Kreu i Eksporteve: Biznesi, ngërçi më i madh i marrëdhënieve me Kosovën

Kreu i Eksporteve: Biznesi, ngërçi më i madh i marrëdhënieve me Kosovën
INTERVISTA/ Flet Alban Zusi, kreu i Qendrës së Eksporteve Shqiptare:“Le të flasin qeveritë sa të duan, por po nuk zgjidhën problemin që kompanitë shqiptare dhe ato kosovare ta presin faturën në kompaninë e tyre dhe të shkojnë lirshëm në vendin tjetër, asgjë nuk kanë zgjidhur”

Ngërçi tek biznesi është ai më i madhi që ekziston sot në marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën. “Është pikërisht ky ngërç, i cili nuk po lejon që këto marrëdhënie të jenë efektive dhe të dobishme”, shprehet gjatë një interviste për “Albanian Free Press”, kreu i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi. Duke shpjeguar se kjo ka të bëjë me praktikat doganore, në pikat kufitare që lidhin Shqipërinë me Kosovën. Sipas tij, nëse nuk hiqen pengesat reale që ekzistojnë aty, atëherë qeveritë e të dyja vendeve e kanë të kotë që flasin për shtim të bashkëpunimit. Por cilat janë ato? Ja çfarë thotë eksperti i njohur i ekonomisë...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Eglantina Nasi

 Z. Zusi, si do t’i vlerësonit marrëdhëniet tregtare dhe ato të biznesit që Shqipëria gëzon me Kosovën? A ka patur përmirësim të tyre ndër vite dhe a ekzistojnë realisht sipas jush barriera që duhen eliminuar?

Tek biznesi duhet thënë se është edhe ngërçi më i madh që ekziston në marrëdhëniet me Kosovën. Dhe është pikërisht ky ngërç, i cili nuk po lejon që këto marrëdhënie të jenë efektive dhe të dobishme. E kjo ka të bëjë me praktikat doganore, në pikat kufitare që lidhin Shqipërinë me Kosovën. Ne kemi një situatë ku për të shkuar në Kosovë, për të eksportuar mallra atje, apo edhe për të marrë mallra, praktika kushton minimalisht 250 euro sot. Dhe në kushtet kur flasim për tregtinë e vogël dhe të mesme, pra nuk po flasim për atë të madhe, por për ngarkesa që shkojnë le të themi me vlerë 500 euro deri në 2-3 mijë euro. 250 euro kosto e drejtpërdrejtë, po t’i shtosh këtu edhe mbi 5-6 orë praktikë doganore në vajtje, qoftë edhe në kthim, atëherë themi se kjo është një barrierë, e cila nuk lejon që të bëhet biznes mes dy vendeve tona.

 

Edhe tani që ka filluar funksionimi i një sporteli të vetëm të përbashkët në pikën doganore të Morinës? E njëjta situatë paraqitet sipas jush?

Asnjë lloj vlere nuk ka. Në praktikë, jo. Supozojmë se një biznes do që të bëjë një eksport, apo një shkëmbim drejt Kosovës me vlerën prej 500 eurosh. Sikur ta bëjë këtë 150 ditë të vitit, jo 365, pra ta bëjë një ditë po, një ditë jo, 500 me 150 ditë janë 75 mijë euro në total, biznes. Këto nuk mund të cilësohen në fakt si një biznes krejt i vogël, atëherë ky ka një kosto prej 250 eurosh për të kaluar kufirin. Pra, praktikat doganore në Shqipëri dhe në Kosovë, i kushtojnë kaq. E njëjta histori është edhe për bizneset që vijnë nga Kosova drejt nesh. Ne si Qendër e Eksporteve kemi bërë një studim dhe na ka rezultuar kjo lloj kostoje, ku futen deklaratat doganore, certifikatat, janë analizat, kostoja e skanerit, kostoja e parkingut doganor në Kosovë, por edhe e atij në Shqipëri.

 

Mos harroni... kemi edhe taksën e Rrugës së Kombit që nga fundviti i kaluar.

Po, duhet thënë se është shtuar edhe taksa e Rrugës së Kombit. Pra, imagjino që të çosh 500 euro mall në Kosovë, e të paguash 250 euro në kufi. Do të thotë se automatikisht mallit tënd i rritet kostoja me të paktën mbi 50%.

 

Po si mund të zgjidhet sipas jush ky ngërç në praktikë? Për çfarë lehtësire apo ndërhyrje imediate ka nevojë në këtë rast?

Ka vetëm nevojë për një softuare. Ai maksimumi kushton 50 mijë euro. Ai është i tillë që në momentin kur një biznes shqiptar ngarkon kamionçinën apo makinën e tij për ta eksportuar drejt Kosovës, ai automatikisht pret faturë ku shënon NIPT-in e subjektit kosovar atje dhe i transmetohet online fatura që u bë për Kosovë. Pra, ne edhe sot kur shesim brenda vendit, presim faturë, por edhe kartën fiskale dhe në momentin kur ti e shtyp kasën fiskale, ajo transmetohet në mënyrë direkte në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, që u pre një faturë. Kështu duhet edhe në rastin e Kosovës, të prihet një faturë për shitje jo nga Lezha në Tiranë për shembull, brenda përbrenda vendit, por nga Tirana në Prishtinë, që ta çojë infon te Drejtoria e Tatimeve të Kosovës. Dhe të ketë një lexues në doganë vetëm për bizneset, që të lexon ty bar-kodin e faturës nga Kosova dhe të regjistrohet për llogari të kompanisë pritëse të mallit kosovare. E kështu biznesi nuk paguan as 35 euro për deklaratën doganore, as 10 euro për parking doganor në Shqipëri, as 40 euro për parking doganor në Kosovë, apo edhe shumë taksa e kosto të tjera. E mbi të gjitha nuk humbet kohë. Pra, një makinë që niset nga Lezha me mall, e çon për tre orë atë në Kosovë e kthehet sërish, nëse do e merrnim ne si shembull.

 

Ju si Qendër e Eksporteve, a dispononi një listë me mallrat kryesore që Shqipëria eksporton drejt Kosovë dhe anasjellas? Tek cilat prej tyre bazohet tregtia mes dy vendeve tona?

Për shkak të këtij problemi që ne thamë, pra që nuk mund të bëhet biznes lirshëm, ne kemi të kufizuar, e para e punës bizneset e vogla, pra ato që punojnë me sasi të vogla malli. Dhe e dyta e punës, kemi të kufizuar bizneset e mëdha e të mesme që punojnë me produkte të freskëta. Pra, edhe pse mund të kemi kompani gjigante si për shembull sallami, qumështi, etj në Shqipëri, të cilat nuk e kanë problem të çojnë edhe një trajler në Kosovë, kjo është e pamundur, sepse ai prishet, pasi ka afat skadence 1-mujor. Në këtë këndvështrim, për shkak të kësaj problematike që ne përmendëm, se kostot për të çuar sasi të vogla dhe të mesme, pra nga 500 deri në 3-4 mijë euro produkte , janë shumë të larta, atëherë ne e kemi thuajse zero tregtinë e vogël dhe të mesme e atyre të produkteve të freskëta mes dy vendeve tona, përveç fruta-perimeve. Atëherë, ne çojmë materiale ndërtimi kryesisht, çimento apo edhe tulla, herë pas here, ndonjë kamion edhe me hekur, që çohen në sasira maksimale, nga 25 tonë e sipër etj.

 

Po bizneset kosovare çfarë mallrash dhe produktesh sjellin tek ne kryesisht?

Ata nuk sjellin gjëra shumë të mëdha. Por nuk kanë filluar që të sjellin miell së fundmi dhe kjo pasi situata u kthye mbrapsht për shkak të bllokimit me Serbinë. Ata ishin eksportues të miellit dhe të drithërave drejt vendit tonë, por tani jemi ne që i po çojmë atje këto produkte.

 

Pra, ju po thoni se ne kemi përfituar nga ky taksimi i fundit i mallrave serbe prej Kosovës?

Patjetër që po. Është rritur eksporti i mallrave shqiptare drejt Kosovës. Por gjithsesi, duhet thënë se tregtia mes dy vendeve tona nuk është ende në nivelet optimale. Përgjithësisht, po ta shohësh edhe nga të dhënat statistikore, ka tregti vetëm në nivelet e bizneseve të mëdha, të kompanive mega që sjellin me sasi të mëdha të mallit në Shqipëri, përgjithësisht drithërat, tip-ushqimore, por që janë brand-e ndërkombëtare dhe me mallra me jetëgjatësi të madhe. E janë totalisht jashtë lojës bizneset e vogla, në nivele minimaliste si tregti. Natyrshëm, bëhet kontrabandë sa shqepen, por nuk e bëjnë tregti legale.

 

Po me fruta-perimet si është situata?

Edhe ato, duhet thënë se qarkullojnë me sasi të mëdha. Nuk bëjnë dot tregti fermerët e vegjël, një i tillë që mund të ketë dy ton patate nuk i sjell dot nga Kosova në Shqipëri dhe as një tjetër me dy ton domate nuk shkon dot nga Shqipëria atje, sepse janë ato kostot që thamë. Ndërkohë, që kjo tregti bëhet vetëm ne trajner, me sasi mbi 25 tonë. Le të flasin qeveritë sa të duan, por po nuk zgjidhën problemin që kompanitë shqiptare dhe ato kosovare ta presin faturën në kompaninë e tyre e  të shkojnë lirshëm në vendin tjetër, asgjë nuk kanë zgjidhur.