Bakaj dhe Hyka, ëndrrat e “një nate vere” në Tiranë

Bakaj dhe Hyka, ëndrrat e “një nate vere” në Tiranë
Krahasimi mes Bjellorusisë dhe Shqipërisë. Pse ekipet bjelloruse dhe izraelite, ndryshe nga ato kombëtare, janë më të suksesshme në Europë. Elis Bakaj e Jahmir Hyka bëjnë dallimin   

Nga Aranit Muraçi

Elis Bakaj, ish-mesfushor i Partizanit, por edhe i Tiranës, i cili në Shqipëri ka kaluar edhe një përvojë të shkurtër me Kukësin, është aktualisht lojtari më i preferuar i dy klubeve kryeqytetase, si përforcim i bujshëm gjatë merkatos së verës. Ndonëse nuk ka asgjë të sigurt, Tirana ka kontaktuar lojtarin për ta pasur si një përforcim të saj, nëse ajo fiton Kupën e Shqipërisë dhe të drejtën e pjesëmarrjes në Europa League. Më herët, ka qenë Partizani, që e kishte planifikuar ish-mesfushorin që doli nga gjiri i saj, për projektin e madh të UEFA Champions League.

Elis Bakaj, pas kalimit në Bjellorusi, ku aktivizohet me Shaktar Soligorski, ka arritur brenda një sezoni të bindë drejtuesit e tifozët bjellorus, e për këtë arsye nuk ka ndërmend të rrezikojë. Interesimit të Tiranës dhe të Partizanit, nëse mesfushorit do t’i bëhet oferta e duhur për Kupat e Europës apo për sezonin tjetër, Elis Bakaj, për “Albanian Free Press”, u përgjigj se “i pëlqen të shijojë momentin dhe ndihet mirë”, ndërkohë që pranoi se  po ashtu “ka ndërmend ta vazhdojë karrierën jashtë”, derisa t’ia lejojë mosha . Para derbit të kryeqytetit, Tirana-Partizani, fitorja e Partizanit i shpall të kuqtë kampionë dhe nëse Tirana fiton, siguron mbijetesën.

Ajo çka e bën pesimist të ardhmen në Shqipëri, për një futbollist cilësor si Elis Bakaj, apo Jahmir Hyka, është pikërisht përvoja që ata kanë kaluar apo vazhdojnë jashtë vendit.  Bakaj, pa dashur të futet në detaje mes ofertave financiare, ka bërë një krahasim mes realitetit shqiptar dhe atij bjellorus ku luan aktualisht. Bate Borisov, skuadra më e njohur e Bjellorusisë pasi kaloi në fazën e grupeve të Champions League pak sezone më parë, nuk arriti rastësisht deri aty.

Në Bjellorusi Bakaj tha se “skuadrat kanë buxhete nga 7-8 milionë euro, ndërsa Bate Borisov i kalon 10 milionë eurot”, ndërsa në Shqipëri buxheti i Skënderbeut, skuadra që fitoi shtatë tituj kampionë në vitet e fundit dhe arriti deri në fazën e grupeve të Europa League, nuk shkonte më tepër se 2 milionë euro. Sipas llogarive të thjeshta, një futbollist në kampionatin shqiptar paguhet 3-4 herë më pak se në Bjellorusi. Pavarësisht vështirësive apo kostos së jetesës larg familjes, futbollistët shqiptarë të cilët luajnë në liga të vendeve më të vogla, sidomos në vendet e lindjes, llogarisin të paktën dyfishin e a të ardhurave që do të merrnin në Shqipëri. Bëhet fjalë për një shifër që varion nga 50 deri në 100 mijë euro më shumë.

Një situatë e ngjashme me Elis Bakaj, për rikthimin në Shqipëri, sidomos nga Tirana, mësohet të jetë shprehur edhe për mikun e vjetër të tij, Jahmir Hykën, 31-vjeçarin e Kombëtares kuqezi, që pas përvojës në SHBA, po shkëlqen në Izrael, me Makabi Netanja. Hyka, ish-lojtar i Tiranës, shihet si një “xhevahiri” i çmuar i ambicieve bardheblu, por edhe nga ana e Partizanit për suksesin në Europë, apo për të vijuar rrugën drejt sukseseve në kampionatin e ardhshëm.

Megjithatë, modeli “Skënderbeu” dhe “Hamdi Salihi” po ndiqet nga Partizani, në projektin Champions, ashtu sikurse u pranua edhe nga Refik Halili, presidenti i Tiranës, që para derbit, u shpreh se ka blerë katër lojtarë cilësorë, pa deklaruar emra. Ishte Skënderbeu, që joshi sulmuesin kuqezi në fund të karrierës, për ta rikthyer në Shqipëri, duke i bërë një ofertë më të mirë financiare se ajo që ai merrte në fund të karrierës në Austri. Salihi ndihmoi Skënderbeun, në arritjen historike të Europa League.