Datat e testimit për licencat e reja në mjekësi

Datat e testimit për licencat e reja në mjekësi
Gara për licencimin e profesionistëve të rinj në mjekësi nis në datën 8 maj. Janë me qindra kandidatët që do të kalojnë në provimin e shtetit, rezultatet e të cilit janë vendimtare për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit në një nga profilet mjekësore. Pas vlerësimit të kërkesave të paraqitura nga urdhrat profesionalë, Qendra e Shërbimeve të Arsimit, ka zbardhur gjatë ditës së djeshme kalendarin me datat e testimeve për të gjitha profesionet mjekësore, teksa në ditët në vijim do të shpallë edhe listën zyrtare të kandidatëve që kanë të drejtë të hyjnë në test për të siguruar licencën e mjekut, farmacistit, fizioterapistit, si dhe teknikëve të imazherisë dhe laboratorit.

Sipas afateve të përcaktuara, testimet do të vijojnë në datën 8 maj, ndërsa të parët që do të konkurrojnë për licencën janë ata që kanë përfunduar studimet për mami. Më pas, përkatësisht provimin e licencës do të kalojnë fizioterapistët, mjekët, stomatologët, farmacistët, për të vijuar më pas me të gjitha profilet e tjera mjekësore. Në vijim të shkrimit gjeni të plotë kalendarin e detajuar me datat dhe oraret e testimit për secilin specialitet. Si i shkak i numrit të lartë të kandidatëve që konkurrojnë për licencën, autoritetet e QSHA-së bëjnë me dije se provimet edhe për këtë sezon do të zhvillohen me tre turne gjatë ditës.

Testimi

Testimi do të jetë i informatizuar dhe çdo kandidat duhet të paraqitet në ambientet e kësaj qendre, në ditën e përcaktuar për specialitetin e tij, për të plotësuar testin me alternativa online. Për t’u ardhur në ndihmë kandidatëve, QSHA ka detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të QSHA-së.

Pikët dhe tarifat

Sipas procedurave të përcaktuara, kandidatët të cilët do të vlerësohen në testin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profesionale, pasi rezultojnë mbetës. Këta kandidatë duhet të presin sezonin e fundvitit për të ridhënë sërish testimin e licencës. Sipas rregullores, nëse një kandidat nuk paraqitet në provim, ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer.

Kandidatwt tw cilwt e japin provimin e shtetit pwr herw tw parw duhet tw paguajnw njw tarifw prejj 10 000 lekë, ndërkohë që kjo shifër rritet me 2500 lekë për çdo rast kur kandidatit i duhet ta rijap provimi, e drejtë kjo deri në 5 herë. Mw pas tarifa mbetet e pandryshaur, pra 25 000 lekw pwr herën e gjashtw e nw vazhdim.

Sipas rregullores, mbetësit mund ta japin sërish Provimin e Shtetit. Më parë ata mund t`i nënshtroheshin testit deri në 5 herë, por prej tetorit të vitit të kaluar ky limit është hequr. “Nuk ka një limit me daljen e VKM-së në tetor të 2018 është hequr kufizimi prej 5 herësh. Mund ta japin këtë provim kundrejt një pagese, e cila është e barabartë me atë nga hera e pestë” pohon Rezana Vrapi, drejtuese e QSHA. Autoritetet drejtuese të kësaj qendre bëjnë me dije se pjesa dërrmuese e këtyre të rinjve, kthehen në garë për licencën për të disatën herë, pasi kanë dështuar në sezonet e provimeve të zhvilluara përgjatë viteve të shkuara. “Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit, si dhe kualifikimet profesionale në atë profesion, të cilat duhet të vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për profesionet e rregulluara”, bëjnë me dije ekspertët e QSHA.

http://qsha.gov.al/DPSH/materiale/njoftime/Kalendari%20i%20datave%20t%C3%AB%20mjek%C3%ABsis%C3%AB%20sezoni%20XVI%20Maj%202019.pdf