Taksa me Serbinë, eksportet “Made in Albania” po marrin hov drejt Kosovës

Taksa me Serbinë, eksportet “Made in Albania” po marrin hov drejt Kosovës
Një hov i madh. Kështu mund të quhet ai që tregtimi i mallrave nga Shqipëria, po njeh së fundmi drejt Kosovës.

Mesa duket, një efekt i drejtpërdrejtë ky i vendosjes së taksës prej 100% nga ana e Prishtinës zyrtare për prodhimet serbe. Kjo dukuri konfirmohet nga Instituti i Statistikave përmes shifrave mjaft të larta që eksportet “Made in Albania” kanë njohur gjatë këtij viti drejt Kosovës.

Sipas INSTAT, Shqipëria vetëm gjatë muajit mars ka shënuar një rritje të eksporteve të saj drejt tregjeve kosovare deri në nivelin prej 86.8%. Ndërsa për gjithë muajt e parë të këtij viti, rritja e tyre u shënua deri në 43.7%.

Që të dyja këto, shifra të konsiderueshme këto, po të mendosh se gjatë vitit të kaluar eksportet tona ishin shumë larg tyre. Duke folur kështu qartë për një stimulim që vendosja e taksës ndaj Serbisë, i ka dhënë në mënyrë indirekte tregtisë së Kosovës me Shqipërinë. Madje duke lënë pas edhe tregtinë tradicionale që vendi ynë ka zhvilluar gjatë viteve të fundit me shtetin tjetër tonë fqinj, Maqedoninë e Veriut. Konkretisht, INSTAT tregon se në muajin mars të këtij viti nëse drejt këtij vendi Shqipëria ka tregtuar gjysmën e prodhimeve që ka çuar në Kosovë.

“Në muajin mars, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë kanë qenë Kosova 86.8% dhe Maqedonia 45.6%”, pohojnë ekspertët e statistikave. Ndërsa për gjithë vitin, ata pohojnë se këto nivele kanë qenë sërish në raportin 1 me 2, respektivisht 43.7% për eksportet drejt Kosovës dhe 20.1% për ato drejt Maqedonisë së Veriut.

E për ta kompletuar kështu më mirë idenë e fuqizimit të shkëmbimeve tregtare të vendit tonë me Kosovën, pikërisht në kuadrin e një mungese që tregjet e saj kanë njohur së fundmi nga mallrat serbe, të njohura këto tradicionalisht si mbizotëruese të tyre.

 

86.8%

U shënua rritja e eksporteve “Made in Albania” drejt Kosovës vetëm gjatë muajit mars të këtij viti, krahasuar me marsin e vitit të kaluar, 2018, sipas INSTAT-it

 

43.7%

U shënua rritja e eksporteve “Made in Albania” drejt Kosovës vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar