Hatixhe Lushi: Ju rrëfej betejën për të realizuar ëndrrat në art

Hatixhe Lushi: Ju rrëfej betejën për të realizuar ëndrrat në art
Flet solistja e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Hatixhe Lushi: “Kam qenë duke punuar në kopsht kur më telefonoi, gati 20 vite më parë Nexhmie Pagarusha, kishte kërkuar telefonin tim përmes një komshieje. Unë sa nuk rashë në tokë nga emocioni. Dridhesha dhe qaja. Kemi folur rreth një orë në telefon e më pas kam shkuar të rri disa ditë pranë saj me familjen e më pas erdhi edhe ajo tek ne. Juela, ajo është një artiste e rrallë por edhe një grua e rrallë. Më ka mësuar shuam gjëra pa folur shumë, të krijonte komoditet, një lloj dashurie që edhe motra nuk ta jep.”

***

Historia e Hatixhe Lushit, vajzës së bukur nga Librazhdi që ka kënduar që në fillore, ndoshta ngjason me shumë histori të tjera të vajzave nga një qytet i vogël që duan të realizojnë ëndrrën e tyre. Por nëse ke një vokal të lindur, që ngjason me zërin e të madhes Pagarusha, e ndërkohë lufton me talentin tënd por ndesh me një klan tarafesh e padrejtësisht, ndër vite, kjo është gjë tjetër. Hatixhe Lushi, që sot është nga të vetmet përfaqësuese të trevës së Librazhdit ende në aktivitet të plotë, personifikon forcën e një gruaje që nuk u ndal nga pengesat, as nga paragjykimet e kryeqytetit, as nga vështirësitë ekonomike, por këmbënguli deri sa realizoi ëndrrën e saj të madhe, të ishte soliste në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve. Nënë e dy fëmijëve të shkolluar e të mbarë, bashkëshorte e një piktori të talentuar si Arif Lushi, Tixhja, siç e thërrasin miqtë, na rrëfen betejën e saj për një jetë dinjitoze përmes artit.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju keni lindur në Librazhd, kur kujtoni fëmijërinë tuaj, çfarë ju vjen në mend?

Kam lindur në Librazhd, në një fshat të vogël por me shumë tradita dhe shumë i bukur, në Kokrevë. Ky fshat kishte një traditë të hershme veçanërisht në muzikë, xhaxhallarët e mi e të afërm të tjerë përpara tyre, kanë qenë valltarë në Festivalet e Gjirokastrës, madje kanë marrë shpesh çmime. Në familjen tona festat familjare ktheheshin në dasmë, me këngë e valle, madje edhe kur thjesht na vinte për vizitë një mik në shtëpi. Atmosfera krijohej shumë natyrshëm. Kur kujtoj fëmijërinë time, kujtoj menjëherë se jam rritur në një shtëpi plot me dashuri e përkushtim nga prindërit. Nëna ime ishte jo vetëm gruaja më e bukur në zonë, por mbi të gjitha me pasion të madh për artet dhe të bukurën. Edhe rrëfenjat e saja, përrallat, historitë, ajo dinte t’i tregonte në një mënyrë aq të sinqertë e origjinale, sa që mbeteshim me gojë hapur. Rrëfimet e saja të baladave më kanë bërë atë që unë jam sot, mësimet dhe tregimet e saja flenë ende brenda meje.

Baladat dhe këngët e vajeve ishin traditë e asaj treve?

Këngët e vajeve dhe baladat ishin shumë karakteristikë e zonës së Librazhdit. Një nga këto balada, balada e “Brahim Ketës” është dhe interpretimi im i parë në festivalin e Gjirokastrës në vitin 1983 dhe ajo që më lumturoi me shumë është se nga ai festival unë erdha me çmim në Librazhd, aty unë jetova një pikë kulmore në artin tim e pas saj unë këndova shumë balada të tjera që më dhanë emrin që kam. Këto balada, këto histori vajesh njerëzore, dhimbjeje, kanë ardhur brez pas brezi si gojëdhëna, si legjenda, por populli, artistët burimorë, i kanë sjellë kaq bukur përmes artit dhe muzikës, sa mbeten shumë reale, sikur të kenë ndodhur dje.  Këtu qëndron edhe vlera madhore e folklorit tonë mahnitës.

Pra rrënjët e këngës tënde janë që në vegjëli?

Po, kam kënduar që në moshën 6 vjeçare dhe kujtoj koncertet e shkollave 8 vjeçare që zhvilloheshin në qendër të zonës, në Hotolisht. Mbaj mend si sot se gjithmonë merrja çmime dhe shumë duartrokitje. Madje kujtoj edhe këngën e parë që kam kënduar, “Në një arë, në një lëndinë”. Por në ato vite, kënga dhe vallja ecnin bashkë në aktivitete dhe unë angazhohesha edhe me vallen, duke qenë se e kisha traditë në familje nga xhaxhallarët e mi. Vinin në fshat e më merrnin e më përgatisnin për koncertet e tani kur kthehem pas në kohë, më duket se unë kam lindur me këngën e vallen.

 

Pas këtyre aktiviteteve kaq e vogël, ec e paralel edhe me shkollimin tënd?

Ishte pikërisht ky pasion për këngën që më bëri që të shkoja në Elbasan e të vazhdoja shkollën e mesme të muzikës, për kanto. Pas shumë pune e studimi, arrita që të këndoj si duhet dhe bukur këngën qytetare të Elbasanit, këngët e të madhit Isuf Myzyri, romancat e mrekullueshme. Kujtoj me shumë dashuri mësuesen time të kantos, Eleonora Minai që jo vetëm më jepte shumë mjeshtëri në mënyrën se si ta udhëheq zërin tim por ajo edhe merrej me veshjen time skenike, anën interpretative, me të gjitha, ishte më shumë një motër se sa një mësuese. Ishte kjo mësuese që më angazhoi në shumë aktivitetet artistike në qytetin e Elbasanit dhe më përgatiti shumë edhe në profilin tim si këngëtare lirike. Ishin ato kohët kur unë fillova të këndoj edhe në Anketën Muzikore në Radio Tirana me këngë të Maksim Shehut dhe Gazmend Mullait.

Ju njiheni si këngëtare  këngës popullore por qenkeni angazhuar edhe në muzikën e lehtë, këtë nuk e dija...

Sepse në ato vite kështu ka qenë për disa këngëtarë e mbi të gjitha ishin vite kur kishte shumë aktivitetet në muzikën e lehtë. Përveç kësaj, importimi i zërit tim e kishte  dhuntinë natyrale, kështu që mund të interpretoja shumëçka. Pasi mbarova shkollën e muzikës unë duhet të bëja një vit stazh, pranë Shtëpisë së Kulturës në Librazhd. Në atë kohë u organizuar një koncert me pjesë nga ato që kishim mësuar në shkollë, kujtoj se ishte nën drejtimin e Gazmend Mullait, ishte një koncert recital imi dhe i shoqes time, Rakipe Karaj, një koncert ky krejt ndryshe nga ato që ishin organizuar deri në atë kohë.

Por Librazhdi shihet si një qytet i vogël, por po mësoj se kishte jetë artistike të theksuar...

Ka një specifikë qyteti i Librazhdit, ka pasur një lloj dashurie të madhe për artin. Në ato vite arsimtarët, artistët, shumë banorë, ishin nga qytete të mëdha si Korça, Durrësi, Elbasani, pra edhe pse qytet i vogël kishte shumë qytetari. Qyteti gëlonte nga aktivitetet që sot fatkeqësisht mungojnë thuajse fare e për këtë ndjej shumë keqardhje. Pas këtij stazhi unë konkurrova për kanto drejt Institutit të Lartë të Arteve dhe fitova. Kujtoj me shumë respekt pedagogun tim udhëheqës, Gjoni Athanas i cili u përkujdes shumë që zëri im të ruante nuancat origjinale. Punoi aq shumë që mua mos më humbte ngjyra e zërit tim. Duket sikur kjo është normale por nuk ndodh gjithmonë kështu. Jo të gjithë pedagogët e kanë parasysh këtë e shpesh, duke dashur që të pjekin ose impostojnë zërat, u prishin ngjyrën e kështu edhe origjinalitetin e tyre. Ndaj kam shumë mirënjohje për profesor Gjoni Athanas sepse e vlerësonte kaq shumë zërin tim sa që punoi me shumë kujdes në këtë drejtim. Kanë qenë ato vitet e fakultetit me shumë pjesëmarrje në Dekadat e Majit, në festivale kënge, në Anketa Muzikore, në festivalin e Romancave në Korçë ku mora dhe çmim inkurajues. Ishin vite të shkëlqyera, vite të mrekullueshme që unë i kujtoj me shumë nostalgji edhe sepse kam përjetuar ndër to edhe dashurinë time të jetës.

Më qëndro pak këtu, sepse jam shumë kurioze për dashurinë tënde me djaloshin piktor që më pas u bë bashkëshorti juaj...a ma rrëfen si u njohët?

Eh është një histori për mua shumë e shtrenjtë dhe e bukur. Në Librazhd ishte hapur një ekspozitë me piktura. Më ftoi ta shikonim një e afërmja ime dhe kujtoj se për me ishte okazion për të mos u humbur sepse veshëm fustanet më të bukura që kishim. Kur ndesha peizazhet e tij, unë u mahnita, them se u dashurova me pikturat e tija pa e parë fare se cili ishte piktori. Pasi mbaruam e pyes kushërirën se kush ishte piktori dhe më tregoi një djalë biond shumë bukurosh, në fund të sallës. U përshëndetëm dhe e urova pasi i kisha lënë një shënim në fletoren e përshtypjeve. Nuk e di por ndjeva një lloj krenarie që qyteti im kishte një vlerë të tillë artistike dhe gjithashtu në zemrën time lëvizi diçka, u ndjeva aq rehat me të. Në qytetin tonë, si në shumë qytete të Shqipërisë, kishte një xhiro tradicionale, aty përshëndeteshin të gjithë e njiheshin të gjithë. Më pas u takuam edhe në koncerte të miat. Siç e thashë më lart, Librazhdi ka pasur një jetë artistike shumë të pasur, sot mundohen shumë por nuk e di pse por nuk ka të njëjtën shije. Kishte një cilësi të lartë çdo aktivitet, kujtojmë se në ato vite aty punonte edhe Sherif Mejdani e shumë artistë të tjerë. Ishin pikërisht në këto aktivitetet që unë u ndesha përsëri me Arifin. Kujtoj me humor se shëtisja me një shoqen time, edhe ajo studionte për kanto, shoqja e pëlqente shumë Arifin por më thoshte se ai kishte sy vetëm për mua ha ha ha. Djemtë e bukur binin në sy në atë qytet aq të vogël. Kështu si fillim nisëm një miqësi të ngushtë, ishim shokë, ecnim për dore, u krijua një marrëdhënie aq e natyrshme mes nesh. Nuk kishte as telefona e as internet, kishte vetëm shëtitje të gjata dorë për dore. Për fat unë kisha motrën mësuese në një fshat e shkonim të dy duke shëtitur takonim motrën time.

Po familja jote e mori vesh, si reaguan?

Unë kam qenë shumë e lidhur me babain, ai ishte një njeri i rrallë. Ja tregova vetë atij se kam një shok e se ishte në fushën e artit. Babai im kishte një besim të madh tek unë dhe mendoj se nuk e kam zhgënjyer në besimin e tij. meraku i tij i vetëm ishte që unë të mbaroja fakultetin. Arifi e fitoi menjëherë shkollën e lartë, pa bërë stazhin, ishte mjaft i talentuar. Unë fitova një vit më pas e kështu e forcuam atë lidhjen tonë. Më kujtohet se profesor Ramiz Kovaçi më këshilloi për disa aktivitete, që mua të më mbanin në Opera por ishin vite kur isha e lumtur dhe e dashuruar e mendoja se nuk kisha më se ç’të kërkoja nga jeta ime, ndjehesha e plotësuar në gjithçka, ndaj nuk më mërziste fakti se do të rikthehesha në Librazhd. Kisha në krah njeriun që doja. Më pas, në vitin 1984, pas pjesëmarrjes sime në festivalin e Gjirokastrës, fillova të mendoja se për të mirën time por mbi të gjitha të fëmijëve të mi dhe familjes, duhet të përpiqesha që të vija në Tiranë. Ne u martuam në vitin 1985, një ceremoni shumë simbolike, por me shumë dashuri. Lidhja jonë erdhi aq natyrshëm dhe graduale, janë disa gjëra që nuk kanë nevojë për zhurmë të madhe. Mund të bësh zhurmë pa fund por nuk të çojnë askund e asgjë nuk ngel. Ne kishim dashurinë tonë të madhe e nuk kishte nevojë për dasmë të madhe. Djali ynë lindi në vitin 1985, emri i tij është një bashkim i emrave tanë, Arti. Unë isha mësuese muzike dhe Arifi në Shtëpinë e Kulturës. Në vitin 1988 bëhet një konkurs në Opera për operën “Karmen”. Djali ishte shumë i vogël, një krizë e tmerrshme ekonomike në Shqipëri, një sakrificë familjare e jashtëzakonshme, të ngriheshe në pikë të mëngjesit për dhjetë vezë e një pako gjalpë. Por përsëri unë i thashë vetes se duhet ta provoja. Kjo ka qenë e gjithë jeta ime, një dëshirë e brendshme që unë të provoja të arrija, pavarësisht se do arrija ose jo. Duhet ta provoja veten time, talentin tim, nuk doja të kisha merak se përse nuk arrita diku. Një vit unë u vendosa me kontratë në Opera dhe Baleti, shkoja dhe vija në Librazhd. Gjithashtu edhe konkurrova për operën “Karmen” dhe kryetar komisioni ishte Ramiz Kovaçi. Konkurrova në aktin e dytë të “Karmen” me shumë këngëtarë të tjerë të operës, me veshje skenike, e fitova konkursin dhe mora dakordësinë e të gjithëve, me në krye Çesk Zadenë. Por nuk zgjati shumë dhe filluan ndërhyrjet, ndërhynë duke futur një tjetër plan që të kalonim një komision edhe më të madh, me në krye Nikolla Zoraqin. Një sajesë që si e si të më largonin. Dëgjoja shumë pëshpërima për veten, me qesëndi, “Karmeni nga Librazhdi” thonin nën zë. Mua mundoheshin të më tallnin por mua Juela më vinte aq mirë sepse isha krenare për atë që po bëja dhe po e bëja me dinjitet. Kujtoj që ishte 8 marsi dhe i bëj një telefon profesor Nikola Zoraqit, nuk e njihja atë aspak. Ai ka qenë një njeri aristokrat në muzikë dhe në jetë, si njeri, ndaj kisha shumë ndrojtje. Ja gjej numrin tek numeratorët dhe i telefonoj. I kërkova një takim duke i shpjeguar kush isha. “Malësore, patjetër por, e para, ti gëzuar festën.”-më tha. Juela, njeriun që ta njohësh nuk ka nevojë të rrish gjatë me të, me një detaj si ky njeriun e njeh. Më krijoi një lloj qetësie dhe paqeje. “Profesor, unë nuk dua të më hyni mik, ju nuk më njihni e nuk e dini si unë këndoj, por dua që në atë komision të më thoni po ose jo dhe unë iki në shtëpi tek djali i vogël.”-i thashë mjaft e emocionuar. “malësore, shko nja dy tre ditë në Librazhd, merre djalin e burrin e shko çlodhu në fshat, aty ku ke lindur, krijo një qetësi të madhe e pasi të kthehesh nga këto ditë, do të vish të më takosh.”-më tha profesori.

Ashtu bëra, shkova në fshat dhe i harrova për pak kohë sakrificat e jashtëzakonshme të atij viti, me ato kushte të vështira në konvikt. Kur arrij tek treni në darkë vonë, ishte një darkë kur vihej në skenë opera “Paja” nga Nikolla Zoraqi, e shikoj në stacion. Më takoi dhe më tha se të nesërmen do të pinim një kafe, tek “Hotel Tirana” aty ku ai e pinte kafenë çdo ditë. Të nesërmen ai takon edhe Çesk Zadenë dhe e pyet. Përgjigja ishte se puna ime ishte si me ja dhënë dikujt shtëpinë e me ja marrë prapë. Profesor Nikolla u ngroh nga fjalët e Çeskut dhe u caktua dita e konkursit. Dola jashtë mase mirë sa që profesori takoi Arifin dhe i tha se që nga ajo ditë unë isha këngëtare në Opera. Imagjino çfarë gëzimi për ne familjarisht. Por gëzimi nuk zgjati as tre katër ditë, arritën deri aty me kulisat e tyre sa që të detyronin Sekretarin e Parë në Librazhd që të thoshte se nuk lejohej që unë të ikja. Sigurisht që u mërzita tej mase sepse zëri i brendshëm nuk më linte të qetë, skena e vogël e Librazhdit nuk më ngopte më si artiste. Por nuk u shkëputa asnjëherë nga Tirana, merrja pjesë në shumë aktivitete.

Por kur arritët të realizonit këtë ëndërr?

Kujtoj se në vitin 1997 kishte vullnet shumë të mirë nga miku im Preç Zogaj, i cili edhe më ka aktivizuar në disa aktivitete, si këshilltar i Presidentit të asaj kohe, por nuk e kishte mundësinë që unë të emërohesha në Ansambël ose në Opera. Vite shumë të vështira, Arifi ishte i papunë, mua po më mbaronte kontrata, fëmijët në kopshte, një vit që as që dua të kujtoj, i tmerrshëm. Shitëm dhe shtëpinë në Librazhd, paratë i humbëm nëpër firmat piramidale. U rikthyem në 1998 në Librazhd, duke përshtatur një garsonierë në shtëpinë e prindërve të Arifit. Unë fillova të këndoja në Maqedoni në dasma dhe Arifi filloi pedagog në Elbasan. Vite lufte për ne. Por jemi në një vend si Shqipëria ku edhe në art ka shumë lidhje politika, kësaj nuk i shpëtojmë dot as ne artistët. Unë nuk jam marrë asnjëherë me politikë por ish kryeministrin Sali Berisha e kam idhull, këtë e them kudo. Edhe pse fillova punë si Drejtoreshë në Shtëpinë e Kulturës në Librazhd, brenda vetes zëri i ëndrrës në sirtar për të qenë pjesë e Ansamblit të Këngëve nuk më linte të qetë. U bëra pesimiste dhe vendosa që t’i përkushtohem familjes, t’u rrija pranë. Nisa përsëri punë me kontratë në Ansambël. Në një moment kontaktoj me zonjën Liri Berisha dhe i shpreh dëshirën time për të kënduar e mbi të gjitha peripecitë e mia. Ajo as që më njihte si artiste. Fati deshi që unë të këndoja një baladë nga Naim Gjoshi në një aktivitet nga Astrit Memia. Pasi më dëgjoi ajo shprehu habinë se si unë isha pa punë, sepse zëri im asaj i ngjasonte me atë të Nexhmie Pagarushës. Pa mbështetjen e saj dhe vlerësimin e saj nuk do të kisha mundur të arrija atë që unë mendoj se e meritoja. Sa të kem jetë unë do të jem mirënjohëse për zonjën Liri Berisha dhe fisnikërinë e saj. Ende pa marrë emërimin, unë vendosa që të bëj një koncert recital, doja t’u tregoja kolegëve të mia dhe atyre që deri në atë moment nuk më kishin mbështetur, se aty më kishte çuar puna ime, zëri im, doja të isha e qetë në ndërgjegjen time, por doja edhe të nderoja atë zonjë që më mbështeti. Një njeri i shtrenjtë për mua. E sot, pas gati 12 vitesh, unë vazhdoj bëj të njëjtën gjë, punoj shumë, edhe kur të tjerët janë në kafe.

Teksa punonit kaq shumë, kishit një pikësynim të qartë?

Me shumë këmbëngulje, jashtë orarit, punoja për këngën e mirënjohur “Bresha”, ai ishte pikësynimi im. “Baresha” është një kafshatë që vetëm Nexhmie Pagarusha e ka, është bërë për të, për shtratin dhe ngjyrën e zërit të saj. Ndërsa unë ja vura vetes qëllim. Kisha tërë jetën lakmi atë këngë. Kur kolegët iknin në kafe, unë shkoja punoja, një këngë shumë e vështirë. Kur arrita e incizova edhe atë këngë me Klodian Qafokun, u lumturova.

Marrëdhënia me të madhen Nexhmie Pagarusha si ka lindur?

Kam qenë duke punuar në kopsht kur më telefonoi, gati 20 vite më parë, kishte kërkuar telefonin tim përmes një komshieje. Unë sa nuk rashë në tokë nga emocioni. Dridhesha dhe qaja. Kemi folur rreth një orë në telefon e më pas kam shkuar të rri disa ditë pranë saj me familjen e më pas erdhi edhe ajo tek ne. Juela, ajo është një artiste e rrallë por edhe një grua e rrallë. Më ka mësuar shuam gjëra pa folur shumë, të krijonte komoditet, një lloj dashurie që edhe motra nuk ta jep. Rrëfimet e saja, këngët, koncertet jeta e saj është një mrekulli. Por kishte edhe shumë zemëratë brenda saj se si është lënë në harresë, ashtu siç ndodh edhe për shumë artistë të mëdhenj. E thoshte shpesh se po të mos kishte qenë për Ardit Gjebrenë, Pagarusha e madhe do të ishte lënë në harresë të plotë.

Por a nuk ndihesh keq kur ti si nga të vetmet përfaqësuese të trevës tënde, je vlerësuar aq pak?

Jo vetëm për vete, ndihem më keq për bashkëshortin tim, ai është edhe më i talentuar se unë, e të paktën një titull qyteti ynë duhet t’ia jepte por nuk janë kujtuar. Por gjithsesi ne kemi dhënë aq shumë për atë qytet dhe vazhdojmë e japim, sepse e bëjmë me shpirt.