Astma, ajri dhe ambienti ku jetojmë shkak për shfaqjen e sëmundjes

Astma, ajri dhe ambienti ku jetojmë shkak për shfaqjen e sëmundjes
Mjekët alergologë ngrenë alarmin se gjatë viteve të fundit është rritur ndjeshëm numri I të prekurve nga astma dhe mes tyre ka edhe shumë fëmijë

Astma bronkiale është një sëmundje e përhapur shumë kohët e fundit dhe të dhënat tregojnë se rreth 300 milionë persona vuajnë nga kjo sëmundje në të gjithë botën. Kjo lloj sëmundjeje prek si fëmijët ashtu edhe të rriturit, në ndryshim nga shumë sëmundje të tjera alergjike të cilat prekin shumica të rriturit, kjo është një sëmundje që prek edhe fëmijët ndaj është shumë  e rëndësishme vendosja e diagnozës sa më shpejt. Sot nw ditwn botërore tw kësaj sëmundjeje specialistët  e Shëndetit Publik japin këshillat për parandalimin dhe mjekimin e kujdesshëm të saj.

Sëmundja

Astma është një nga sëmundjet kryesore jo të transmetueshme e karakterizuar nga kriza të përsëritura të vështirësisë në frymëmarrje dhe fishkëllima gjatë saj, të cilat ndryshojnë në ashpërsi dhe frekuencë nga personi në person. Tek individët e prekur simptomat mund të shfaqen disa herë në ditë ose në javë, dhe për disa të tjerë ato mund të përkeqësohen gjatë aktivitetit fizik ose gjatë natës. Gjatë krizës së astmës, tubat bronkial ënjten duke shkaktuar ngushtimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe zvogëlimin e lëvizjes së ajrit brenda apo jashtë mushkërive. Simptomat e përsëritura të astmës shpesh shkaktojnë pagjumësi, lodhje, reduktim të aktivitetit jetësor të individëve, sidomos në shkollë dhe në punë. Astma ka një shkallë relativisht të ulët të vdekshmërisë në krahasim me sëmundjet e tjera kronike. Astma është e nëndiagnostikuar dhe e nëntrajtuar. Ajo krijon barrë të konsiderueshme për individët dhe familjet.

Shkaqet

Shkaqet kryesore të astmës nuk janë kuptuar plotësisht. Faktorët më të fuqishëm të rrezikut për zhvillimin e astmës janë një kombinim i predispozicionit gjenetik me ekspozimin mjedisor ndaj substancave dhe grimcave që mund të thithen nëpërmjet ajrit, të cilat mund të provokojnë reaksione alergjike ose mund të acarojnë rrugët e frymëmarrjes, si: alergjenet e brendshme si pluhurat në shtëpi, (në shtretër, qilima dhe mobiljet) apo parazitët e ndryshëm si furrtarja e zezë; alergjenet në natyrë (të tilla si poleni dhe myku); kafshët shtëpiake; tymi i duhanit; alergjenet kimike në vendin e punës; ndotja e ajrit etj.

Shkaktarë të tjerë që provokojnë krizat e astmës mund të jenë ajri i ftohtë, ngacmimet ekstreme emocionale si zemërimi ose frika, dhe aktiviteti fizik. Edhe medikamente të caktuara mund të shkaktojnë astmë: aspirina dhe medikamente të tjera josteroide anti-inflamatore dhe beta-bllokuese (të cilat përdoren për të trajtuar presionin e lartë të gjakut, zemrën dhe migrenën). Urbanizimi është shoqëruar me një rritje të astmës, por natyra e saktë e kësaj lidhjeje është akoma e paqartë.

Simptomat

Simptomat e astmës përfshijnë teshtima, kollë, dhimbje gjoksi dhe frymëmarrje të shpeshtë. Këto simptoma mund të shfaqen disa herë brenda ditës apo javës, dhe mund të përkeqësohen gjatë aktivitetit fizik, natën, etj. Pra variojnë te pacientë të ndryshëm. Përsëritja e vazhdueshme e simptomave të astmës mund të shkaktojë pagjumësi, ndjesi lodhjeje, ulje të nivelit të aktivitetit fizik, mungesa në punë/shkollë, etj.

Astma shkaktohet nga faktorë gjenetikë dhe mjedisorë. Këta faktorë ndikojnë në ashpërsinë e astmës dhe mënyrën se si reagon ndaj medikamenteve. Kjo marrëdhënie është shpesh komplekse dhe e vështirë të kuptohet. Kontrolli i gjendjes aktuale të astmës është një hap i domosdoshëm dhe është në përgjegjësinë e profesionistëve shëndetësorë më shumë se sa të pacientëve. Menaxhimi i astmës nga ana tjetër kërkon bashkëpunimin e pacientit me stafin mjekësor.

Menaxhimi i astmës

Megjithëse astma nuk mund të shërohet, menaxhimi i duhur mund të kontrollojë sëmundjen duke u mundësuar njerëzve me astmë të gëzojnë një cilësi të mirë të jetese. Medikamentet me efekt afatshkurtër përdoren për lehtësimin e simptomave gjatë krizave të astmës. Medikamente të tilla si kortikosteroidët aerosole janë të nevojshme për të kontrolluar përparimin dhe përkeqësimin e astmës, si dhe vdekjet e lidhura me të.

Njerëzit me simptoma të vazhdueshme duhet të marrin medikamente afatgjata çdo ditë për të kontrolluar pezmatimin bazë dhe për të parandaluar simptomat dhe përkeqësimin. Qasja e papërshtatshme ndaj medikamenteve dhe shërbimeve shëndetësore është një nga arsyet kryesore për kontrollin e dobët të astmës në shumë vende.  Por medikamentet nuk janë mënyra e vetme për të kontrolluar astmën. E rëndësishme është gjithashtu shmangia e shkaktarëve të astmës. Çdo pacient me astmë duhet të mësojë se cilët janë shkaktarët e mundshëm të krizave të astmës dhe t’i shmangë si një masë parandaluese.

Komplikacionet

Komplikacionet e astmës kanë të bëjnë me evizemat pulmonare, takikarditë tek personat të cilët janë me sëmundje kardiake, aritmi të thjeshta deri në takikardi të cilat rrezikojnë jetën e pacientit. Një tjetër komplikacion I astmës mund të jenë edhe pneumonitë që vijnë si pasojë e sekrecioneve të tapave mukoide që ndodhen në rrugët e bronkeve, duke mbivendosur një infeksion. Kjo e fundit është me evidente tek fëmijët e moshës 1-5 vjeç, apo infeksionet virusale. Nga mosha 5-30 vjeç janë infeksionet e mykolpazmës, dhe mbas moshës 30 vjeç janë infeksionet nga pneumokoku. Pneumonite janë një nga këto shkaqe që vijnë nga mos mjekimi I astmës në kohë.

Rreziku dhe parandalimi

Megjithëse astma nuk vret në atë nivel sa sëmundjet pulmonare obstruktive kronike (SPOK) ose sëmundjet e tjera kronike, neglizhimi apo dështimi i përdorimit të medikamenteve të përshtatshme ose neglizhimi i trajtimit mund të çojë në vdekje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë luan një rol të rëndësishëm në koordinimin e përpjekjeve ndërkombëtare kundër kësaj sëmundjeje. Qëllimi i strategjisë së saj është të mbështesë shtetet anëtare në përpjekjet e tyre për të reduktuar aftësinë e kufizuar dhe vdekjen e parakohshme që lidhen me astmën.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se parandalimi parësor për të zvogëluar nivelin e ekspozimit ndaj faktorëve të zakonshëm të rrezikut, veçanërisht tymit të duhanit, infeksioneve të shpeshta të frymëmarrjes gjatë fëmijërisë dhe ndotjes së ajrit (ekspozimi i brendshëm, i jashtëm, dhe në vendin e punës) duhet të jenë objektiva të programeve të parandalimit të astmës.

 

Fakte nga Organizata Botërore e Shëndetësisë

Sipas OBSH-së, 235 milionë njerëz vuajnë nga astma në rang global.

Astma është sëmundja kronike më e përhapur te fëmijët.

Astma është e pranishme në të gjitha vendet e botës, pavarësisht nivelit të zhvillimit   (80% e vdekjeve për shkak të astmës ndodh në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme).

Astma në shumë raste është e padiagnostikuar dhe e patrajtuar, duke krijuar një barrë domethënëse për individin dhe familjen, si dhe duke kufizuar aktivitetin individual në kontekste të ndryshme të jetës.

 

Hapa ndihmës për përballimin e astmës

Me ndihmën e mjekut duhet të përgatitet një plan personal i trajtimit.

Pacienti duhet të njohë faktorët e rrezikut që lidhen me astmën.

Të merren ilaçet e përshkruara nga mjeku, të cilat mundësojnë lehtësimin e simptomave dhe mbajnë nën kontroll përkeqësimin e mëtejshëm.

Pacienti duhet të kuptojë kur simptomat përkeqësohen

Pacienti duhet të jetë i përgatitur për krizat astmatike dhe për hapat që duhet të ndërmarrë.

loading...
loading...