Jam këtu, më gjej, më shpëto!

Jam këtu, më gjej, më shpëto!
 

nga Juela Meçani

Dikur luftonim për një telefon, se numrat ishin aq të kufizuar sa shumë pak veta kishin një telefon fiks në shtëpi. Me fat edhe më shumë ishe po të kishe telefon në zyrë. Nëse donin të të gjenin, duhej të të vinin në shtëpi, të të thërrisnin nga ballkoni, ose të ngjiteshin lart deri tek dera. Nëse nuk ta ndjente të takoje njeri, duroje zilen të binte e shtireshe sikur nuk ishe aty. Sa mirë, apo jo! Kur në ndonjë vakt dreke, veçanërisht të vetmen ditë pushimi, të dielën, të kërkonin, bezdiseshe pa masë. “Eh po këta njerëz ç’janë kështu, nuk dinë të rrinë rehat e të shqetësojnë kohë e pa kohë!”, - shprehej menjëherë im atë.

Sot duhet të jemi edhe kur askujt nuk ia ndjen të jemi diku, edhe kur askujt nuk ia ndjen të dijë se çfarë po bëjmë, madje edhe kur po aty janë qindra të tjerë si ne.

“Check-in” epidemi! Jam këtu, më gjej, më shpëto! Të jemi kaq të vetmuar thua?

Në një delir kolektiv, me nga dy apo tre celularë, me të cilët kemi një dashuri pa kufi, ulim e ngrejmë kokën orë e çast mbi ekranet me ngjyra për të parë a po na “vëzhgon” njerëzia. Nga njëri ekstrem në tjetrin, nga të izoluar deri në skaj, tashmë jemi lajmëtarë të përminutshëm të vendndodhjes tonë, i kemi përshtatur vetes një hartë dixhitale personale, me kast.

Ne duam, kërkojmë, pretendojmë që të gjithë të dinë se ku jemi e se ai moment, ajo orë në atë ditë të jetës tonë është për të gjithë. Të jemi kaq të hapur vallë? Kaq miqësorë?

Në një vorbull autoreklamimi biem se duam të biem, me një “check-in” të shpejtë zhveshim profilin tonë nga çdo privatësi, nga çdo pjesë personale e ditës dhe krijojmë lidhje imagjinare me botën. E këtë radhë pa pritur asgjë të na vijë nga ajo. Është një nga ato gjestet pa mision, pa interes të mirëfilltë, një nga ato kotësitë pjellë e mërzisë, e mungesës së alternativës, pjellë e një mungese komplete të argëtimit të shëndetshëm me veten e me të tjerët.

Një qendër tregtare inaugurohet, diçka shumë po shumë e zakonshme. Është vetëm një qendër tregtare, nuk është “Luvri”. E në çast, qindra njerëz që me një “check-in” të lajmërojnë se ata janë aty, pavarësisht se si ata janë dhe një tufë me të tjerë. Në fakt duan të të japin sinjalin se janë të ftuar, se janë të ftuar sepse janë të rëndësishëm, se janë të ftuar se dikush u kujtua për ta, se janë të ftuar se ata kanë miq, kanë taraf, ata ekzistojnë.

Edhe? Kush të pyeti se ku je? Ku ishe? Me kë?

“Ju lutem, -lajmëronte një verë policia italiane, -mos tregoni shpesh me “check-in” se ku jeni, ka shumë gjasa t’ju vjedhin shtëpinë!”.

Sa mirë na bën kaq shumë informacion mbi veten? Nuk na mjaftojnë GPS që na masin sekondën e spostimeve? Nuk na mjaftojnë kamerat nëpër rrugë apo biznese, lokale e disko, që i harrojmë, por i kemi mbi kokë në çdo cep? Nuk na mjafton komshija telashexhie? Apo spiuni i radhës në punë, se ka akoma edhe nga këta, mos mendoni se janë zhdukur, “gojët e liga” thonë se në çdo pesë veta e ke një.

Jo, jo dhe jo, nuk mund të jemi askushi, ne duam vëmendje, me çdo kusht, me çdo çmim. Kafshojmë pjesë të rëndësishme nga jeta jonë, për t’i falur veresie, mjafton të kemi vëmendje. Një vend ekskluziv më nuk ekziston (edhe Dubain na e kanë bërë tashmë të zakonshëm e dikur e kishim ëndërr), por edhe ballkoni i shtëpisë është një “check-in”, edhe “në lagje”, madje edhe në “spital”. Ju ka ndodhur besoj kur qindra “friends” lemerisen se ju patët idenë brilante të na informoni se jeni në QSUT, pa dhënë shpjegime, e direkt, se jemi të stresuar të lindur, na shkon mendja për keq?

Duam vëmendje, por harrojmë edhe ditëlindjen e prindit. Druhemi nga plakja, ose vetmia, ose monotonia. E biem në një grackë që na bën edhe më të vetmuar, edhe më të plakur, edhe më të mërzitur e të mërzitshëm.

Jemi të lirë, por vetëm nëpër poezi tashmë, ose vetëm në avion apo ashensor, ku nuk ka valë.

 

 

 

 

loading...
loading...