Pushimet jashtë, shqiptarët mesatarisht 1 javë në vit, shpenzojnë 47 euro ditën

Pushimet jashtë, shqiptarët mesatarisht 1 javë në vit, shpenzojnë 47 euro ditën
Mesatarisht një javë në vit. Duke shpenzuar rreth 47 euro çdo ditë. Këto kanë qenë pushimet që shqiptarët i kanë falur vetes dhe familjes jashtë vendit të tyre gjatë vitit të kaluar. Shifra t konfirmuara nga Banka e Shqipërisë, sipas së cilës, në total shqiptarët vjet kanë shpenzuar jashtë vendit plot 181.396 milionë lekë, +17.3% më shumë krahasuar me një vit më parë.

“Shtetasit shqiptarë, referuar të dhënave të vitit 2018, kanë kaluar mesatarisht 7.5 netë qëndrimi jashtë vendit, duke shpenzuar mesatarisht 47 euro në ditë”, konfirmon BSH-ja. Duke shtuar më tej se në total, gjatë pesë viteve të fundit 2014-2018, daljet e shqiptarëve jashtë vendit kanë qenë deri në 24.1 milionë të tilla. Shifër kjo, e cila nëse do ta përpjestonim për çdo vit, i bie që në secilin prej tyre të kenë qenë rreth 5 milionë vizita të shqiptarëve jashtë vendit. Vizita këto, që sipas ekspertëve më shumë se gjysma e tyre kanë qenë për pushime dhe më pak për të parë thjesht të afërmit apo familjarët e tyre. “Daljet e shqiptarëve jashtë vendit për vitin 2018 kanë qenë kryesisht për qëllim pushimesh, rreth 59% të totalit daljeve dhe vizita te miqtë e të afërmit rreth 30% të daljeve”, shtojnë gjithashtu ekspertët e BSH-së.

Nga ana tjetër, banka qendrore ka marrë në konsideratë edhe faktin se gjatë cilës periudhë të vitit lëvizin më shumë shqiptarët jashtë vendit të tyre. Dhe sipas saj, ata  “duken më shumë të dhënë pas pushimeve verore”. “Daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit kulmojnë në muajin gusht, referuar të dhënave të vitit 2018”, pohojnë ekspertët e saj. Ata japin edhe shifra konkrete, me rreth 700 mijë dalje të shqiptarëve jashtë, pikërisht në këtë muaj. Pasuar nga mbi 500 mijë në muajin shtator dhe 500 mijë në muajin korrik apo edhe tetor.