Edy Reja, debutimi mes dilemave të qershorit

Edy Reja, debutimi mes dilemave të qershorit
Pavarësisht punimeve intensive në “Arena Kombëtare”, koha shihet e pamjaftueshme. FSHF ka nisur në UEFA emrin e stadiumit “Elbasan Arena” për ndeshjen e 11 qershorit kundër Moldavisë

Nga Aranit Muraçi

Stadiumi “Arena Kombëtare” është drejt përfundimit, por për shkak të volumit të punimeve dhe pavarësisht dëshirës që të ishte gati në qershor, Tirana nuk do të ketë në dispozicion më 11 qershor impiantin më modern të vendit, për të pritur Moldavinë, në ndeshjen e katërt kualifikuese Euro 2020.

Trajneri i ri Edy Reja do të debutojë kundër Islandës në transfertë, në ndeshjen e tretë kualifikuese, dhe në vendin tonë, ndryshe nga parashikimet, ai dhe kuqezinjtë në ndeshjen e katërt kualifikuese më 11 qershor me shumë gjasa do të luajnë në Elbasan.

Arena Kombëtare 

Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar foto nga punimet brenda stadiumit të ri, duke bërë me dije se “vijojnë punimet intensive në stadiumin Arena Kombëtare”, ndërkohë që nuk ka saktësuar nëse ky impiant do të inaugurohet në qershor, sipas premtimit.  Stadiumi më i madh në vend do të ketë kapacitet prej 22 mijë vendesh dhe do të jetë i pari në vend, krejtësisht i mbuluar. Për t’i paraprirë çdo situate FSHF ka nisur në UEFA stadiumin “Elbasan Arena”, si shtëpia pritëse e ndeshjes kundër Moldavisë.

Edhe pse po kryhen punime intensive dhe pavarësisht se punimet i vizitoi pak ditë më parë kryeministri Edi Rama, mbyllja e punimeve në kohë rekord që stadiumi të jetë gati pas një muaji shihet gati një “mision i pamundur”. Nëse nuk do të përfundojë, është planifikuar në muajin gusht një miqësore luksi, për inaugurimin e tij.

Ndeshjet e qershorit

Ndaj Moldavisë, UEFA ka zyrtarizuar deri tani stadiumin “Elbasan Arena”. Kjo ndeshje do të luhet më 11 qershor në ora 20:45. Pavarësisht planit që Edy Reja të debutonte në Tiranë, italiani po bën llogaritë që në dy takimet e para të arrijë rezultate konkrete, që do t’i hapnin rrugë një kualifikimi të mundshëm në Euro 2020. Statistikat janë në favor të tij.

Në tre ndeshjet e kaluara me Moldavinë, Shqipëria ka fituar dy prej tyre dhe ka barazuar në një takim tjetër, ndërkohë që ekipi ynë përfaqësues ka shënuar 6 gola, kundrejt 4 golave të pësuar. Edy Reja do të debutojë me kuqezinjtë në Laugardalsvollur të Reykjavik më 8 qershor, ora 15:00, ndaj një rivali me objektiva të njëjta, por me një tregues pozitiv. Islanda nuk fiton në pesë ndeshjet e fundit brenda në shtëpi, ndonëse në dy përballjet e kaluar zyrtare me kuqezinjtë i ka fituar të dyja ndeshjet. Në përballjet direkte Islanda ka fituar tre ndeshje, kundrejt dy fitoreve të Shqipërisë. Islandezët kanë realizuar 7 gola nga 5 të pësuar.