Diabeti, dieta ushqimore që këshillohet për të sëmurët

Diabeti, dieta ushqimore që këshillohet për të sëmurët
Në rastet e diabetit Tip I, i cili është kryesisht tek të rinjtë, është një lloj diete mbështetëse e trajtimit medikamentoz. Dieta e shoqëruar me aktivitetin fizik. Ndërsa tek diabeti Tip II që përbën edhe grup popullatën më të prekur dhe kryesisht ai shfaqet tek moshat e rritura dhe kryesisht tek moshat e treta, dieta duhet të jetë e lidhur ngushtë me patjetër me aktivitetin fizik. Mjekët endokrinologë pohojnë se është i rëndësishëm konsumimi i perimeve, frutave dhe zarzavateve, si dhe 5 deri në 6 vakte në ditë. Mëngjesi i domosdoshëm. Mjekja endokrinologe Marjeta Kermaj pohon se dieta ushqimore është një nga 4 elementët e rëndësishëm për trajtimin

Sonila Isaku

Ndryshe nga sëmundjet e tjera, diabeti “nuk thërret”, sepse nuk ka dhimbje e për këtë arsye, shkalla e depistimit dhe zbulueshmërisë është vetëm 1/3 e të prekurve. Mjekët endokrinologë thonë se në një vit ka 3000 raste të reja me këtë sëmundje në vendin tonë. Por çfarë duhet të bëjë një i sëmurë kronik me diabet në mënyrë që jeta e tij me këtë sëmundje të jetë sa më e thjeshtë. Dieta ushqimore dhe aktiviteti fizik janë rregullatorët më të mirë të kësaj sëmundjeje.

Mjekja endokrinologe Marjeta Kermaj pohon se dieta ushqimore është një nga 4 elementët e rëndësishëm për trajtimin. Këto elementë kanë të bëjnë me aktivitetin fizik i cili është i lidhur ngushtë me dietën ushqimore, edukimi dabetologjik dhe trajtimi medikamentoz që mund të jetë me medikamente apo me insulinë dhe kjo varët nga stadi i sëmundjes së Diabetit Tip II.

Dieta

Dieta nuk mund të jetë e njëjtë për të gjithë diabetikët. Rregullat orientuese mund të jenë të përgjithshme, por jo dieta. “Këto rregulla janë ato që në qoftë se regjimi ushqimor do të respektohet jo vetëm nga pacientët me diabet por edhe nga popullata e përgjithshme do ta quaja thjesht një regjim ushqimor i shëndetshëm dhe individët të cilët do ta respektonin do kenë një cilësi shumë të mirë jete. Dieta ka rëndësinë e vet, duke pasur parasysh tipin e diabetit që ka personi” pohon mjekja endokrinologe.

Në rastet e diabetit Tip I, i cili është kryesisht tek të rinjtë, është një lloj diete mbështetëse e trajtimit medikamentoz. Dieta e shoqëruar me aktivitetin fizik. Ndërsa tek diabeti Tip II që përbën edhe grup popullatën më të prekur dhe kryesisht ai shfaqet tek moshat e rritura dhe kryesisht tek moshat e treta, dieta duhet të jetë e lidhur ngushtë me patjetër me aktivitetin fizik.

Por pse dieta tek këta pacientë merr rëndësinë e dorës së parë? Sepse tek diabeti Tip II faktori riskant që krijon terren për tu shfaqur kjo sëmundje është mbipesha trupore apo obeziteti. Rreth 80 % e kësaj grup popullate janë obezë. Ndaj dieta duhet të përcaktojë kalorazhin ditor dhe të sjellë uljen ë peshë nga 5-10 % të peshës trupore.

Perimet

Por sa kalori duhet të marrë një person i cili vuan nga diabeti? Kalorazhi ndryshon në varësi të gjinisë, në varësi të moshës, në varësi të aktivitetit fizik, në varësi të peshës trupore etj. “Gjithsesi ne kemi disa rregulla të përgjithshme që ne kemi të unifikuara për të gjithë, më pas është dietologia ajo që përcakton kalorazhin konkret për çdo pacient. Ajo që rekomandohet të konsumohet pa masë janë perimet dhe zarzavatet, ato rekomandohen të konsumohen të freskëta dhe mundësisht të pa përpunuara (skuqura apo zier) për të mos humbur vlerat ushqimore. Këto ushqime nuk duhet të skuqen po të konsumohen të ziera ose të pjekura. Sa i përket vajit, preferohet përdorimi i vajrave bimore siç është vaji i ullirit” thekson mjekja Kermaj.

Mëngjesi

Për mjekët kusht i domosdoshëm është konsumimi i mëngjesit. Nëse një person me diabet nuk e kryen këtë atëherë ai rrezikon të luajë me gliceminë trupore duke rrezikuar seriozisht shëndetin. “E rëndësishme është që dita të nise duke konsumuar diçka. Ky është edhe rregulli i parë, pavarësisht kohës së kufizuar që mund të kemi nuk duhet të harrojmë mëngjesin. Personat me diabet këtë duhet ta respektojnë 100% sepse gjatë orëve të ditës kur fillon aktiviteti fizik, personi me diabet rrezikon uljen e sheqerit. Për diabetikët, luhatja e glikemive nuk është e këshillueshme, ndaj për të ruajtur një raport ë mirë këshillohet konsumimi i çdo vakti ushqimor.

Pas kësaj vjen rregulli numë dy i cili ka të bëjë me ndarjen e kalorazhit ushqimor, i cili duhet të jetë deri në 5-6 vakte në ditë, ku tre të jenë kryesorët dhe dy vakte të mesme”, - nënvizon endokrinologia. Sipas saj, rregulli i tretë ka të bëjë me konsumimin e ushqimit. Ai nuk duhet të konsumohet shpejt, pra duhet të hamë ngadalë.

Fibrat

Përveç vlerave të tjera ushqimore që duhet të marrë një person me diabet, bluzat e bardha pohojnë se marrja e fibrave është e domosdoshme pasi ndihmon në rregullimin e shumë parametrave trupore. Kështu, gjatë marrjes së një vakti me rëndësi është edhe marrja e të gjitha vlerave ushqimore si proteina, karbohidratet dhe yndyrnat, si dhe fibrat. Këto të fundit i gjejmë kryesisht tek perimet por edhe tek drithërat integrale, thjerrëzat, fasulet, bishtajat, frutat e thata etj.

Fibrat përveçse kanë vetinë e ngopjes së shpejtë dhe nuk na lejojnë të marrim shumë ushqim, kanë edhe vetinë e thithjes së shpejtë të sheqernave që ne marrim nëpërmjet ushqimit. Fibrat nga ana tjetër ndihmojnë edhe për mirëfunksionimin e zorrës, duke eliminuar problemet që kanë shpesh pacientët me diabet sa i përket jashtëqitjes. Të pasura me fibra janë edhe frutat, por ato duhet të konsumohen si një nënvakt dhe jo pas ushqimit pasi ndihmojnë në rritjen e sheqerit.

Frutat dhe ëmbëlsirat

Frutat dhe perimet janë ndër ushqimet kryesore të cilat duhet të konsumohen nga pacientët me diabet. Por me disa duhet të kemi kujdes, pasi kanë më shumë sheqer. “Disa prej këtyre frutave kanë sheqer më shumë dhe këtu mund të fusim rrushin, fikun, bananen, hurma. Tek këto fruta pacientët me diabet duhet të kufizohen pasi mund të çojnë në rritje të nivelit të glukozës në gjak. Ajo që këshillohet gjatë ngrënies së frutave është shoqërimi i tyre me fruta të thata si arra, lajthi bajame etj” pohon Kermaj.

Çfarë tjetër duhet të shmangin diabetikët? Ajo që duhet të shmanget janë ëmbëlsirat por jo në mënyrë totale, ato lejohen vetëm një herë në disa kohë. Në këtë kategori futen ëmbëlsirat, mjalti dhe sheqeri i pastër.

 

 

Etem Keka: Si e mësova që vuaj nga diabeti dhe dieta që mbajta

Etem Kekaj është një pensionist i cili praninë e diabetit në trupin e tij e ka mësuar rastësisht. Ai tregon se kishte disa shqetësime të vogla, por që asnjëherë nuk ishte shtyrë të kryente një vizitë tek mjeku i familjes apo të kryente analiza laboratorike.

“Një ditë teksa po ecja nga Liqeni Artificial ishte ngritur një stendë në të cilën kryenin majte të glicemisë falas. U afrova dhe bëra një matje. Mjeku i cili ishte i pranishëm më tha që vlerat e diabetit i kisha të larta, kjo edhe se isha i ngrënë, por që duhet të kryeja një vizitë tek mjeku specialist. Nga aty misi edhe historia ime me diabetin” pohon 66 vjeçari.

Më pas ai tregon se nga ajo ditë iu desh të mbante një regjim të fortë ushqimor për të ulur peshën trupore me 15 kg si dhe të stabilizonte parametrat e diabetit, por sot ai është një nga ata mijëra pacientë që mjekohet nga kjo sëmundje.

 

Çfarë është diabeti

Diabeti i sheqerit (diabetes mellitus) është një çrregullim metabolik, që karakterizohet me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak dhe që shoqërohet me çrregullime të metabolizmit të karbohidrateve (sheqernave), yndyrave dhe proteinave.

Ky çrregullim apo më mirë të themi, kjo sëmundje vjen si pasojë e defektit të sekretimit të insulinës, të veprimit të saj, të dyjave bashkë ose mungesës së plotë të sekretimit të insulinës, i cili është një hormon, që me të drejtë konsiderohet çelës për futjen e glukozës në qelizë.

Prandaj, kur merren në konsideratë të gjitha këto karakteristika të këtij çrregullimi, mund të themi që organizmi tek diabetikët nuk funksionon normalisht, pikërisht për të gjitha ato që thashë më lart, rreth veprimit të insulinës, hormon që sekretohet normalisht nga pankreasi.

loading...
loading...