Reginaldo, sekretet e një të “padisiplinuari” te Kukësi

Reginaldo, sekretet e një të “padisiplinuari” te Kukësi
Falë besimit që i dha trajneri Ernest Gjoka sulmuesi i Kukësit Reginaldo ka rigjetur vetveten dhe premton trofeun e kupës, që do të jetë i pari për të në karrierën tre vjeçare të vendin tonë  

Nga Aranit Muraçi

Reginaldo Artur Faife, i njohur ndryshe si Reginaldo, 29-vjeç, erdhi tre sezone më parë nga kampionati portugez në Gjirokastër, ku spikati me Luftëtarin. Futbollisti mozambikas, pas një eksperience me Laçin, kaloi në radhët e Kukësit, si një ndër përforcimet me të bujshme të merkatos së kaluar. Për shkak edhe të karakterit të vështirë, ai është ndeshur shpesh me probleme brenda ekipit, madje edhe është pezulluar.

Megjithatë trajneri Ernest Gjoka, duket se i ka besuar sulmuesit pozicionin e tij natyral dhe ai ka rigjetur vetveten. - “Nuk dua të flas për të shkuarën, tani kam një marrëdhënie shumë të mirë me trajnerin, është profesionist, ashtu si unë.” Reginaldo shënoi një nga dy golat e fitores ndaj Skënderbeut, në gjysmëfinalen e parë të kupës. Me formën që po tregon së bashku me autorin e golit të dytë, Vasil Shkurtaj, ndonëse Kukësi është dorëzuar nga gara për titull, ai shpreson që të fitojë kupën, çka do të ishte trofeu i parë i tij në Shqipëri.

“Kupa? Unë jap gjithnjë maksimumin për ekipin ku luaj. Nëse shënoj, më mirë. Natyrisht, finalja e vjetshme u humb ndaj një kundërshtari shumë të fortë, por këtë radhë besoj se do të kualifikohemi ne dhe do ta fitojmë kupën. Shpresoj të fitoj më në fund një trofe në Shqipëri”, - shprehet sulmuesi. Pas fitores 2-1, ai në mbrëmje bashkë me disa shokë të skuadrës festuan për orë të tëra një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës, ku mori edhe përgëzimet e presidentit të klubit, Safet Gjici.

Kukësi pas fitores 2-1, kualifikimin duhet ta sigurojë në Korçë, ndërkohë që Tirana, një tjetër pretendente për finalen e madhe barazoi pa gola në Gjirokastër. Bardheblutë synojnë të përsërisin të njëjtën gjë, edhe të shtunën, në të njëjtën fushë, ndaj të njëjtit kundërshtar, për të mos rrezikuar rënien.

Para llogarive të fundit për finalen e madhe të kupës, skuadrat këtë javë janë shumë pranë verdikteve të kampionatit. Kukësi pret Teutën për të blinduar vendin e dytë, Flamurtari luan në Korçë “kartat” për vendin e tretë. Partizani pret Laçin, për t’u afruar matematikisht pranë titullit kampion.