Matura, rihapen aplikimet për Formularin A1 dhe A1Z

Matura, rihapen aplikimet për Formularin A1 dhe A1Z
Ministria e Arsimit u ka dhënë edhe një shans tjetër të gjithë kandidatëve të cilët kanë përfunduar maturën para vitit 2019 për të plotësuar formuarin në data 27 deri në 31 maj 

Sonila Isaku

Maturantët të cilët kanë përfunduar Arsimin e mesëm përpara vitit 2019 kanë një tjetër mundësi për plotësimin e formuarit A1 dhe A1Z nëse dëshirojnë të ndjekin studimet larta në Universitetet e vendit. Me anë të një njoftimi të nxjerrë nga Qendra e Shërbimeve Arsimore  këta maturantë kanë mundësinë për plotësim online të formularit në datat 27-31 maj. “Njoftohen të gjithë maturantët/kandidatët që nuk kanë aplikuar me formularin A1/A1Z në Portalin Matura Shtetërore 2019, se Portali i Maturës Shtetërore online dhe Portali E-Albania do të hapen për aplikime nga data 27 Maj deri më 31 Maj 2019, nga ora 09.00 deri në orën 16.00.

Plotësimi online i Formularit A1/A1Z, bëhet në shkollat ku maturantët/kandidatët kanë kryer arsimin e mesëm të lartë ose në shkollën e përcaktuar nga KMSH-ja e vendbanimit, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur. Procesi i plotësimit të Formularit A1/A1Z ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”. Përfaqësuesit e shkollës marrin kontaktet e maturantit/kandidatit për ta njoftuar më vonë për paraqitjen në shkollë për hedhjen e të dhënave shkollore të tre viteve të arsimit të mesëm” përcakton njoftimi i nxjerrë nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Dokumentacioni

Kandidatët për të plotësuar formularin A1Z, duhet të paraqesin tek mbikëqyrësi një vërtetim të lëshuar nga shkolla ku ka dhënë provimet. Vërtetimi, veç gjeneraliteteve duhet të ketë edhe këto të dhëna  si provimet e detyruara dhe vlerësimet e shkallëzuara të secilit provim, nëse ato rezultojnë të fituara nga kandidati. Po kështu edhe provimet me zgjedhje dhe vlerësimet e shkallëzuara të secilit provim, nëse ato rezultojnë të fituara nga kandidati.

Procedura

Pas përfundimit të këtij procesi dhe dhënies së provimeve të Maturës Shtetërore dhe këta kandidatë do ti nënshtrohen raundit të parë të aplikimit për në universitet. Ky raund ka për qëllim procesin e aplikimit online në portalin Matura Shtetërore Online. Të drejtën e aplikimit e kanë vetëm ata kandidatë të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm dhe plotësojnë dokumentacionin dhe kushtet i cili ka të bëjë me pajisjen me dokumentacion ligjor të përfundimit të arsimit të mesëm, plotësimi i notës mesatare e cila duhet të jetë mbi 6 dhe në disa universitete të tjera më e lartë sipas kriterit të vendosur nga vetë ata, apo nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër. Maturantët përpara aplikimit në portalin e Maturës Shtetërore duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën e 2 mijë lekëve në zyrat e Postës Shqiptare apo bankat e nivelit të dytë.