DUHEN 1 MILION VOTA... - ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA

DUHEN 1 MILION VOTA... - ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vetëm një herë në tre dekadat e fundit, ka ndodhur që një koalicion në Shqipëri ta ketë arritur rrotacionin politik me më pak se 1 milionë vota. Kjo gjë ndodhi në vitin 2005, për dy arsye specifike të atyre zgjedhjeve. Së pari, në 100 zonat e mazhoritarit nuk kishte balotazh, kështu që shumë kandidatë të PD-së i fituan zonat edhe me 30%-40% të votave në zonat përkatëse. Kjo, sepse kandidatët e majtë të LSI-së, PSD-së, PDS-së etj. u futën si pykë në mes, duke u prishur punë kandidatëve të PS-së. Së dyti, falë skemës së “Dushkut të madh”, PR-ja dhe aleatët e tjerë të vegjël të PD-së fituan shumicën e 40 mandateve që shpërndaheshin me sistemin e korrektuar proporcional.

Rrotacionet e tjera të tre dekadave kanë patur vulën “1 milion vota” në ballin e fituesit. Në vitin 1992, koalicioni i PD-së mori mbi 1 milionë vota. Në vitin 1997, koalicioni i PS-së mori mbi 1 milionë vota. Në vitin 2013, koalicioni i i PS-së mori 1 milionë vota.

Sot koalicioni i madh i PD-së pret të marrë pushtetin, por nuk i ka 1 milionë vota. Asnjë nga sondazhet e publikuara deri më sot nuk e tregojnë një gjë të tillë. Ato tregojnë se PS-ja rrotullohet (brenda marzhit të gabimit statistikor +/-3%) rreth nivelit 50%, ndërkohë që vetëm 1.5 milionë banorë të rritur janë gati të votojnë sot.

Pse duhet një epërsi dërrmuese për rrotacionin e radhës?

Në mungesë të një sistemi elektoral si i 2005-ës (kur koalicioni i PD-së erdhi në pushtet me vetëm 41% të votës popullore), është e vështirë t’i marrësh pushtet në Shqipëri një partie që ka pothuaj gjysmën e votave të atyre që janë gati të votojnë. A i fitoi dot zgjedhjet Rama në 2011, megjithëse numërimi fillestar tregoi se kishte një epërsi minimale ndaj Bashës në Tiranë? Rinumërimi i votave në “kutitë e gabuara” nxori fitues Bashën, edhe përkundër habisë së ambasadorit amerikan, i cili kishte përveshur mëngët gjatë numërimit fillestar…

Ndoshta i djegur nga ajo përvojë e 2011-ës, Rama nuk i besoi futjes në zgjedhjet e 2013-ës me një koalicion të vogël të majtë (plus AK e FRD). Prandaj u detyrua të hante ngjalat në Lalëz, për të bërë koalicionin me Metën – gjë që i siguroi 1 milion votat e famshme…

Aktualisht, koalicioni i PS-së me partitë e vogla të majta, ka rrënjë shumë të thella elektorale. Dardha bie nën dardhë e nën dardhë – biri voton si babai, e nipi voton si gjyshi ish-komunist (për të mos shkuar deri tek stërnipi…) Për këtë arsye, këtë koalicion mund ta llogaritësh me rreth 750-800 mijë vota, ndërkohë që pjesëmarrësit mund të jenë rreth 1.5-1.6 milionë.

Dhe në një vend si Shqipëria, kur opozita futet në zgjedhje pa një epërsi të qartë paraprake, rezultati dihet si del – ose qysh në numërimin fillestar, ose pas apelimit në KQZ e në Kolegj zgjedhor…

Problemi nuk është vetëm shqiptar…

NË TURQI, në zgjedhjet për bashkinë e Stambollit, fitoi pas 17 vjetësh një kandidat republikan. Por problemi ishte se ai fitoi me një epërsi fare të vogël (0.1%). Dhe sadoqë rinumërimi i votave e nxori atë përsëri fitues, Erdogani e detyroi Komisionin Zgjedhor t’i anulojë zgjedhjet dhe t’i përsërisë ato në 23 qershor.

NË SHBA, Donald Trumpi i fitoi zgjedhjet në Kolegjin Elektoral, falë një epërsie fare të vogël të tij në shtetet Pensilvani, Michigan dhe Uinskonsin (përkatësisht 0.4%, 0,2% dhe 0.1%). Por votën popullore në rang kombëtar e fitoi Klintoni, me pothuaj 3% (sa ç’e kishin parashikuar shumica dërrmuese e sondazheve parazgjedhore).

Edhe pse Trumpi shkoi në Shtëpinë e Bardhë, nuk e linte meraku për humbjen e votës popullore. Prandaj ai ngriti një komision hetimor, për të vërtetuar se në disa shtete ku ai humbi, kishin votuar ilegalisht miliona emigrantë. Ai komision nuk arriti ta vërtetonte këtë gjë, dhe u shpërbë pa shumë zhurmë.

Por ai episod e ka bërë kryetaren e opozitës të ngrejë alarmin për zgjedhjet e 2020-ës. Sipas saj, në qoftë se fitorja e kandidatit të opozitës ndaj Trumpit do të jetë me epërsi minimale, ky i fundit nuk do të pranojë të largohet nga Shtëpia e Bardhë, duke e zvarritur çështjen pafundësisht në shkallët e ndryshme të gjykatave. (Trumpi njihet si një biznesmen që ka zhvilluar gjyqe të pafundme, për të mos pranuar të paguante detyrime të ndryshme ndaj të tretëve.)

Konkluzion

Në qoftë se sondazhet tregojnë që opozita e bashkuar nuk i afrohet 1 milion votave, do të ishte e rrezikshme për të, që të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Vetëm në qoftë se ajo i afrohet kuotës 1 milion ose PS-ja ndahet në dy pjesë (siç u nda para 2005-ës), mund të shpresojë opozita për fitore. Sepse eksperimenti me qeveri teknike tranzitore nuk i funksionoi më 2017-ën...

Ky artikull u shkrua ekskluzivisht për “Albanian Free Press” dhe afp.al. ndalohet rreptësisht ripublikimi nga çdo media tjetër. Në rast kundravajtjeje, do të publikohen shkelësit

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press