Denaj: Forcimi i financave publike, vlerë për rritjen ekonomike

Denaj: Forcimi i financave publike, vlerë për rritjen ekonomike
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, ndalet te taksat dhe punësimi

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, në daljen e djeshme për mediat me zyrtarët e FMN DHE Guvernatorin e BSH, tha se rritja ekonomike e vendit është tashmë stabilizuar në nivelin 4% dhe pritet që të vazhdojë prirjen pozitive edhe në pjesën e mbetur të vitit. Sipas saj, “pavarësisht luhatjeve të tremujorit, të ndikuar kryesisht nga faktorë të jashtëm të lidhur me situatën në vendet partnere, pritet që në pjesën e mbetur të vitit ekonomia të vazhdojë prirjen pozitive”.

Denaj tha se sektorët e bujqësisë, ndërtimit dhe turizmit pritet të kompensojnë luhatjet në sektorin e energjisë. Kurse kërkesa e brendshme pritet të jetë e qëndrueshme pavarësisht rreziqeve në rritje të kërkesës së jashtme.

Për ministren Denaj, papunësia ka shënuar rënie duke arritur në nivelin 12.3% referuar raportit të Bankës Botërore. Ndërsa, sipas INSTAT në vitin 2018 në Shqipëri janë 1.23 milionë të punësuar dhe shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ka arritur nivelin 68.3%. Sipas Denaj, vendet e lira të punës edhe gjatë tremujorit të parë kanë treguar një trend pozitiv. “Të dhënat e deklaruara në Zyrat e Punës flasin për 11 101 vende të lira pune për tremujorin e parë të vitit. Ndërsa punësimet të realizuara vetëm nga Zyrat e Punësimit në tremujorin e parë tregojnë për një rritje 30% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”.

Duke folur për të ardhurat tatimore, Denaj tha se kanë qenë përgjithësisht të kënaqshme gjatë tremujorit të parë të vitit. “Vetëm nga tatim-fitimi gjatë 4 mujorit të parë janë mbledhur 17% të ardhura më shume se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, në një kohë që është lehtësuar tatim-fitimin për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë duke e zbritur normën nga 15%, në 5%. Ndërsa të ardhurat e pushtetit vendor për tremujorin e parë të 2019-s patën një rritje prej 37.8% krahasuar me tremujorin e parë të 2018”.