Sigurimi i parave po falimentuan bankat, vetëm 1.4 milionë veta i marrin të gjitha

Sigurimi i parave po falimentuan bankat, vetëm 1.4 milionë veta i marrin të gjitha
Nuk janë pak, por rreth 1.4 milionë shqiptarë që në rast falimentimi të bankave do të shlyheshin nga shteti për të gjitha paratë që kanë aktualisht pranë tyre. Dhe kjo, pasi ata i kanë ato deri në nivelin që garantohet me ligj për mbulimin e tyre, 2.5 milionë lekë. Një shifër kjo, e cila konfirmohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave në raportin e saj vjetor, paraqitur Kuvendit.

Duke shtuar se kjo kategori që përfiton kthim të plotë financiar përbën 94% të totalit prej tyre që kanë sot pará nëpër banka. Total ky që numërohet të jetë prej 2.388.717 depozituesish. Që të gjithë të përfshirë në fakt në skemën e sigurimit të parave të tyre. Por nga të cilët 90.845 persona nuk përfitojnë dot mbulim të të gjitha depozitave të tyre, pasi i kanë ato mbi nivelin prej 2.5 milionë lekësh.

“Depozituesit individë me depozita më të mëdha se 2.5 milionë lekë në fund të dhjetorit 2018, janë 90.845 të tillë dhe shuma e depozitave të tyre arriti vlerën e 516.2 miliardë lekëve”, pohojnë ekspertët e ASD-së. Teksa shtojnë se që nga viti 2003, kur edhe nisi sigurimi ligjor i depozitave, totali i qytetarëve, të cilët kanë sot pará në banka është rritur gjashtë herë, krahasuar me vetëm 400 mijë depozitues që ishin në fillim të vitit 2003.

“Në fund të vitit 2018, vlera e depozitave që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave arriti 1.079 miliardë lekë, duke përfaqësuar 96.3% të totalit të depozitave” , sqarojnë mes të tjerash ekspertët e ASD-së. Duke shtuar këtu se depozitat që mbulohen nga shteti në monedhën vendase, janë më shumë sesa ato në valutë të huaj. “Ato janë deri në nivelin prej 48.6%, ndjekur nga depozitat në euro 44.4% dhe depozitat në dollarë prej 5.1%”, shtojnë gjithashtu ekspertët.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave në Shqipëri, aktualisht siguron në masën 100% depozitat e individëve dhe bizneseve nëpër banka deri në kufirin prej 2.5 milionë lekësh dhe  2 milionë lekë në shoqëritë e kursim-kreditit

 

Biznesi më pak i garantuar se individët, pasi i ka depozitat mbi 2.5 milionë lekë

Në rast falimentimi të ndonjë banke në vend, biznesi është më pak i garantuar se individët, pasi depozitat e tij në pjesën më të madhe të tyre janë mbi 2.5 milionë lekë, që i siguron ligji.

Kjo konfirmohet nga vetë ekspertët e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, sipas të cilëve, “në ndryshim nga situata e depozitave të individëve, 90% e depozitave të tregtarëve e shoqërive tregtare janë me shuma mbi nivelin e mbulimit”. “Ato u korrespondojnë 7.105 depozituesve, të cilët përfaqësojnë 6% të depozituesve tregtarë, apo të shoqërive tregtare”, sqarojnë ata.

Duke dhënë edhe shifra konkrete. “Për sistemin bankar, këto depozita në dhjetor 2018 arritën në 156.8 miliardë lekë dhe gjatë vitit u rritën me nivelin prej 3.8%. Ku në rritjen vjetore ndikimin më të madh e kanë dhënë depozitat me shuma mbi 2.5 milionë lekë, konkretisht me nivelin prej 3.2%. Këto depozita kanë dhe peshën më të madhe në totalin e depozitave të sigurueshme të tyre, konkretisht 89.7%”, përfundojnë ekspertët.

 

Guvernatori i BSH: Rrjeta e sigurisë, bankave tani po u kërkohet më shumë kapital bazë

Sigurimi i depozitave konsiderohet si një instrument thelbësor për administrimin e krizave, duke zbutur rreziqet dhe ruajtur besimin në sistemin financiar.

Një fakt të tillë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, e ka pohuar së fundmi gjatë takimit rajonal të Shoqatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave, që u mbajt në Tiranë. Duke shtuar se është fakt që në Shqipëri sektori bankar vepron në një mjedis makro-ekonomik të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.

“Megjithatë, duke risjellë në vëmendje një nga mësimet e rëndësishme që kemi nxjerrë nga kriza financiare globale, asnjë aktor nuk mund të përballet i vetëm me pasojat e forta të krizës. Për më tepër, ruajtja e stabilitetit financiar mund të arrihet vetëm nëpërmjet një rrjeti të mirë koordinuar të sigurisë financiare”, vuri në dukje ai.

Duke përfunduar se rrjeta jonë e sigurisë financiare bazohet në krijimin e një baze më solide të kapitalit që shërben për të ruajtur depozitat dhe paratë e taksapaguesve. “Në këtë këndvështrim, Banka e Shqipërisë ka kërkesa më të larta për kapitalin bazë dhe po zhvillon të reja me qëllim rritjen e kapaciteteve të bankave për të përtëritur humbjet në raste krizash financiare”, deklaroi ai.

 

Po shtohen depozitat deri në 2.5 milionë lekë, që mbulohen nga shteti

“Krahasuar me fundin e vitit 2017, depozitat bankare me shuma deri në 2.5 milionë lekë janë rritur me 3.6%”. Kjo është një e dhënë tjetër interesante që jepet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Duke shtuar nga ana tjetër se  depozitat me shuma mbi nivelin e mbulimit janë ulur me 14.7 miliardë lekë, ose me nivelin prej -2.8%.

E duke treguar kështu se po shtohet edhe baza e depozitave që duhet të garantohen me ligj nga institucioni përkatës, që është ai Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Ndërsa në tërësinë  e tyre, raportohet se përgjatë vitit 2018, depozitat e sistemit bankar kanë pësuar një rritje të lehtë prej 0.5%.