FMN: Klima e biznesit, duhen reforma të reja

FMN: Klima e biznesit, duhen reforma të reja
Fondi Monetar Ndërkombëtar flet pas misionit të monitorimit: Ruajtja e ritmit të rritjes në periudhën afatmesme kërkon reforma për ta përmirësuar klimën e biznesit dhe për t’i zvogëluar pikat e dobëta

Shqipëria duhet të kryejë një varg reformash të reja, të cilat të mund të përmirësojnë klimën e biznesit në vend. Porosia vjen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili kreu një mision të dytë monitorimi në vendin tonë.

FMN bashkohet në këtë mënyrë me deklaratat e vazhdueshme të biznesit shqiptar e të huaj që operon në Shqipëri, se klima e biznesit ka nevojë për t’u përmirësuar me hapa konkrete nga qeveria.

“Ruajtja e ritmit të rritjes në periudhën afatmesme kërkon reforma për ta përmirësuar klimën e biznesit dhe për t’i zvogëluar pikat e dobëta. Risqet më kryesore vijnë nga borxhi i lartë publik, nga dobësitë në financat publike dhe nga pengesat për ndërmjetësimin financiar. Ndër prioritetet për politikat përfshihen konsolidimi i mëtejshëm fiskal nëpërmjet politikave tatimore të hartuara mirë, administrimi më i mirë i investimeve publike dhe masa të kujdesshme në mbështetje të kredive për investimet e sektorit privat”, - thuhet në deklaratën përmbyllëse të FMN.

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), vizitoi Tiranën 10 ditët e fundit, nën drejtimin e Jan Kees Martijn, për të zhvilluar diskutimet e Monitorimit të dytë Pas Programit (MPP). Procesi i MPP-së është instrument mbikëqyrjeje të rregullt në ato vende që kanë një nivel kredie të pashlyer të FMN-së, në mbi 200 për qind të kuotës. Misionet e MPP-së kanë fokus të veçantë te pikat e dobëta dhe risqet për aftësinë ripaguese kundrejt FMN-së. Në përfundim të vizitës, misioni doli me këtë deklaratë:

Deklarata përmbyllëse përshkruan konstatimet paraprake të ekipit të FMN-së pas vizitës në vend. Mbështetur në konstatimet paraprake të këtij misioni, stafi do të përgatisë një raport i cili, në varësi të aprovimit nga instancat drejtuese, do t’i paraqitet Bordit Ekzekutiv të FMN-së për diskutim dhe vendimmarrje.

Në një përmbledhje që FMN publikoi dje, tha se “perspektiva ekonomike afatmesme e Shqipërisë është përgjithësisht e favorshme, edhe pse rritja pritet të jetë e moderuar në vitin 2019”. Por FMN vlerëson se “ruajtja e ritmit të rritjes në periudhën afatmesme kërkon reforma për ta përmirësuar klimën e biznesit dhe për t’i zvogëluar pikat e dobëta.”.

Sipas saj, risqet më kryesore vijnë nga borxhi i lartë publik, nga dobësitë në financat publike dhe nga pengesat për ndërmjetësimin financiar.

Ndër prioritetet për politikat përfshihen konsolidimi i mëtejshëm fiskal nëpërmjet politikave tatimore të hartuara mirë, administrimi më i mirë i investimeve publike dhe masa të kujdesshme në mbështetje të kredive për investimet e sektorit privat.

FMN kërkon nga qeveria shqiptare, “kufizimin e risqeve fiskale dhe krijimin e amortizuesve fiskalë që kërkon konsolidim të mëtejshëm fiskal nëpërmjet përpjekjeve të qëndrueshme në anën e të ardhurave dhe fuqizimit të institucioneve buxhetore”.

Në këtë kuadër, FMN i kërkon qeverisë të “shfrytëzojë mjedisin e favorshëm ekonomik për ta përmirësuar pozicionin fiskal nëpërmjet fuqizimit të bazës së të ardhurave fiskale”.

Për FMN i rëndësishëm është dhe fuqizimi i sistemit tatimor. Kjo sipas FMN arrihet “nëpërmjet anulimit të masave që e fragmentojnë dhe dobësojnë bazën tatimore dhe nëpërmjet nivelimit të fushës së lojës për bizneset”.

Nga ana tjetër, nevojitet veprim i menjëhershëm për të kufizuar detyrimet e prapambetura të sektorit publik. “Këto detyrime të prapambetura e cenojnë klimën e biznesit dhe

besimin në qeveri. I nxisim autoritetet të sigurojnë shlyerje të plotë dhe në afat të çdo kërkese të re të miratuar për rimbursim TVSH-je, duke i mos i lidhur rimbursimet me me flukset përkatëse të të ardhurave tatimore”, - thuhet në qëndrimin e FMN.