
Sonila Isaku
Nga data 1 Prill ka hyrë në fuqi Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili parashikon rritjen e pagave të mësuesve me 7%. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme është zyrtarizuar rritja e pagave sipas kategorive. Pak ditë më parë ministrja e Arsimit Besa Shahini me anë të një mesazhi telefonik të nisur mësuesve u bënte më dije se qeveria e mbajti premtimin duke rritur pagat nga fillimi i këtij muaji, rritje e cila reflektohet në pagesën qe merret në fillim të muajit maj. “Sot në zyrë më erdhi Vendimi i Këshillit të Ministrave për rritjen e pagave tuaja me 7%, duke filluar nga data 1 prill. Ndaj më 1 maj, kur në duar të keni pagesën e prillit, do të shihni dhe vetë se premtimin e dhënë do ta mbajmë gjithmonë. Shpresoj shumë, që për ju tashmë te jetë e qartë se sa shumë e vlerësojmë mundin dhe kontributin tuaj. Duke sfiduar limitet e buxhetit të shtetit kemi arritur të shtojmë çdo vit nga pak mbi pagat tuaja në mënyrë që puna e palodhshme që bëni, të marrë shpërblimin që meriton” thuhej në mesazhin e Shahinit.
Rritja e pagës
Duke filluar nga drejtuesit e institucioneve arsimore, të qendrës kulturore të fëmijëve, kujdestarëve të konvikteve, drejtuesit e kopshteve, mësuesit dhe edukatorët janë kategoritë e përfshira në rritjen e pagës prej 7 për qind. Sipas vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave i cili është zbardhur ditën e djeshme në fletore zyrtare ndryshimi i pagesës reflektohet në shtesën për pozicion të gjithsecilit prej kategorive. Gazeta “Albana Free Press” ka zbardhur ndryshimet e plota të pagesave duke i krahasuar me ato aktuale. Po ju paraqesim një shembull konkret të ndryshimit të pagesës, një mësues i shkollave të mesme duhet të jetë me diplomë “Master Shkencor” nga ku përfiton një pagesë prej 14.000 lekë, më pas 2 për qind për çdo vit pune, pagesën në bazë të gradës që ka duke filluar nga 5-20 për qind si dhe shtesa për pozicion që ishte 42.350 lekë. Me ndryshimet aktuale pagesa sipas diplomës, vjetërsia dhe ajo e kualifikimit mbeten të pandryshuara, ndërkohë që ndryshon shtesa për pozicion. Kështu për një mësues të shkollës së mesme shtesa për pozicion nga 42.350 lekë bëhet 45.000 lekë. Shtesa prej 7% në këtë rast është 2650 lekë. Kjo do të jetë rritja në pagën bruto të një mësuesi në shkollat e mesme.
Kush përfiton
Sipas vendimit të qeverisë rritja e pagës së mësuesve do të nisë që nga data 1 prill. “Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2019, të përballohen nga fondet e miratuara në ligjin nr. 99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, për politikat e reja të pagave. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 prill 2019” thuhet në vendimin e qeverisë.
Sa i takon kategorive përfituese do të jenë të gjithë punonjësit arsimore dhe ata jo arsimore të cilët janë në funksion të institucioneve të edukimit të fëmijëve. Sa i takon shkollave të mesme dhe atyre 9 vjeçare për drejtuesit është bërë një ndarje në 3 nivele në lidhje me numrin e nxënësve që ata kanë. Kështu, drejtuesit e shkollave të cilët kanë deri në 300 nxënës kanë një pagesë më të ulët mujore se ata drejtues që kanë deri në 700 nxënës apo edhe mbi 700 nxënës.
Tabela e ndryshimit të pagave për mësuesit
Pozicioni Paga grupit Shtesa ishte Shtesa bëhet
Drejtor i shk. mesme me mbi 700 nxënës 14000 58300 61000
Drejtor i institutit të nx. që nuk shikojnë 14000 58300 61000
Drejtor i institutit të nx. që nuk dëgjojnë 14000 58300 61000
Drejtor në shkollat me aftësi të kufizuara 14000 58300 61000
Drejtor i shk. mesme me 301-700 nxënës 14000 57750 59750
Drejtor i shk. mesme me deri në 300 nxënës 14000 57200 58750
Zv/drejtor i shk.mesme me mbi 700 nxënës 14000 52250 54500
Përgjegjës i bazës prodhuese 14000 52250 54500
Zv/drejtor i institutit të nx. që nuk shikojnë 14000 52250 54500
Zv/drejtor i institutit të nx. që nuk dëgjojnë 14000 52250 54500
Zv/drejtor në shkollat me aftësi të kufizuara 14000 52250 54500
Zv/drejtor i shk. mesme me 301-700 nxënës 14000 51700 53500
Zv/drejtor i shk. mesme me deri në 300 nxënës 14000 51150 52750
Drejtor i shkollës 9-vjeçare me mbi 700 nxënës 14000 47850 50850
Drejtor i shk.9-vjeçare me 301 -700 nxënës 14000 47300 49.500
Drejtor i shk. 9-vjeçare me deri në 300 nxënës 14000 46750 48500
Drejtor i shkollës fillore klasa I-IV. 14000 45100 48000
Zv/drejtor i shkollës 9-vjeçare 14000 45100 48000
Mësues në shkollat e mesme 14000 42350 45000
Mësues në institutin e nx. që nuk shikojnë 14000 42350 45000
Mësues në institutin e nx. që nuk dëgjojnë 14000 42350 45000
Mësues në shkollat me aftësi të kufizuara 14000 42350 45000
Mësues i praktikës profesionale 14000 42350 45000
Mësues në ciklin e lartë në shkollat 9-vjeçare 14000 39050 42000
Mësues në ciklin e ulët në shkollat 9-vjeçare 14000 36850 39300
Mësues në ciklin e ulët në shkollat 9-vjeçare 11000 34650 36650
Mësues në ciklin e ulët në shkollat 9-vjeçare 10000 31350 34000
Instruktor I praktikës profesionale 10000 31350 34000
Drejtor i konvikteve 14000 58300 61000
Drejtor i QK të Fëmijëve 14000 48950 51000
Përgjegjës sektori në QK-Fëmijëve 14000 42900 44000
Drejtor i kopshtit me ushqim 14000 43450 45000
Drejtor i kopshtit pa ushqim 14000 40150 42500
Instruktor në QK-Fëmijevë 14000 40150 42500
Edukator/kujdestar konvikti 14000 36850 39300
Edukator/kujdestar konvikti 11000 34650 36650
Edukator në kopsht fëmijësh 14000 34650 36650
Edukator në kopsht fëmijësh 11000 31350 34000