Amela Aga: Vallëzimi është gjuha e fshehur e shpirtit

Amela Aga: Vallëzimi është gjuha e fshehur e shpirtit
INTERVISTA/ Flet balerina dhe koreografja, Amela Aga: Një koreograf i mirë duhet të jetë edhe një regjisor i mirë, që të pushtojë skenën...

“Sot të jesh balerin, adhurohesh nga një publik i gjerë dhe nuk mendoj se ka më paragjykime si më përpara”. Kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, balerina dhe koreografja, Amela Aga, teksa përcjell për lexuesin përshtypje nga profesioni i saj. “Mendoj se vështirësi ka, por profesionistët e vërtetë e gjejnë gjithmonë hapësirën me aftësinë e tyre për të jetuar me këtë profesion”, thotë ajo më tej, e pyetur nëse mund t’ia dalësh të jetosh me të aktualisht në vendin tonë...

Intervistoi për “Albanian Free Press” Albert Zholi

 

Si ju lindi dëshira për t’u bërë balerinë? Kush ishte shtysa kryesore?

Shtysa kryesore ka qenë familja ime, pasi ata e kanë kuptuar qëkur unë isha fëmijë se dëshiroja gjatë gjithë kohës të kërceja, madje më tregojnë që lojërat e mia ishin gjithmonë me kërcime princeshash.

Si e pritën prindërit dëshirën tuaj. A e përkrahën, apo sollën pengesa?

Më kanë përkrahur shumë, ishin ata që më kanë shtyrë drejt ëndrrës sime, mund të them që zbulimin e parë ata e bënë, duke më dërguar më pas në dorë të profesionistëve dhe duke më ndjekur në klasa baleti, që atëherë zhvilloheshin në Pallatin e Pionierit me mësuesen time të parë, Blerina Arbana.

Kush ishte përkrahësi kryesor në rrugën tuaj?

E gjithë familja ime, edhe sot më përkrahin në çdo hap që unë hedh, babai një mbështetje shumë e madhe, ndërsa nëna një udhëheqëse shumë e mirë.

Në Akademinë e Arteve, me çfarë pjese konkurrove dhe kush ishte në Juri? Si ju vlerësuan?

Kur bëhet një konkurs ka disa kritere, që mendoj se ia dola më së miri përderisa u bëra pjesë e asaj akademie. Juria përbëhej nga pedagogët e nderuar, Roberta Mone, Kozeta Bakiu, Gjergj Pervazi, Artan Ibrëshimi më kanë vlerësuar gjithmonë sikur isha studente edhe kur mbarova studimet, me disa prej tyre kam patur bashkëpunime të ndryshme. I kam miq të mirë.

Ku është e veçanta e të qenit koreografe nga balerinë? Ku bashkohen dhe ku ndahen këto dy gjini të një profesioni të vështirë?

Këtë përgjigje do ta nis me shprehjen e koreografes së famshme Martha Graham: “Vallëzimi është gjuha e fshehur e shpirtit”. Ajo që e bashkon mendoj se është shpirti i koreografit, për t’ia përcjellë balerinit dhe nuk do ta quaja ndarje, ky profesion nuk ka ndarje, por vazhdimësinë

që përcjell koreografi ndaj balerinit, që në skenë ai të jetë një interpret i shkëlqyer.

Cilët nga koreografët shqiptarë keni si model, po si balerinë?

Kur isha fëmijë, modeli im i parë për t’u ndjekur ka qenë mësuesja ime. Kur ndoqa këtë ëndërr e më pas duke u rritur zbulova vetveten dhe që atëherë kam punuar dhe vazhdoj të punoj që të bëhem unë model për të tjerët…

Pas përfundimit të Akademisë, një eksperiencë në televizion si balerinë. Si i kujton ato ditë. Çfarë pjesësh keni vënë në skenë në ekran?

I kujtoj ditë me intensitet shumë, me punë me orë te zgjatura, por me kënaqësi nga ana ime, të qenurit balerin televizioni të jep një sadisfaksion të veçantë, pasi je në qendër të vëmendjes, një eksperiencë e bukur do ta quaja.

Viti 2008, vendosët në skenë baletin “Gruaja me Flatra” në sallën e Akademisë së Arteve. Kush ishte regjisor dhe a pati suksese shfaqja?

“Gruaja me Flatra” është një tregim nga Dino Buzzati, të cilin e kam zgjedhur vetë, si nga ana regjisoriale, ashtu dhe nga ana koreografike. Ishte një punë paksa e vështirë, por nga puna që u bë, pati goxha vlerësim pozitiv. Mendoj se një koreograf i mirë duhet të jetë edhe një regjisor i mirë, që të pushtojë skenën.

Viti 2010, vendosët në skenë baletin “Shtëpia Misterioze” në sallën e Teatrit Kombëtar, kush ishte e veçanta?

E veçanta e kësaj shfaqje ishte që unë bëra një profil tjetër të një baleti. Këtë shfaqje e bëra Danc Teater “Shtëpi Misterioze”, e autorit Honore De Balzac, ku shfaqja në performancë, pati lëvizje dhe tekst, ku vallëzimi tregoi një histori element të valles dhe teatrit e u bënë bashkë në një shfaqje të vetme.

Po në vitin 2010, koreografe ne Cirkun Kombëtar në shfaqjen “Përpëlitje në Mjegull”. E kujt është kjo pjesë dhe pse zgjodhët pikërisht këtë?

Këtë shfaqe të Cirkut Kombëtar e vuri në skenë regjisorja e njohur Armela Demaj, ku unë punova nga ana interpretative dhe nga ana koreografike për çdo pjesë që do u ngjiste në skenë.

 

A mendoni se të qenit balerinë është një profesion me pak hapësira në Shqipëri? A mund të jetohet me këtë profesion?

Mendoj se vështirësi ka, por profesionistët e vërtet e gjejnë gjithmonë hapësirën me aftësinë e tyre për të jetuar me këtë profesion.

Njëkohësisht jeni dhe mësuese për lëndën e koreografisë dhe të baletit. A ka literaturë për këtë profesion kaq specifik, ku bazohet ajo?

Literatura ka, Historia e baletit shqiptar dhe të huaj, si edhe Folklori Koreografik Shqiptar, këto literatura kanë ekzistuar gjithmonë, madje tani janë shtuar metodika të ndryshme literature nga pedagogë të ndryshëm për lehtësimin e mësimdhënies.

Cili është orientimi tuaj për të ardhmen. Do qëndrosh si balerinë, koreografe, apo mësuese e këtyre lëndëve?

Mendoj se të treja do jenë të pandashme me mua, të qenurit balerin do jetë më afatshkurtër, por koreografe dhe mësuese do jem përgjatë gjithë jetës sime.

Cila ka qenë eksperienca më e bukur në këto gjini të profesionit tuaj?

Çdo eksperiencë ka të veçantat e veta, por do të veçoja punën që bëj me fëmijët në qendrën time të kërcimit “Time for Dance”. Të punosh për të mësuar breza të rinjsh, t’i edukoj sesi ata të duken më mire, të performojnë si në qëndrimet me posturën e tyre, ashtu edhe në skenë.

A paragjykohen sot balerinat si më parë?

Mendoj se jo, madje sot të jesh balerinë është një privilegj i madh. Njerëzit kanë filluar ta shikojnë atë si art dhe si një sport. Sot të jesh balerin, adhurohesh nga një publik i gjerë dhe nuk mendoj se ka më paragjykime si më përpara.