DOSJA ’97/ Si u përfshi ushtria, deri dhe Akademia e Mbrojtjes në operacionin kundër Jugut

DOSJA ’97/ Si u përfshi ushtria, deri dhe Akademia e Mbrojtjes në operacionin kundër Jugut
HISTORI/ Nënkolonel Hekuran Rrapaj analizon të gjitha dëmet që i solli kriza e vitit 1997 ushtrisë shqiptare: Paradoksi: Ajo u vendos nën urdhrat e SHIK-ut. Një rast i paprecedent dhe krejtësisht antiligjor. Ai vulosi humbjen e besimit për ushtrinë dhe Forcat e Armatosura

Jo vetëm e degraduar, por edhe e keqpërdorur nga shteti në kundërvënien Veri-Jug. Kështu e komenton nënkolonel Hekuran Rrapaj në analizën e tij të radhës për “Albanian Free Press”, atë që ndodhi me ushtrinë shqiptare në marsin ’97. Duke e nisur nga vendosja e saj nën urdhrat e SHIK-ut, deri edhe përdorimi i pedagogëve të Akademisë së Mbrojtjes në sulmet ndaj Jugut, gjoja nën pretekstin e ngritjes atje të flamurit grek. “Madje më 7 mars 1997 vjen urdhri absurd, që pedagogët të niseshin në drejtim të veriut të Shqipërisë. Dhe një tjetër, që 13 pedagogë të tjerë të vihen në dispozicion të divizionit të Fierit. Ligji mbi arsimin ushtarak ishte shkelur. Kjo pasi Akademia e Mbrojtjes është institucioni më i lartë arsimor i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe jo një repart luftarak”, komenton ai...

 

Përgatiti për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Në historinë e ushtrisë shqiptare, ngjarjet e periudhës janar-shkurt 1997 do përcaktonin momentin kulmor të shkërmoqjes së saj. Shkallëzimi masiv i revoltave popullore në pothuajse tërë territorin e vendit e detyroi Parlamentin shqiptar të thërrasë ushtrinë për të vendosur situatën. Paradoksi shkon më tej: ushtria vendoset nën urdhrat e SHIK-ut. Kontaktin e parë të ballafaqimit me popullin e revoltuar, ushtria e bëri në Vlorë. Populli i Vlorës nxori jashtë “misionit” mbi 4500 forca policore deri në orën 02 të mesnatë të datës 16 janar 1997. Në këto përplasje plagosen 7 ushtarakët e parë dhe 10 civilë. Por ushtria tregoi që në momentet e para se i druhej ballafaqimit me popullsinë civile. Filloi pa u deklaruar situata e gjendjes së jashtëzakonshme. Ndryshimi i uniformave të ushtrisë nuk kaloi pa parashikim të keqësimit të situatës nga populli. Dhe

ditët që kalonin tregonin organizim në rritje të revoltave.

 

Implikimi i ushtrisë

Në fillim-marsin e vitit 1997, ishte koha kur kokat e nxehta të politikës shqiptare fabrikuan urdhra të papërgjegjshëm. Vendin e logjikës e kishte zënë çmenduria. E gjitha kjo për të ruajtur kolltuqet me çdo kusht, me çdo mjet, me çdo çmim.

Data 1 deri 9 mars 1997, ngeli periudha më e ngjeshur e nxjerrjes së urdhrave për të detyruar dhe implikuar Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë në veprime kundër popullsisë së Jugut. Është etapa ku projektohen planet e veprimeve ushtarake, por edhe hartimi i goditjes përfundi-mtare, shkatërruese të tërë ushtrisë. Brenda kësaj etape, mund të veçojmë dy momente: datat 7 dhe 8 1997 dhe datën 9 mars 1997, momenti historik i arritjes së marrëveshjes politike dhe krijimi i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar. Është kjo ndoshta  etapa më e nxehtë, kur Shqipëria dhe ushtria po zhyteshin në kaosin më të madh të historisë. Bashkë me mobilizimin dhe armatosjen e strukturave të ushtrisë kundër Jugut për shuarjen e revoltave, ndodhi edhe katastrofa. Populli hapi depot e ushtrisë dhe rrëmbeu armët. Është hera e parë në ushtrinë moderne në mbyllje të mijëvjeçarit II-të që një shtet “demokratik” ngelet pa ushtri.

 

Plani kundër Jugut…

Urdhrat e parë për lëvizjen e trupave të ushtrisë drejt Jugut të Shqipërisë filluan të merrnin formë që në ditën e parë të muajit mars 1997. Në  ligjin nr.7528, datë 28.02.1992 thuhet se Komandanti i Përgjithshëm “Me propozim të Shtabit të Përgjithshëm vendos për përdorimin e Forcave të Armatosura në operacionet ushtarake”. Po si u veprua në fakt? Në mediat zyrtare deklarohej  se ushtria po vepronte në ndihmë të forcave të rendit. Drejtoria Operative në Shtabin e Përgjithshëm përpilon urdhra për lëvizjen e njësive dhe reparteve të ushtrisë. Ajo përgatiti një operacion luftarak. Në orën 16.00 të datës 2 mars 1997, Parlamenti shqiptar u mblodh për të diskutuar gjendjen e jashtëzakonshme, ligji i së cilës hyri në fuqi. Mbi kurrizin e ushtrisë  dhe efektivave të saj vepronte loja e rrezikshme e kungulleshkave. Ish-ministri i Mbrojtjes deri më datë 2 mars 1997 jep 22 urdhra.

Në këtë periudhë lëvizën efektivat dhe mjetet e blinduara të Brigadës Tankeve Zall-Herr, batalioni i parë i këmbësorisë të Rep. Usht. Nr. 8830 dhe të Rep. Usht. Nr. 9940, batalioni 130 m/m i Brigadës Artilerisë, batalioni 160 m/m i Brigadës Artilerisë Mekanizuar Elbasan, kompania e raketave kundër tanke e Brigadës Këmbësorisë Yzberisht, etj. Në këtë divizion u evidentuan rreth “65 dokumenta bazë” të natyrës së telegrameve dhe shifrave. Ndërsa ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe ish-Komandanti i Divizionit të Tiranës, i urdhëruan komandantët e njësive dhe reparteve vartëse për pajisjen me armatime, municione, armë speciale, mjete të blinduara, forcat e rendit në Tiranë, Fier, SHIK-un dhe Gardën e Republikës. Nuk mbetet prapa në dhënien e urdhrave mbi këtë divizion edhe komandanti i operacioneve dhe zëdhënësi i tij, gjeneralët e SHIK-ut.

Ndërsa në datën 6 mars, në “kushtet e ndalimit të veprimeve ushtarake”, në akset kryesore  të rrugëve Tiranë-Fier-Berat-Përmet dhe Tiranë-Korçë-Ersekë-Leskovik-Përmet, filloi lëvizja masive e njësive dhe e reparteve të ushtrisë me teknikën dhe mjetet e e saj luftarake. Kështu, si pa dashje, ushtria po dilte jashtë loje. Ajo nuk mund dhe nuk kishte arsye për një grupim të tillë.

 

Si u acaruan ngjarjet në Gjirokastër?

Në qytetin e Gjirokastrës, ngjarjet acarohen me datën 8 mars, kur forcat qeveritare kaluan  me helikopter nga Përmeti midis fushës së Çajupit dhe zbritën në Gjirokastër. Në aerodromin e saj, në dalje të urës që të çon për në Valare, u vunë re reagimet e para kundër personave të armatosur që zbritën nga helikopteri. Këto më vonë u pasuan nga revolta e tërë popullit në Divizionin e Gjirokastrës, i njohur si gjigandi i historisë së ushtrisë në jugun e vendit. Ai u rrënua plotësisht. Nga ushtarakët pati edhe reagime, por në pjesën kryesore të divizionit  njerëzit vërshuan duke bërë batërdinë. Fakte të tilla hedhin dritën e së vërtetës se në datat 7 dhe 8 mars 1997, jo vetëm që nuk u ndërprenë veprimet operacionale sipas marrëveshjes së bërë, por pikërisht në këtë datë lëvizën drejt Korçës, Përmetit, Fierit, forca, mjete armatime dhe municione të ndryshme. Janë zhvendosur armatime speciale dhe janë armatosur nga depot e divizioneve të ushtrisë struktura të tëra. Komandat dhe shtabet e njësive ndjeheshin të detyruar të çonin efektivat e tyre jashtë detyrave të planizimit luftarak. Viktimë e këtyre urdhrave u bë edhe Akademia e Mbrojtjes. Ajo  përfshihet në vorbullën e ngjarjeve në datën 4 mars, kur komandanti i saj emërohet ish-komandanti i Divizionit të Shijakut.

 

Roli i Akademisë së Mbrojtjes

“Më datë 5 mars hartohet lista e pedagogëve të Akademisë së Mbrojtjes me të dhëna të plota biografike. Nga Ministria e Mbrojtjes vjen një urdhër i shkurtër i firmosur nga Leonard Demi, ku 13 pedagogë vihen në dispozicion të divizionit të Fierit, të një strukture tjetër të panjohur. Ne refuzuam në mënyrë kategorike”, pohon Sami Neziri, nën/kolonel, ish-pedagog në Akademinë e Mbrojtjes. Edhe këtu ingranazhi i çmendurisë shtet kishte ngecur plotësisht. Ligji mbi arsimin ushtarak ishte shkelur. Kjo pasi Akademia e Mbrojtjes është institucioni më i lartë arsimor i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe jo një repart luftarak. Urdhri ishte firmosur nga ish-Sekretari i Shtetit për mbrojtjen dhe sipas tij, në Fier, pedagogët e Akademisë së Mbrojtjes do të viheshin në krye të rreth 5 mijë ”mercenarëve” të ardhur nga zonat e veriut për të sulmuar në drejtim të Vlorës. Urdhri për të shkuar në Fier, në saj të kundërshtimit u anulua, duke i dhënë një goditje tjetër çmendurisë politike. Por odiseja në Akademinë e Mbrojtjes nuk mund të mbaronte. Më datë 7 mars 1997 vjen përsëri një urdhër absurd, që pedagogët të niseshin në drejtim të veriut të Shqipërisë. Ata u shpërngulën plotësisht dhe u vendosën në ambientet e Brigadës së Burrelit. Ndërsa shkolla ushtarake po pushonte në Burrel, në shkollë vazhdonin të vinin forca pa pushim nën kujdestarinë e gjeneralëve të SHIK-ut. Tashmë “të rebeluari”duhej të mos ishin dëshmitarë të ngjarjeve, që do të kalonte Akademia Ushtarake “Skënderbej”. Këto institucione u përdhosën në mënyrën më barbare e më të paskrupullt. I gjithë territori i Akademisë u boshatis, bile dhe familjarët që banonin atje u larguan. Momenti i qetësisë së “armëpushimit” u shfrytëzua për lëvizje të sforcuara drejt Jugut.

 

FA-të, nën komandën e SHIK-ut

Vendosja e Forcave të Armatosura nën komandën e SHIK-ut, është një rast i paprecedent dhe krejtësisht antiligjor. Ai vulosi humbjen e besimit nga Komandanti për tërë lidershipin e ushtrisë dhe institucionit të ministrisë së Mbrojtjes. U denigrua Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. U shkelën konceptet  ligjore mbi përdorimin e Forcave të Armatosura. Filloi krijimi i shtabeve “mikse” me përbërje nga SHIK-u dhe oficerë militantë. Këto “shtabe” të dërguara nga Tirana “nxorën” jashtë funksionimit ligjor komandantët dhe  shtabet e njësive të reparteve të ushtrisë atje ku shkonin. Kësaj i shërbyen veprimet e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura më datë 7 mars 1997, i cili nëpërmjet 42 fonogrameve urgjente ngriti në kushtrim pothuajse tërë  Shqipërinë e Veriut. Në Burrel niste mashtrimi dhe marshimi i “mercenarëve” të armatosur drejt Jugut të Shqipërisë. “Do të shkoni deri në Durrës për ruajtjen e Portit”, u thoshin. Dhe kur forcat e Burrelit shkuan në Durrës, u thoshin: “Do të shkojmë për demonstrim force në Përmet”.

“Gjatë rrugës, herë pas here ushtarët shpreheshin: Ku po na çoni? U thashë: Jini të qetë. Ne kundër shqiptarëve nuk luftojmë, por u kërkoj të jemi të gjithë bashkë në një mendje”. U qetësuan deri sa vajtëm tek plepat në Durrës. Aty u shastisëm kur u ndeshëm me urdhrin e dytë: Do të shkoni për demostrim force në Përmet, në kuadrin e strukturave të komandës së operacionit. Atje është ngritur flamuri grek”. Kundërshtova:  Unë kam ardhur në Durrës. Rajonin e mbrojtjes e kam në Qafë Drogulice, në zonën e Bulqizës. Kam marrë me vete gjithë ushtarët dhe u kam dhënë fjalën prindërve të tyre se do të mbrojmë Portin e Durrësit. Lëvizjen në Përmet e bëj kur të jetë shpallur zyrtarisht kërcënimi i kufirit shtetëror. Por kërcënuan me forcën e ligjit: Kundërshtarët do të ndëshkohen.  Më çuan në Durrës tek shefi i SHIK-ut të njësisë, një shok i imi i klasës, i cili më tha: "Dëgjo Elmaz, mos fol se je në krye të listës për asgjësim", rrëfen Elmaz Punavia, kapiten, dëshmitar i ngjarjeve në Burrel. Kurse Shaqir Vukaj, ish-ministër i Mbrojtjes i Qeverisë së Stabilitetit, do të shprehej se “ditët e para të marsit njerëzit e Partisë Demokratike u armatosën me qindra e mijëra automatikë. Ka patur edhe urdhëra për të hedhur në erë Urën e Mifolit me bomba. Ata që i jepnin këto urdhëra ishin nga Veriu, gjë që u interesonte përçarja Veri-Jug’’.

 

Mjegullnaja informative

Kaos edhe në Divizionin e Veriut, në Shkodër. Urdhra dhe kundër-urdhra që vinin nga maja e një hierarkie ushtarake, inekzistente. Fonograme për lëvizje në jug. Itinerare të dyshimta lëvizjeje. Herë thuhej lëvizje deri në Tiranë, pas pak deri në jug, me sloganet bajate: Është rrezikuar kufiri shtetëror me grekët. Por përveç forcave të ngritura të ushtrisë, u vunë në lëvizje drejt Jugut edhe brigada të tjera, duke futur në panik tërë popullsinë e zonave me falsitetin e tmerrit të sulmeve nga greku. Kurse në Kukës, lajmin se sulmoi serbi e dha me telefon vetë ish-ministri i Mbrojtjes. Kjo bëri që popullsia të bjerë në panik. Madje, një pjesë e saj nisi të boshatiste qytetin, duke marrë arratinë. “Turmat kërkonin armë. Armë për t’u mbrojtur. Jo për të sulmuar Jugun. Jo për t’u rekrutuar si rezervistë. Kështu është shqiptari. Thotë se nuk e zbatoj urdhrin për në luftë kundër shqiptarit, por vetëm në drejtim të kufirit shtetëror, nëqoftëse ai cënohet. Urdhrat e ardhur ngarkonin me një mori detyrash, madje edhe me masa tejsforcuese, ndërkohë kur situata në kufijtë shtetërore, por edhe në rajonin  Kukës, Has, Tropojë, Pukë ishte krejt normale. Një lëvizje kaq masive e forcave, armatimit dhe teknikës nuk mund të realizohej kurrë nën një fshehtësi të rreme”, rrëfen Azem Përllaku, kapiten dhe dëshmitar okular.

Vajtja në Përmet e vetë ish-Ministrit të Mbrojtjes me suitën besnike dhe fshehtësinë e tij, vërteton saktësinë se operacioni kundër Jugut nuk ishte shaka, por me qëllime vendimtare. Të gjitha këto ndodhën kur ai kishte deklaruar përpara aparatit të ministrisë së Mbrojtjes se “ ushtria në një vend demokratik nuk duhet të përdoret kurrë kundër popullit”, kurse më vonë jep deklaratën tjetër se “urdhrat i kam dhënë me telefon. Me shkrim nuk kisha të drejtë të firmosja”. Ironia më e përkryer e shtetit.