FMN/ Shqetësimi: Borxhi publik vazhdon të jetë i lartë

FMN/ Shqetësimi: Borxhi publik vazhdon të jetë i lartë
Pavarësisht nga rënia gjatë viteve të fundit, borxhi publik vazhdon të jetë i lartë, në rreth 69.9 për qind të PBB-së (përfshirë detyrimet e prapambetura) në fund të 2018 dhe parashikohet të zbresë në 66.3 për qind në fund të këtij viti. Në nivelin aktual të borxhit publik dhe të deficitit, politika fiskale ka shumë pak hapësirë për të përballuar apo kompensuar tronditje negative. Gjithashtu, risqet fiskale janë rritur edhe nga rritja e detyrimeve të kushtëzuara, siç janë ato që lidhen me partneritetet publike-private (PPP).

Megithatë FMN vlerëson se risqet ndaj aftësisë së Shqipërisë për ta shlyer kredinë duken të kufizuara.

Edhe pse nevojat për financim bruto janë mjaft të larta për shkak të afatit të maturimit relativisht të shkurtër të borxhit publik, shërbimi i borxhit, përfshirë edhe borxhin e FMN-së, pritet të mbetet brenda aftësisë së Shqipërisë për ta shlyer. Kredia për t’u shlyer ndaj FMN-së qe sa 2,8 për qind e PBB-së në fund të vitit 2018. Edhe historiku i mirë në shlyerje të kredive dhe stabiliteti makroekonomik i Shqipërisë sugjerojnë se risqet e shlyerjes janë të kufizuara.