TURIZMI/ Më shumë na vijnë kosovarë, por evropianët shpenzojnë më shumë

TURIZMI/ Më shumë na vijnë kosovarë, por evropianët shpenzojnë më shumë
Kosovarët rezultojnë që të kenë turistët më të shumtë dhe më “besnikë” të Shqipërisë edhe gjatë vitit të kaluar. Por ama, nëse krahasohen shpenzimet që një turist bën në vendin tonë, mes atyre kryesorëve, evropianët rezultojnë se e “lëshojnë dorën” më shumë.

“Shtetasit e huaj që hyjnë në Shqipëri vijnë kryesisht nga këto shtete: Kosova 35%, Maqedonia e Veriut 11%, Greqia 9%, Mali i Zi 6% dhe Italia 7%”, vlerëson Banka e Shqipërisë. Më pas ajo, jep edhe detaje konkrete të shpenzimeve për secilin prej tyre.

Konkretisht, një kosovar sipas ekspertëve të saj ka shpenzuar gjatë vitit të kaluar në Shqipëri mesatarisht 43 euro në ditë, thuajse sa edhe një maqedonas prej 46 eurosh.

Ndërsa një italian, i ka patur këto shpenzime mesatare deri në 81 euro ditën, kurse një grek rreth 60 euro, po aq sa edhe një malazez.

Ajo që bie në sy mes të tjerash është edhe fakti se vërtet mund të shpenzojnë më shumë, por ama e kanë kohën e qëndrimit të tyre në Shqipëri më të ulët se ajo e një kosovari, mesatarisht 6-7 ditë, nga 9 ditë të këtyre të fundit.