mos iu përgjigjur urdhrave dhe fonogrameve ogurzeza. Ata kishin parë komandantët e tyre me spaleta gjenerali që një ditë para se të sulmonin falangistët e urdhëruar, të ngarkonin në shevroletat e tyre miellin, vajin, kolltuqet, tapetet e repartit drejt shtëpisë së tyre. Ata i panë komandantët e tyre që më datat 9, 10, 11, 12, 13 mars 1997, që të largoheshin nga repartet. Madje, pati ndër ta që bashkë me familjet e tyre u fshehën kushedi se ku. Gjithë këtë indinjatë, ushtarakët e kthyen në bindje, për të mos vepruar kurrë kundër njëri-tjetrit. Ata qenë të predispozuar për të ruajtur repartin, por nuk qe gjithçka në dorën e tyre.

Kujtojmë se atëherë, Forumi për Demokraci iu drejtua me një thirrje gjithë efektivave të Forcave të Armatosura. Ai kërkonte nga ushtarakët që të “mos e njollosnin qëllimin e detyrës fisnike”, për të mos qëndruar në një rrjesht “me bandat e zeza të mercenarëve dhe terroristëve”. Largimi i eprorëve, përplasja me politikën, futja në popull e elementëve kriminelë, provokator e keqbërës, e bënin situatën edhe më komplekse e delikate. Përplasjet shkaktuan te rënët e parë për mbrojtjen e reparteve, në Vlorë, Shkodër, Zall Herr, Picar të Gjirokastrës e gjetkë.

Ushtria, si pjesë e tërë popullit, nuk mund të qëllonte mbi prindërit dhe fëmijët, mbi motrat dhe vëllezërit. Ajo nuk donte më gjak dhe nuk pati forcën morale që të thyente kafkat e vëllezërve, që paqësisht si dhe vetë ajo, ishin në protestë.

Me gjithë sugjerimet e bëra nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe nga baza e ushtrisë, për vështirësitë që i dilnin asaj, si edhe për rrjedhojat në rast të një ndërhyrjeje në ngjarjet e Vlorës, ato asnjë moment nuk u morën parasysh nga udhëheqja e lartë shtetërore. Sipas ligjit, nuk qe kompetencë e ministrit të Mbrojtjes të nxirrte repartet e ushtrisë për luftë. Madje, një gjë e tillë nuk është as në kompetencën e Komandantit të Përgjithshëm.

“Asnjëherë ushtarakët nuk i vënë në lëvizje mjetet luftarake pa urdhër. Nga ana tjetër, vetëm Presidenti ka të drejtë në bazë të ligjit, të urdhërojë në kushtet e jashtëzakonshme, për lëvizjen, dislokimin e përdorimin e Forcave të Armatosura”, ka pohuar Adem Çobani, gjeneral-major, ish-shefi Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. “Komandanti i Përgjithshëm nuk i ka dhënë asnjë urdhër ministrit të Mbrojtjes, bile as ka komunikuar me atë gjatë gjithë kësaj periudhe. Por, Gazidede ishte i lidhur vazhdimisht me telefon me Komandantin e Përgjithshëm”, ka pohuar ndërkaq Safet Zhulali, ish-ministër i Mbrojtjes. “Në atë periudhë nuk flisnim njëri më tjetrin, me Gazideden. Kur u vendos gjendja e jashtëzakonshme filluam të flasim. Nuk e kisha deklaruar qëndrimin tim, për atë mënyrë dhe pranoja të komunikoja me të, meqenëse ai e quante se kishte të tjerë mbi vete, jo mua”, ka thënë Aleksandër Meksi, ish-kryeministër. Kurse ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, “shteti duhej të përdorte mjetet e dhunës, përfshirë edhe ushtrinë në mbrojtje të institucioneve demokratike dhe jo të rrugëve e shesheve ku demonstronin njerëzit, për realizimin e kërkesave të tyre”.

Të përfytyrojmë për një moment sikur policia, SHIK-u dhe ushtria të mbronin bashkitë, bankat, gjykatat, prokuroritë, institucionet, rendin, etj dhe populli të demonstronte i lirë në sheshe, rrugë, ndërsa udhëheqja shtetërore të merrej me gjykimin dhe zgjidhjen e kërkesave të tyre. Vallë do të ndodhte siç ndodhi? Duke u angazhuar me probleme të tilla, forcat e ushtrisë u gjendën shpesh herë përballë presioneve, duke u konsideruar nga populli si pjesë e forcave të rendit, duke cenuar rëndë prestigjin  dhe autoritetin e saj. Zinxhiri i komandimit operativ kaloi nga Komandant i Përgjithshëm tek komandantët njësive. Vetëm këta kishin të drejtë  të lëshonin urdhra, hallkat e tjera ndërmjetëse  vetëm transmetonin. Hezitimet e Shtabit të Përgjithshëm për përdorimin e aviacionit dhe lëndëve helmuese luftarake gjatë kësaj periudhe, nuk kanë qenë të rralla.

 

 

 

Dilema e ushtarakut: Të zbatonte ligjin apo rregulloren ushtarake?

Dekreti presidencial mbi përdorimin e armëve të zjarrit realisht shihej si i pazbatueshëm në praktikë. Dhe Urdhri i komandantit të përgjithshëm në muajin maj1992, e komplikoi më tej problemin. Të dyja këto bien ndesh me kërkesat e “Rregullores së jetës së brendshme” të Forcave të Armatosura. Ligjet për përdorimin e armës vetjake u formuluan si tejet ekuivokë, duke e bërë të vështirë marrjen e një vendimi për të qëlluar. Ligji për përdorimin e armës ndalonte të qëllonte mbi turmat që kanë gra dhe fëmijë. Ushtarit i kërkohej të gjente organizatorin. Mirëpo depot e ushtrisë, përgjithësisht u sulmuan natën. Roja as që mund të shikonte se kush i organizonte. Vështirë se mund të bëhej dallimi midis atyre që organizonin dhe atyre të tjerëve, që vepronin, apo shikonin. Ligji thoshte që të dallohej kryetari i turmës, në mënyrë që mbi të të hapej zjarr. Por organizatori mund të rrinte edhe në fund të turmës, larg saj, mbi një kodër. Sigurisht, që politikës i ka pëlqyer edhe ky ligj, duke përforcuar mosbesimin që ata kanë patur tek ushtarët që përdornin armën. Kjo e futi ushtarakun në dilemën që cilën të zbatonte: Ligjin apo Rregulloren Ushtarake?!

Ushtarakëve u erdhi më për mbarë porosia e dhënë nga ministria e Mbrojtjes pas datës 10.3.1997, kur trupat u tërhoqën nga Përmeti: “Ruani kokën!”. Edhe kur arrije të kapje në telefon ndonjë nga drejtuesit kryesorë në Shtabin e Përgjithshëm, kurrë nuk janë dhënë prononcime, por vetëm këshilla të përgjithshme, “dashamirëse” dhe “bujare”: “Ruani njerëzit, veproni sipas situatës”.

Ushtari, si hallka e fundit në ushtri, nuk qëlloi. Ai shikonte që me urdhrat që jepeshin, nga depot e armatimit që ai ruante, kompletoheshin rezervistë dhe njerëz të dyshimtë, sipas kërkesave që ata dëshironin, jashtë formacioneve kompletuese të këtyre reparteve. Një urdhër i tillë u dha për tërë divizionet e Forcave të Armatosura më datë 2 mars 1997. Nuk mund të akuzohen ata për këto momente, kur Komandanti u thotë atyre që nuk u takojnë të marrin armët nga depot. Po të ishte ruajtur normaliteti i zbatimit të ligjit, nuk afrohej njeri pranë depove të ushtrisë. Ky qe një fakt i goditjes që mori ushtria. Hallkat organizative të Ministrisë Mbrojtjes e të Shtabit Përgjithshëm, emërtimi dhe ndërvartësia e tyre, ndërkaq nuk ishin funksionale. Ato më shumë “krijonin pengesa me njëra-tjetrën se sa bashkërenduan për realizimin e detyrave”. Plani operativ i mbrojtjes së vendit qe “i pamiratuar” nga organi i caktuar Këshilli i Mbrojtjes veprim ky që lejon dhe krijon një boshllëk ligjor të rrezikshëm. Janë krijuar “Struktura të dyshimta në drejtorinë operative edhe në Shtab të Përgjithshëm, kur të drejtën ekskluzive për ndryshime të tilla e ka patur Këshilli i Mbrojtjes, sepse “vetëm ai” organ sipas pikës 2 të nenit 5, kishte të drejtën…”që të përcaktonte strukturën organizative të Forcave të Armatosura dhe të formacioneve të mbrojtjes civile si dhe limitet e tyre’’.(18)

Roli i homologut të SHIK-ut në ushtri (SHIU), u bë  antiligjor. Ai qe varur në “mënyrën më të rreptë nga ministri i Mbrojtjes”. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm merrte vetëm informacion zbulimi ushtarak nga sektori përkatës. Për pjesën tjetër të informacionit të SHIU-t, merrte dijeni vetëm ministri. Ligji i gjendjes së jashtëzakonshme vijoi me një ligj tjetër, ku thuhej se ushtarakët aktiv dhe rezervistë që nuk zbatojnë detyrat e ngarkuara, dënohen sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal ushtarak. Kjo u shoqërua me dhënien e urdhrave për kalimin e reparteve ushtarake në varësi të Shtabit Operacional të SHIK-ut. Reagimet u shoqëruan rrufeshëm me shkarkime të shumë kuadrove ushtarakë me urdhër me shkrim, duke u zëvendësuar me persona të panjohur si komandues në ushtri. Pjesa tjetër që kundërshtoi u veprua me arrestime. Në rrafshin praktik u shpalosën situatat e mosfunksionimit në bazë të ligjshmërisë, por të vënies në plan të parë të militantizmit partiak. Kjo shërbeu si kriter kryesor për gradimet e zhgradimet e atyre ditëve.