Provimet e maturës, pikët që do ketë gjuha shqipe dhe letërsia në testin e maturës

Provimet e maturës, pikët që do ketë gjuha shqipe dhe letërsia në testin e maturës
Nxënësit do të zhvillojnë një test të përbashkët për të dyja lëndët, ku për secilën prej tyre është përcaktuar edhe ndikimi që do të kenë në përmbajtjen e pyetjeve të testit final që do të zhvillohet në datën 12 qershor. Maturantët kanë nisur tashmë me konsultimet në lidhje me njohuritë që duhet të përvetësojnë rreth këtij provimi të detyruar

Gjuha shqipe dhe letërsia bërthamë është një nga tri provimet e detyruara në Maturën Shtetërore 2019. Në këtë provim nxënësit do të zhvillojnë një test të përbashkët për të dyja lëndët, ku për secilën prej tyre është përcaktuara edhe ndikimi që do të kenë në përmbajtjen e pyetjeve të testit final që do të zhvillohet në datën 12 qershor. Maturantët kanë nisur tashmë me konsultimet në lidhje me njohuritë që duhet të përvetësojnë rreth këtij provimi të detyruar. Për t’u ardhur në ndihmë maturantëve me përgatitjet, ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit, si dhe Institutit të Zhvillimit të Arritjeve kanë detajuar edhe strukturën që do të ketë provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, duke përcaktuar edhe pikët që nxënësit mund të sigurojnë me dijet rreth njohurive të gjuhës shqipe, si dhe të letërsisë.

Duke qenë se provimet e Maturës Shtetërore zhvillohen me shkrim, kompetencat gjuhësore dhe letrare që vlerësohen janë: Të lexuarit e teksteve të ndryshme, të shkruarit për qëllime personale dhe funksionale, përvetësimi i rregullave gramatikore, drejtshkrimore dhe të pikësimit, analiza dhe interpretimi i teksteve të gjinive dhe të llojeve të ndryshme letrare, si dhe vlerësimi i letërsisë shqipe dhe asaj botërore në periudha të ndryshme letrare dhe historike.

Testi me 3 pjesë

Testi i gjuhës dhe i letërsisë që do të plotësojnë maturantët e këtij viti do të jetë i strukturuar në tre pjesë. Në pjesën e parë të testit, nxënësit do t’i jepet një tekst joletrar rreth të cilit duhet të demonstrojë njohuritë dhe aftësitë gramatikore, drejtshkrimore dhe të pikësimit të gjuhës shqipe. Pyetjet rreth gjuhës shqipe përbëjnë rreth 40 për qind të përmbajtjes së tezës që do të plotësojë nxënësi. Pjesa e dytë e testit do të ketë në përmbajtje një fragment të shkëputur nga lista e veprave letrare të përcaktuara, rreth të cilit gjithashtu do të jenë të përqendruara rreth 40 për qind e pyetjeve sa i takon njohurive që nxënësi duhet të ketë rreth lëndës së letërsisë. Do të jenë një sërë veprash letrare që do të përfshihen në provimin e detyruar të letërsisë dhe gjuhës shqipe. Ndërsa pjesa e tretë e testit përfshin esenë.

Eseja dëshmon formimin gjuhësor dhe letrar të nxënësit. Ekspertët e arsimit vënë në dukje se tema e esesë mund të lidhet me njërën nga pjesët dhe fragmentet që janë të përshkruara në test. Eseja mund të jetë me tematikë përshkruese, rrëfyese, argumentuese, informuese, paraqitëse, dhe shpjeguese. Pyetjet do të përfshijnë të tria nivelet e vështirësisë.

Skema e korrigjimit

Ndryshe nga sa ka ndodhur në maturat e shkuara, për provimet e detyruara të 2019-s, bëhet e ditur se testi do të ketë në përmbajtje 20 pyetje me alternativa,dhe pjesën tjetër të pyetjeve me zhvillim dhe arsyetim. Koha për zhvillimin e pyetjeve të testit është 2 orë e 30 minuta. Provimet e detyruara vlerësohen maksimalisht me 60 pikë. Ndërkohë që në rregulloren e maturës saktësohet se për të qenë kalues në provimet e detyruara dhe atë me zgjedhje, maturanti duhet të sigurojë detyrimisht rreth 20 për qind të totalit të pikëve me të cilat vlerësohet testi.

Hyrja në provime

Provimet e maturës i jep çdo kandidat që përfundon gjatë 2019-s vitin e fundit të shkollës së mesme, si dhe kandidatët që kanë mbaruar gjimnazin gjatë viteve të shkuara dhe që rikthehen sërish në garë për të vijuar konkurrimin për studimet e larta në një nga institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në vend përgjatë vitit të ri akademik. Maturantët e këtij viti, si dhe ata të viteve të shkuara mund të hyjnë në provime, vetëm nëse kanë plotësuar në afatet e përcaktuara formularin A1 dhe A1Z. Sipas kushteve të përcaktuara, provimet e detyruara dhe provimi me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00. Testet e provimeve të detyruara dhe atij me zgjedhje do të administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit.

Lëndët e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje

Lëndët e provimeve të Maturës Shtetërore 2019 për shkollat e arsimit të mesëm të lartë janë: 3 provime të detyruara, përkatësisht në lëndët gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje nga lista e 11 lëndëve të miratuara për shkollat e mesme të përgjithshme dhe ato artistike, teksa është detajuar edhe lista e lëndëve të provimit me zgjedhje për shkollat e mesme profesionale.

Kush përjashtohet

Sipas rregullores së miratuar më herët nga MASR, maturanti apo kandidati i viteve të shkuara përjashtohet nga provimi kur konstatohet se: “Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit”. Po sipas rregullores, maturantit nuk i njihet rezultati nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.